Dhëndrri i Ecclestone, autokolonë “ëndrrash”

25/04/2014 00:00

Miliarderi James Stunt, i cili u kap nga fotografët teksa bënte “shopping” në Chelsea të Londrës ditën e enjte, ishte i shoqëruar nga një autokolonë prej 4 makinash, me një vlerë minimale të përgjithshme prej 1 milion paund.

Biznesmeni Stunt, 28 vjeç, i cili është i martuar me trashëgimtaren e Formula 1, Petra, 25-vjeçare, doli nga një Lamborghini me një vlerë të përafërt prej 350 mijë paund.

Pas kësaj supermakine ishin dy Rolls Royce, me vlera minimale prej 285 mijë paund secila, dhe në pozicionin e fundit ishte një Range Rover Mansory, e cila vlen jo më pak se 208 mijë paund. Besohet se përveç këtyre, autokolona kishte edhe 2 mjete të tjera, por që nuk janë mundur të fotografohen.

Stunt, i shoqëruar nga 8 veta të stafit të sigurisë, dukej se po kërkonte të zgjeronte koleksionin e tij të artit, pasi vizitoi Galerinë e Artit “Daniel Hunt Fine” në rrugën Sloane në Chelsea.

Stunt është i njohur për koleksionin e tij të artit dhe së fundi është përpjekur të blejë një autoportret të piktorit baroque, Anthony Van Dyck nga shtëpia e tij në Los Angeles, por pa mundur dot për shkak të kundërshtimit të aktivistëve të artit, të cilët kërkojnë që ajo pikturë të merret nga Galeria Kombëtare e Portreteve në Britani.

Stunt është martuar me Petra-n që prej 2011-s dhe ka një pasuri të përllogaritur prej 5,5 miliardë paund. Vjehrri i tij, gjiganti i Formula 1 Bernie Ecclestone, është aktualisht para një gjyqi në Gjermani, i akuzuar për ryshfet, akuzë të cilën ai e mohon.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel