
Shtatë vëzhguesit ushtarakë ndërkombëtarë të ndaluar nga separatistët
pro-rusë në lindje të Ukrainës janë lënë të lirë, raportojnë mediat
ruse.
Vëzhguesit, të lidhur me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u ndaluan më 25 prill në qytetin e Slovianskut. Sipas njoftimeve mediatike, edhe 5 oficerët ukrainas që ishin bashkë
me ta në momentin e ndalimit janë lënë gjithashtu të lirë.
Agjencia e lajmeve “RIA” citoi Vladimir Lukin, i dërguari i presidentit
Putin për të negociuar lirimin, që thotë: “Të 12 personat që ishin në
listën time janë lënë të lirë”.
Ndërsa “Associated Press” citoi liderin e rebelëve Vyacheslav Ponomaryov që konfirmonte lirimin. Agjencia njoftoi gjithashtu se një nga gazetarët e saj ka parë një nga
vëzhguesit, kolonelin gjerman Axel Schneider dhe përkthyesin e tij
ukrainas të lihen të lirë.
Liderët perëndimorë kishin dënuar ndalimin e vëzhguesve. Të premten
presidenti amerikan Barack Obama bëri sërish thirrje për lirimin e tyre,
ndërsa kancelarja Angela Merkel tha se lirimi do të përbënte një hap të
rëndësishëm në lehtësimin e tensioneve në rajon.
Lajmi i lirimit vjen teksa qeveria ukrainase ka rifilluar
aksionet ushtarake për të frenuar avancimin e separatistëve pro-rusë në
lindje të vendit. Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov konfirmoi se faza aktive e operacionit vazhdoi në agim, me sulme përreth qytetit Kramatorsk.
Ditën e premte, dhjetëra persona humbën jetën nga zjarri që përfshiu një ndërtesë të marrë nën kontroll nga separatistët pro-rusë në Odesa, në jug-perëndim të vendit. Shtetet e bashkuara dënuan dhunën duke e cilësuar atë si “të pakuptimtë”.
Ministri Avakov deklaroi se trupat ukrainase të shtunën kanë marrë nën kontroll kullën televizive në Kramatorsk, që ndodhet pranë bastionit të pro-rusëve të Slovianskut.
“Ne nuk do të ndalemi”, deklaroi Avakov në një postim në faqen e tij në Facebook. Sipas tij, pro-rusët kishin sulmuar forcat e armatosura dhe dy ushtarë ukrainas janë vrarë. Ndërsa vetë separatistët deklaruan se viktimat në radhët e civilëve ishin tre.
Ndërkohë, e dërguara e BBC në Donetsk njoftoi se, pavarësisht se forcat ukrainase po vazhdojnë operacionet rreth Slovianskut, ato ende nuk kanë provuar të avancojnë drejt qendrës së qytetit.
Ajo tha se ka folur me banorët e zonës të cilët i kanë thënë se shumë prej tyre kanë shkuar në Kramatorsk në përpjekje për të ndalur hyrjen e autoblindave ushtarake.
Operacionet vijnë një ditë pas betejës mes grupeve pro-Kievit dhe separatistëve në Odesa, që kulmuan me zjarrin në selinë e Sindikatës së Tregtisë.
Autoritetet deklaruan se shumica e njerëzve që ndodheshin brenda humbën jetën të asfiksuar nga tymi, ndërsa të tjerët pasi u hodhën nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve.
Top Channel