Shërbimi Sekret vret një person pranë Shtëpisë së Bardhë, i dyshuari hapi zjarr ndaj oficerëve. Trump ndodhej në zyrë gjatë incidentit Ka ngjallur reagime të shumta dhe indinjatë të gjerë videoja që tregon sulmin ndaj një murgeshe katolike franceze, njëherëzi studiuese arkeologjie në Jerusalem.
Pamjet filmike treguan një burrë që e ndjek nga pas, e shtyn me forcë në tokë dhe kthehet ta godasë ndërkohë që ajo ishte shtrirë, derisa ndërhyn një kalimtar që e ndalon.
Murgesha ka pësuar lëndime të lehta dhe nuk raportohet të jetë në gjendje të rëndë, por ngjarja menjëherë u interpretua si tregues i tensioneve fetare të shtuara në rajon dhe sfidat për garantimin e sigurisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Jerusalem.
Policia izraelite arrestoi një 36-vjeçar në lidhje me ngjarjen, duke deklaruar tolerancë zero ndaj dhunës për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve fetare në Jerusalem. Sulmi ndodhi në malin Sion, një zonë me rëndësi të veçantë fetare si për hebrenjtë ashtu edhe për të krishterët.
Konsullata franceze e dënoi ashpër incidentin dhe kërkoi që autori të vihet përpara drejtësisë. Ndërkohë, përfaqësues të institucioneve akademike dhe fetare theksuan se ngjarja nuk është e izoluar, por pjesë e një rritjeje shqetësuese të armiqësisë ndaj komunitetit të krishterë.
Edhe ministria e jashtme e Izraelit e cilësoi sulmin si një akt të turpshëm, në kundërshtim me vlerat e respektit dhe bashkëjetesës fetare. Sipas të dhënave të organizatave monitoruese, dhjetëra incidente kundër të krishterëve janë regjistruar vetëm në muajt e parë të këtij viti, kryesisht akte ngacmimi dhe dëmtimi të objekteve fetare.
Top Channel