Marrëveshja me FMN dhe biznesi

04/04/2014 00:00

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe FMN ka qenë kryefjalë e ditës. Mazhoranca dhe opozita debatuan në një seancë maratonë në Parlament, derisa marrëveshja kaloi në tërësi me 76 vota pro. Në studion e “Revistës televizive të Mbrëmjes”, për të diskutuar mbi këtë çështje, ishte i ftuar kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Pandi Gjata: A jeni njohur nga qeveria me detajet e marrëveshjes me FMN?

Nikolin Jaka:
Marrëveshja është diskutuar në këshillin ekonomik kombëtar, si anëtarë i këtij këshilli, kemi pasur një prezantim nga ministri i Financave, po ashtu kjo marrëveshje është edhe në saj të Ministrisë së Financave, por nuk kemi pasur një prezantim të hollësishëm për detajet e marrëveshjes, apo për atë çfarë flitet për rritjen e tarifave apo taksave. Ne kemi pasur edhe një takim me përfaqësues të FMN, me ekspertë të saj, të cilët kanë ardhur në një takim në Dhomën e Tregtisë, për të marrë opinionin e tyre lidhur me atë çfarë biznesi sugjeronte. Ishte një takim në rangun e teknicienëve, por debati kaloi në një atmosferë dhe një diskutim tjetër,  e cila ishte ajo çfarë sipërmarrjen e shqetëson.

Pandi Gjata: Si përfaqësues i biznesit, çfarë informacioni keni për atë që po diskutohet mbi rritjen e taksave?

Nikolin Jaka: Deri sot nuk kemi një listë se cilat taksa do të rriten dhe në çfarë sektorësh do të shtrihet. Kemi marrëveshjen e me FMN, e cila na është vënë përpara në Këshillin Ekonomik, por edhe nga Ministria e Financave. Është një marrëveshje, e cila trajton kredinë e marrë nga qeveria shqiptare. Kjo kredi ka edhe disa kushte, të cilat duhet të nënshkruhen në marrëveshjen me FMN. Këto kushte akoma nuk janë prezantuar në mënyrë të detajuar me sipërmarrjen private. Sipërmarrja e ka përshëndetur këtë marrëveshja pasi siguron edhe shlyerjen e detyrimeve, që është edhe pika më e dobët. Mbi taksimin nuk kemi ende një konsultë apo një detajimi të taksave.

Pandi Gjata: Ju thatë që keni takuar përfaqësues të FMN. Cili ka qenë shqetësimi që ka ngritur biznesi?

Nikolin Jaka: Ekspertët e FMN donin të trajtonin një sërë taksash, se si i pret sipërmarrja ato. Taksa e pronësisë, ajo e automjeteve, taksa e ambientit dhe shumë të tjera. Realisht ne patëm një debat shumë të frytshëm, pasi kërkesat konsistonin në atë që është plaga më e madhe e ekonomisë shqiptare. Plaga më e rëndë është formalizimi i ekonomisë. Ishin terma të padëgjuar qoftë në shifra apo në informalitetin që shoqëron ekonominë shqiptare. Nga takimi ekspertët dolën disi të çuditur sepse pretendonin t’i sugjeronin qeverisë, në rolin e këshilltarit, një sërë taksash, duke rritur tarifat e tyre dhe duke futur edhe taksa të tjera në sistemin shqiptar. Nga ana tjetër nuk kishin marrë informacionin e saktë nga se vuan ekonomia shqiptare. Ne me të vërtetë mund të pranojmë një taks më të rëndë në kubikët e makinave, por jo në momentin kur 30% është informalitet, ne me të vërtetë mund të pranojmë taksa në ç’do sektor, por jo në momentin kur 90% është informale. Këto janë problematika që duhet të zgjidhen. Është një sistem i tërë që kërkon obligimin e qeverisë për të zgjidhur këtë, pastaj për të zgjeruar taksat.
 
Pandi Gjata: Po përfaqësuesve të qeverisë shqiptare ia keni ngritur këto shqetësime?

Nikolin Jaka: Të paktën në Këshillin Ekonomik Shqiptar ne trajtojmë problematikat që ka biznesi. Ne i kemi trajtuar jo vetëm qeverisë së sotme në rolin e mazhorancën, por edhe kur ishin në opozitë kemi pasur konsulta dhe sugjerime të herë pas hershme me sipërmarrjen private. Të gjitha problematikat ne i kemi trajtuar. Në momentin kur ka qenë në rolin e opozitës dhe në fillimet e saj kur mori qeverisjen.

Pandi Gjata: Cili është qëndrimi tashmë që janë në qeveri ta majtët?

Nikolin Jaka:
Marrëveshja me FMN ka devijuar obligimet që ka qeveria shqiptare. Sot ne duhet të flasim për premtimet dhe programin e Partisë Socialiste dhe të mazhorancës, ndërkohë përballemi në Parlament apo edhe në debatet mediatike përballemi me analizën e marrëveshjen më FMN. Nuk ishte në programin e qeverisë kjo marrëveshje. Ne kemi propozuar edhe alternativa të tjera. Një program i qartë dhe një sistem reformash, do të kishin mundësuar mbledhjen e të ardhurave, mbase edhe 30% për qind më shumë sesa ato të vitit 2013. Në mënyrë që kjo plagë të ishte rikuperuar me një angazhim të qeverisë në mbledhjen e taksave. Kjo është ajo që ne i kemi kërkuar dhe po i kërkojmë qeverisë. Nëse FMN e ka detyruar qeverinë të ndryshojë sistemin fiskal, edhe sot ne e mbështesim qeverinë, por i kemi sugjeruar që të ketë masa konkrete për luftën kundër informalitetit. Sepse kreditimet janë një barrë që i bie qytetarëve shqiptarë sepse janë po këto taksa që do të likuidojnë këto kredi. Ndërkohë që nëse fokusohemi në një pakt kombëtar, të ndërgjegjësohemi për rolin që kemi për të paguar detyrimet ndaj buxhetit të shtetit. Kjo është më e rëndësishme. Atëherë do të jenë vetë qytetarët kontributor për të mbyllur ato plagë që kanë të bëjnë me sipërmarrjen.

Top Channel