Kore, ende mister mbytja e tragetit

18/04/2014 00:00

Ende nuk është e qartë përse u mbyt trageti në Korenë e Jugut, por ekspertët kanë sugjeruar se opsionet janë dy: ose është përplasur me një shkëmb; ose ka bërë një kthesë të shpejtë, duke prishur balancën.

Ndërkohë, hetuesit kanë deklaruar se në momentin e tragjedisë timoni i mjetit lundrues nuk kontrollohej nga kapiteni, por nga oficeri i tretë në radhë. Ndërkohë, polumbarët po përpiqen të hyjnë në objektin e fundosur.

Të paktën 268 persona, përfshirë shumë studentë të shkollave të mesme, mbeten të humbur pas tragjedisë së të mërkurës. Deri tani dihet me siguri se 28 persona kanë vdekur dhe 179 të tjerë janë shpëtuar.

Mjeti lundrues, i quajtur “Sewol”, po udhëtonte nga lokaliteti Inçeon, në veri-perëndim të vendit, për në ishullin jugor Jeju. Ai u përmbys dhe u fondos brenda dy orëve.

Operacioni masiv i kërkim-shpëtimit është ende në vazhdim, por moti i keq, dukshmëria e ulët dhe rrymat e forta kanë penguar punën e polumbarëve.

Autoritetet deklarojnë se zhytësit kanë arritur të hyjnë në urën dhe restorantin e tragetit të mbytur, por dyshohet se shumica e studentëve ndodheshin në një kat tjetër të mjetit.

Aktualisht në të po injektohet oksigjen për të ndihmuar njerëzit e bllokuar që mund të jenë ende gjallë, edhe pse zyrtarët kanë thënë se ka pak gjasa që të ketë të tillë.

Burime nga roja bregdetare, të cituara nga AFP, thonë se trupat e rekuperuar deri tani janë gjetur duke lundruar në ujë dhe asnjë nuk është rekuperuar nga brenda tragetit.

Top Channel