Me biçikletë nëpër Shqipëri

30/04/2014 00:00

Këto ditë nëpër Shqipëri, me pjesëmarrjen edhe të punonjësve të Ambasadës Amerikane u ndërmor çiklokrosi me biçikleta, ku pjesëmarrësit synuan ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi avantazhet e përdorimit të biçikletës nëpërmjet nismës “Jeto gjelbër”.

Plot 412 kilometra të përshkuara mbi dy rrota në gjithë vijën bregdetare shqiptare, nga Shkodra në Sarandë.

Njëri prej pjesëmarrëseve në këtë aktivitet ishte edhe zv.ambasadori amerikan në Tiranë, Henry Jardin. Për të folur për këtë përvojë të jashtëzakonshme, diplomati i lartë amerikan në Tiranë ishte i ftuar në studion e Pasdites këtë të mërkurë, së bashku me Mihallaq Qirjo, Drejtor për Shqipërinë i Qendrës Rajonale të Mjedisit për Europën Qëndrore dhe Lindore.

Aktiviteti nisi simbolikisht më datë 22 prill, në Ditën e Tokës.

“Dita e Tokës festohet prej mëse 40 vitesh tani. Është një ditë simbolike, mbarëbotërore dhe festohet edhe në Shqipëri prej disa vitesh me aktivitetet të shumta që synojnë ndërgjegjësimin e njerëzve dhe dhënien e mesazheve pozitive për mjedisin, për një jetë më të gjelbërt, për një jetë më të mirë”, thotë Mihallaq Qirjo.

Si u përfshi në këtë nismë zv.ambasadori amerikan?

“Që në fillim, që kur u bashkuam si grup dhe po mendonim se cfarë do të bënim për të festuar këtë vit Ditën e Tokës. Donim të bënim vërtet dicka që të theksonte rëndësinë e mjedisit. Doja të bëja dicka të madhe, dicka që do të krijonte më shumë interes dhe shumë interesante. Donim që njerëzit të mendonin për Shqipërinë, ndaj ideja që të shkonim nga Shkodra në Sarandë me biçikleta do të na sillte më shumë vëmendje, ashtu sic edhe ndodhi. Shkodra, duke qenë se njihet si qyteti i biçikletave ishte vendi më i mirë për të nisur. Ne e koordinuam këtë me Qendrën Rajonale të Mjedisit”, tregon zv.ambasadori amerikan, Henry Jardin.

“Shkodra pati specifikën e pedalizmit dhe biçikletës, Lezha pati specifikën e turizmit, qytetet e tjera patën specifika të tjera të caktuara për të nxjerrë në pah mesazhin e këtij udhëtimi, Jeto Gjelbër”, shton Mihallaq Qirjo.

Zv.Ambasadori amerikan tregon për vështirësitë e udhëtimit, të përkeqësuara akoma më shumë edhe nga moti i paqendrueshëm që përgjatë gjithë ditëve të udhëtimit ka qenë i vranët dhe me reshje.

“Pjesa më e keqe ishte kur po ngjiteshim në Llogara. Por ishte më sfiduese për ne. Ishte me të vërtetë një sfidë e madhe të kalojë nëpër Llogara, mezi shihej pak metra përpara për shkak të mjegullës, binte shi, breshër dhe sapo kaluam rrugën dhe po shkonim drejt Dhërmiut nisi era dhe shiu na përplasej në sy. Por prap ia dolëm mbanë dhe ishim të kënaqur për këtë dhe është një përvojë që do ta mbajmë mend përgjithmonë”, thotë ai.

Në këtë udhëtim diplomati amerikan ka parë më nga afër rrugët shqiptare. Cilat janë përshtypjet e tij për to?

“Unë jam fanatik i biçikletës. Ndoshta shumë njerëz nuk e kuptojnë, por ka rrugë shumë të mira në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të rrugës nuk patëm asnjë problem. Pamë natyrën nga afër, natyra ishte pranë nesh. Nga Shkodra në Lezhë kaluam përmes rrugës së vjetër, ishte një rrugë e mirë. Pati rrugë shumë të mira, rrugë sfiduese dhe pamja ishte e mrekullueshme sidomos sa më shumë që i afroheshim Sarandës”, shprehet Henry Jardin.

Njëra prej ndalesave të shumta ishte Durrësi.

“Mëngjesin e dytë e nisëm nga Durrësi. Patëm një program me qendrën atje, ishte mundësia që të theksonim energjinë e rinovueshme dhe folëm për të. U nisëm atje me nënkryetarin e Bashkisë dhe më pas shkuam drejt jugut. Ndaluam në Lushnje për të parë një fermë, një projekt i USAID dhe aty prezantuam qasjen e gjelbërt për bujqësinë. Ishte e mrekullueshme tek shikoje se si ecnim drejt bregdetit nga Durrësi”, tregon zv.ambasadori amerikan.

“Ishim rreth 10 vetë ose me shumë sepse na bashkoheshin të tjerë dhe na ndaheshin. 4-5 ishin shqiptarë, disa ciklistë profesionistë, pastaj erdhën nga Vlora që u bashkuan me ne në Fier. Ishim një grup lëvizës, shtoheshin njerëz, largoheshin”, thotë Jardin.

“Mesazhi është Jeto Gjelbër! Ta bëjmë Shqipërinë më të të mirë. Shqipëria është një vend shumë i bukur! Duam ta bëjmë atë akoma më të bukur dhe kjo është detyrë e përbashkët e të gjithëve”, mbylli mesazhin e tij në Pasdite diplomati amerikan.

Top Channel