Problemi i të sëmurëve mendorë që janë autorë të veprave penale ka vite që nuk po gjen zgjidhje. Një ditë më parë u soll në fokus një histori e një personi me probleme mendore që nuk ndodhet në mjedise të veçanta, por në ato të burgut.

Personi në fjalë ishte arrestuar gati dhjetë vjet më parë. Ai është i sëmurë mendor dhe prej asaj kohe, pavarësisht se është folur e deklaruar shpesh se kjo kategori duhet të qëndrojë në institucione të posaçme, ai trajtohet si pacient në ambient burgu.

Për të folur në lidhje mbi këtë çështje kryeredaktori përgjegjës i lajmeve në Top Channel, Pandi Gjata ka intervistuar kryetaren e Komitetit Shqiptar të Helsinkit zonjën Vjollca Meçaj.

Pandi Gjata: Sa raste kemi, kur të sëmurët me probleme mendore nuk qëndrojnë në ambiente të veçanta, por në ambientet e burgut?

Vjollca Meçaj: Në institucionet e vuajtjes së dënimit ka 2 kategori të personave me probleme të shëndetit mendor, së pari janë ata që janë gjykuar dhe është provuar fajësia e tyre dhe gjatë vuajtjes së dënimit ata mund të sëmuren nga probleme të shëndetit mendorë. Te kategoria e dytë bëjnë pjesë ata persona të cilët nuk i janë nënshtruar një vendimi penal. Për shkak të gjendjes mendore janë të papërgjegjshëm për veprat e kryera. Ligji përcakton se nëse ka një çështje penale të filluar ajo pushohet menjëherë, pra nuk mund të gjykohen. Në kategorinë më problematike janë rreth 120 persona, për të cilët Gjykata ka vendosur mjekim të detyruar në një institucion shëndetësor.

Pandi Gjata: A është kaq i rëndësishëm ky fenomen që trajtohet nga agjencitë e specializuara, të ketë edhe vëmendjen e publikut të gjerë?

Vjollca Meçaj: Niveli i një populli matet më mënyrën sesi ai trajton pakicat , ata që nuk kanë probleme janë të zotët ta mbrojnë veten. Nëse flasim për një popull të kulturuar janë këto detaje që vendosin. Edhe standardet e demokracisë maten me mënyrën sesi ne merremi me shtresat vulnerabël . Kjo kategori njerëzish i përket pikërisht kësaj shtrese, për të cilët ne duhet të merremi në mënyrë të veçantë.

Pandi Gjata: Sjellja dhe kujdesi ndaj kësaj kategorie, a është një ndër kushtet të integrimit në BE?

Vjollca Meçaj: Po është, BE kur flet për të drejtat e njeriut ka parasysh çdo individ. Kur flasim për te drejtat e njeriut çdo individ ka vlerën e vet. Askush nuk na e jep të drejtën që për të krijuar komoditetin e disa njerëzve të shkelim të drejtat e një pjese tjetër.

Pandi Gjata: Jemi dëshmitar, ku njerëz me probleme mendore kanë kryer edhe krime. Si trajtohet jashtë kjo kategori, për të mos patur as rrezikun e njerëzve të tjerë, por edhe për të mos qenë në këto kushte të rënda që ne po flasim.

Vjollca Meçaj: Njerëzit me probleme të shëndetit mendorë në radhë të para janë qenie njerëzore. Mbi sëmundjet merret shëndetësia, siç kurohen njerëzit normalë ashtu kurohen edhe ata me probleme mendore. Vende të tjera më të avancuara, nga pikëpamja e demokracisë, kanë standarde shumë të larta në këtë drejtim. Kjo është edhe një çështje ligjore. Prej 3 vjetësh ne kemi një ligj të posaçëm për problemet e shëndetit mendorë.  Duhet të luftojmë stigmën që kemi krijuar në shekuj ndaj kësaj kategorie. Nëse ne i braktisim këta persona, sëmundja e tyre do të bëhej kronike. Nga monitorimet që i bëjmë burgjeve kemi konstatuar se shumë persona ndodhen në burgje, pavarësisht vendimit të gjykatës. Izolimi në burg i ka rënduar sëmundjen. Edhe ndërkombëtarët e kanë përfshirë këtë në një nga çështjet që Shqipëria duhet të zgjidh, duke ofruar edhe një fond. Qeveria ofroi edhe një mjedis për të ndërtuar një institucion, por gjithsesi, nge këtu alarmin që nuk duhet pritur deri sa të përfundoi ai institucion. E quaj të pafalshme që sistemi shëndetësorë nuk pranon t’i trajtojë këta persona. Gjyqtarët i kthehen këtyre çështjeve vit pas viti dhe është e pafalshme që një gjyqtar shikon që ja sjellin personin që duhet të vlerësojë, nëse ka përmirësuar gjendjen shëndetësore, ata e shikojnë që ia sjellin nga burgu dhe heshtin përpara këtij fakti. 

Top Channel