Gerti Pashaj para Gjykatës së Krimeve të Rënda

17/04/2014 00:00

Pak ditë pasi u deportua nga shteti turk, Gerti Pashaj, njëri nga të akuzuarit për rekrutimin e shtetasve shqiptarë në luftimet në Siri, doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tre akuza, mes të cilave nxitje dhe thirrje për veprime terroriste dhe organizim.

Menjëherë në nisje të masës së sigurisë, ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, Pashaj kërkoi avokat mbrojtës si edhe u deklarua i pafajshëm.

“Unë i njoh të arrestuarit”, mësohet të ketë thënë gjatë masës së sigurisë Pashaj, por nuk kam lidhje me asnjë nga akuzat. Ndërkohë që ka përmendur se në Turqi i ka mbetur familja e tij së bashku me dy fëmijët.

Aktualisht, në paraburgim ndodhen tetë persona për rekrutimin e 86 shqiptarëve që janë dërguar të luftojnë përkrah Al Nustrës, një organizatë e njohur si terroriste.

Por, burimet i thanë Top Channel se nga tetë të arrestuarit vetëm dy kanë pranuar ta apelojnë masën e sigurisë së shkallës së parë, ndërkohë që gjashtë të tjerë vijojnë të këmbëngulin se mbrohen nga Zoti.

Në kërkim për rekrutimet janë edhe katër shqiparë të tjerë, që të gjithë ata të dyshuar se ndodhen në Siri.

Top Channel