Vëllai abuzoi seksualisht ndaj tetraplegjikes

24/04/2014 00:00

Faktohet edhe me anë të krahasimit të ADN-së se babai i fetusit të
vajzës tetraplegjike nga fshati Lapulec i Mallakastrës është vëllai i
saj 14-vjeçar, i cili në kohën kur është kryer abuzimi seksual ka qenë
13 vjeç.

Burime nga mjekësia ligjore në kryeqytet kanë bërë me dije për gazetën se pas krahasimit të ADN-së së fetusit që u hoq nga ena e fëmijës së tetraplegjikes me atë të vëllait të saj 13-vjeçar kanë rezultuar të njëjta, ç’ka përforcojnë deklarimet e vetë të dyshuarit, i cili pasi u pyet disa herë në cilësinë e personit që mund të kishte dijeni mbi ngjarjen, pranoi se ishte pikërisht ai që kishte kryer marrëdhënie me motrën e tij 19-vjeçare.

Historia e incestit u dyshua që në momentet e para prej policisë dhe hetuesve të organit të akuzës, pasi deklarimet e të miturit ishin të paqarta dhe kontradiktore. Gjithashtu, nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes dhe pozicionit të banesës që ndodhej pranë shtëpive të tjera të fshatit, autori dyshohej të kishte pasur mundësi të hynte e të dilte lirshëm në banesën e të dëmtuarës. Madje, ai ka pasur kohën e mjaftueshme për të survejuar të gjitha lëvizjet e nënës dhe gjyshes së vajzës tetraplegjike. Këto fakte kanë ngritur që në fillim dyshimet se ka qenë pikërisht vëllai i mitur i vajzës tetraplegjike që ka abuzuar seksualisht ndaj saj duke e lënë edhe shtatzënë.

Në deklarimet e tij të fundit, i mituri ka pranuar se disa muaj më parë, në një moment kur ishte ndodhur i vetëm me motrën në shtëpi ka kryer aktin seksual. Ai ka shpjeguar se është shtyrë prej kuriozitetit dhe se në atë moment është ndodhur në një gjendje të dobët. Por edhe pse tashmë organi i akuzës ka siguruar prova prej mjekësisë ligjore që vërtetojnë se 14-vjeçari ka kryer abuzimin seksual ndaj motrës së tij tetraplegjike, fakti se në atë kohë ka qenë 13 vjeç e bënë të pamundur marrjen e tij si person nën hetim. Por, pavarësisht këtij fakti, pritet që Prokuroria e Fierit të diskutojë rrethanat e hetimit dhe të kërkojë në gjykatë caktimin e masave për riedukimin e të miturit, edhe pse këto institucione mungojnë. Gjithashtu, pritet që hetuesit të vendosin për masat që do kërkojnë me qëllim parandalimin e kryerjes së abuzimeve të tjera të kësaj natyre ndaj vajzës 19-vjeçare tetraplegjike A.Z.. Më datë 29 janar të këtij viti, në repartin e urgjencës së Rrethit të Fierit ka mbërritur një vajzë 19-vjeçare me aftësi të kufizuara e cila kishte pësuar kriza dhe kishte shqetësuar nënën e saj që kujdesej prej vitesh për të bijën tetraplegjike. E ëma e të sëmurës ka pohuar se vajza vuante nga veshkat dhe se e kishin kapur krizat. Por kur mjekët kryen ekspertimet përkatëse konstatuan se ajo ishte shtatzënë prej katër muajve. Për shkak se vajza tetraplegjike nuk ishte e aftë as të lëvizte prej shtratit dhe as të fliste, është konkluduar se akti seksual që ka shkaktuar shtatzëninë është kryer jashtë dëshirës së saj. Nisur nga ky fakt janë njoftuar autoritetet e drejtësisë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Gjithashtu, një komision mjekësh ka vendosur se shtatzënia duhej ndërprerë pasi vajza 19-vjeçare nga Lapuleci i Mallakastrës ishte e paaftë të bëhej nënë dhe se fëmija mund të lindte me probleme fizike apo mendore. Pas heqjes që fetusit katër muajsh, mjekësia ligjore mori disa mostra për kryerjen e analizave të ADN-së që nxorën në dritë edhe atësinë.

Top Channel