LDK: Sistem prokurimi elektronik

10/04/2014 00:00

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar planin e saj qeverisës për reformimin e sistemit të prokurimit publik. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se me qeverisjen e LDK-së, përmes prokurimin elektronik do të kursehen 94 milionë euro në vit.

Përmes sistemit elektronik të prokurimit, ka thënë Hoti, synoohet të eliminohet plotësisht kontakti i zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomikë.

“Do të aplikohet plotësisht prokurimi elektronik në shpenzimin e parasë publike që bëhet përmes tenderimit. Prokurimi elektronik do të rrisë efikasitetin, transparencën, cilësinë e punëve dhe do të shtojë vlerën për para”, ka deklaruar Hoti.

“Do të riliçencohen zyrtarëve e prokurimit publik, për t’i riaftësuar ata për punë me sistemin e prokurimin elektronik. Organet mbikëqyrëse të prokurimit publik, siç është OSHP, do të mbikëqyrin të gjitha proceset, e jo vetëm ato procese ku paraqiten ankesa nga operatorët ekonomik siç ndodh tani”, ka vijuar ai.

Partia e Isa Mustafës vlerëson se po të niste më herët aplikimi i prokurimit elektronik, Kosova do të kishte kursyer qindra miliona euro.

“Fatkeqësisht, qeveria në largim e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth 376 milionë euro gjatë katër viteve të fundit vetëm për shkak të mos aplikimit të prokurimit elektronik. Ligji ekzistues i prokurimit publik, në nenin që ka të bëjë me prokurimin elektronik, i ka mundësuar qeverisë aktuale të zbatojë këtë formë të prokurimit”, ka thënë Hoti.

Edhe pse sipas Hotit, ligji aktual e ka lejuar prokurimin elektronik, komuna e Prishtinës, e cila deri para pak muajsh është udhëhequr nga LDK, nuk e ka aplikuar një metodë të tillë.

Top Channel