SHBA, nxënësi plagos me thikë 22 moshatarë

09/04/2014 00:00

Një student i vitit të dytë ishte autor i një sulmi me thikë në shkollën e mesme të tij, në zonën e Pittsburgh, mëngjesin e së mërkurës, tha një zëdhënës i agjencisë së menaxhimit të emergjencave.

Të paktën 20 studentë në shkollën e mesme të Franklin-it, në Murrysville, u plagosën, ndërkohë që agresori është arrestuar dhe po merret në pyetje, tha Dan Stevens, një zëdhënës i “Emergency Management” në kantonin e Westmoreland.

Shfaqja e dhunshme – tha Stevens, – ndodhi në ambientet e klasës dhe në korridor. Të dyshuarit i janë vënë prangat në duar nga një oficer i resurseve të shkollës, tha shefi i policisë së Murrysville, Thomas Seefeld, ndërkohë që një drejtor shkolle kishte “ndërvepruar” me të duke siguruar arrestimin e tij.

4 prej të plagosurve janë dërguar në spital me anë të helikopterëve, tha Stevens. 7 adoleshentë dhe 1 i rritur janë trajtuar në spitalin rajonal të Forbes, në Menroeville të Penssylvani-së, sipas doktor Chris Kaufmann. Dëmtimet e tyre janë “disi serioze”, ndërsa “disa janë edhe kërcënuese për jetën”, tha ai.

Viktimat u therën me thikë në pjesët e trupit, në gjoks, bark dhe shpinë, ndërsa 2 vetë janë dërguar menjëherë për operacion sapo mbërritën në spital, shtoi më tej doktori. Këto 2 pacientë kanë presion të ulët të gjakut, sipas tij, ndërsa një i tretë ishte duke u përgatitur për ndërhyrje kirurgjikale mëngjesin e së mërkurës, kurse pjesa tjetër po vlerësohen nëse kanë nevojë për t’iu nënshtruar operacioneve apo jo, tha ai.

11 viktima u dërguan nëpër 4 spitalet e Universitetit të Qendrës Mjekësore të Pittsburgh-ut, tha zëdhënësi i UPMC, Cindy McGrath, i cili nuk dha të dhëna mbi moshën e tyre apo gjendjen shëndetësore.

Studentët e plagosur ishin të moshave nga 14-17 vjeç, të gjithë me plagë prej thikës, si gërvishtje apo të çara, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë përdorim armësh.

Agresori i dyshuar po trajtohet për plagë në duart e tij, tha Seefeld, duke shtuar se edhe roja i sigurisë është mes të dëmtuarve.

Top Channel