Top Show, zonat e lira të Pacollit

27/03/2014 00:00

Në puntatën e kësaj të mërkure, në studion e “Top Show”-t, të drejtuar nga Alban Dudushi, ka qenë zv/kryeministri i Republikës së Kosovës, zoti Behxhet Pacolli, një nga figurat më shumë të diskutuara në hapësirën politike të Kosovës, por dhe më gjerë. Në fakt, hyrja e një miliarderi në politikë gjithmonë ngjall shpresa, por edhe dyshime, gjë që ka ndodhur edhe me zotin Pacolli.

Alban Dudushi: Le ta nisim bisedën aty ku është dhe fillimi i prezencës suaj në politikën e Kosovës, më 17 Mars 2006, kur ju themeluat partinë “Aleanca Kosova e Re”, e prej asaj kohe keni qenë një figurë konstante në politikën e Kosovës, pas një fillimi të vrullshëm. Cila ishte arsyeja që ju u kthyet në Kosovë?

Behxhet Pacolli: Sigurisht që përbën lajm futja në politikë e një personi që ka jetuar e ka pasur sukses jashtë Kosovës, në një kohë që prej jetës së rëndomtë në Kosovë gjithkush dëshironte të largohej nga ai vend apo ta ndryshonte atë. Rikthimi im në Kosovë ka qenë i pakuptueshëm për shumë njerëz. Shumë njerëz nuk e kanë kuptuar shpirtin tim dhe, të ndikuar nga fjalët se unë jam mësuar të përfitoj prej biznesit, kanë menduar se unë jam rikthyer në Kosovë për të përfituar në të njëjtën mënyrë. Në fakt, në mënyrë tepër të padiskutueshme, mund të them se jam rikthyer në Kosovë për shkak se kam qenë gjithnjë afër popullit tim. Edhe pse fizikisht kam qenë jashtë për shumë kohë, mendja dhe shpirti im kanë qenë gjithnjë në Kosovë, duke mos kaluar as natë e as ditë pa qenë i lidhur me vendin, me familjen, me farefisin, me miqtë e mi. E kam përjetuar shumë rëndë si periudhën para luftës në Kosovë, ashtu dhe periudhën e luftës dhe fillimin e një jete të re për vendin tim pas luftës, ku ishin krijuar mundësi për njerëzit me mundësi më të mëdha dhe ku mbizotëronte formula e ekonomisë së globalizuar, ku i varfri duhet të shkatërrohet dhe i pasuri apo i forti duhet të forcohet edhe më tepër. Kjo vlente për mua, nëse shihja shoqëritë e ngritura ekonomikisht, por kurrsesi nuk vlente për atë që kishte kapluar Kosovën, me një ekonomi të shkatërruar dhe një varfëri tepër të lartë. Mbi 40% e popullatës jetonte në varfëri, ndoshta edhe në mjerim, ku të ardhurat për frymë ishin shumë të ulta, ku asgjë nuk funksiononte, ku vetëm një pjesë e vogël e njerëzve kishin mundësi të punojnë, ndërsa mbi 60-70% e popullatës ishte e papunë. Sigurisht, të rrija duarkryq në liqenin e Luganos dhe të shikoja nga jashtë këtë situatë, do të ishte një vrazhdësi shumë e madhe dhe brutalitet nga ana ime.

Alban Dudushi: Unë kam qenë në atë periudhë, kur herë pas here përmendej emri juaj si një biznesmen i fuqishëm. Njerëzit kishin shumë shpresa se ndërhyrja juaj në ekonominë e Kosovës mund të sillte një zhvillim më të shpejtë. Për njerëzit, ndoshta do të ishte më me interes që ju të vinit në dispozicion paratë tuaja në formë investimesh në Kosovë, se sa prezenca juaj në politikë…?

Behxhet Pacolli: Nuk di nëse do të ishte e drejtë së pari, që paratë e tua t’ia jepje për menaxhim dikujt tjetër, për arsye se unë e ndaj të mirën nga e keqja shumë bukur, di si kalohet lumi sepse e kam kaluar atë, dhe të fusësh paranë tënde diku, ku edhe vet nuk je i sigurt se ajo do t’i kontribuojë dikujt është e vështirë. Ndaj konsideroj se hyrja ime në spektrin politik të Kosovës i ka kontribuar vendit, apo asaj pjese që mendon ndryshe dhe që nuk është kapluar nga doktrinat e patriotizmit dhe ta quajë pervers. Por, ka dhe njerëz që e shikojnë AKR-në vetëm nga ekonomia, nga puna. Ju e dini mirë se nga puna vjen edhe mirëqenia, aty ku ka mirëqenie ngrihet edhe vetëdija e qytetarëve. Në këtë drejtim them se në Kosovë kam parë njerëz të suksesshëm, nuk janë shumë, kam parë të tjerë që pretendojnë të jenë politikanë të suksesshëm dhe të vetmin burim jetësor e kanë vetëm prej politikës, ndërsa unë jam një njeri që falë zotit dhe punës time, jeta ime politike ka ardhur me një mirëqenie të krijuar dhe asnjëherë nuk e kam parë dhe nuk e shoh politikën si burim jetësor për mirëqenien time.

Alban Dudushi: Në fakt ky është një dyshim i arsyeshëm për ata njerëz, që të vetmin burim jetese kanë politikën, dyshimi është i arsyeshëm që ata janë më të ekspozuar ndaj fenomeneve të caktuara që kanë të bëjnë me korrupsionin, etj., çështje apo plagë që kanë prekur Kosovën. Por, nga ana tjetër, shumë njerëz dyshojnë se një njeri i realizuar në aspiratat e veta ekonomike, me fuqinë financiare që ju keni, politikën në fakt e ka një lloj hobi, apo kapricoje, ta provoj dhe këtë dhe derisa kam qenë i suksesshëm andej, përse mos jem edhe këtej.

Behxhet Pacolli: Po të isha në disa shtete shumë të zhvilluara, siç janë disa prej vendeve të Europës Perëndimore, apo SHBA-të, do të thoja se ndoshta do të kishin të drejtë. Unë veproj në një shtet që nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë rëndësi politike asnjëherë. Ne mundemi ta rreshtojmë këtë shtet aty ku janë edhe shoqëritë civile, vetëm me punë dhe kurrsesi me mendime të ndryshme politike, për arsye se ne nuk jemi në gjendje të krijojmë politika që do të dominojnë apo do të ndryshojnë politikat globale. Ne jemi më të mirët, nëse punojmë dhe ngrihemi falë punës sonë, nëse rrisim mirëqenien për qytetarët tanë dhe që këta të kenë një shans për të qenë të respektuar vetëm falë ekonomisë së tyre. Kjo sepse, siç e thashë, me ngritjen ekonomike vjen edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve dhe ndjenja për të respektuar tjetrin e për të pritur respekt prej tij. Mos harroni se këtë fenomen që përcjellin klasat si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri, mund ta ndryshojë vetëm një mendim ndryshe. Më vjen mirë gjithashtu që vetëm pak ditë më parë ndjeva nga një njeri shumë i rëndësishëm i politikës shqiptare, atë që do të doja ta dëgjoja prej shumë kohësh, i cili tha se ‘ne deri tani kemi luftuar njerëzit e pasur, ata që kanë më shumë mundësi se sa njerëzit e rëndomtë, ndërkohë që në fakt duhet t’i mbështesim ata, pasi vetëm kështu do të mund të bëhet e mundur që ata të krijojnë më shumë mirëqenie për të tjerët që s’kanë mundësi. Dhe kjo gjë do të sillte më pas të mira për njerëzit e përfshirë, për komunitetin, për vendin e për kombin.

Alban Dudushi: Dhe e keni fjalën për zotin Edi Rama?

Behxhet Pacolli: Ai e tha këtë para një forumi të biznesmenëve në Pejë dhe më la shumë përshtypje, pavarësisht se nuk isha aty. Ndaj, sinqerisht, mund të them se kam një besim se gjërat do të ndryshojnë. Një gjë tjetër që po ndodh në Kosovë, nga vit 2007 kur kam hyrë në spektrin politik të Kosovës, secili e ka pasur të qartë nëse do të ishte i sinqertë dhe do të besonte, virtyte që duhet të mbizotërojnë mes njerëzve. Unë kam thënë se hyrja ime në politikë nuk do të thotë përfitim ekonomik apo politik për mua, por kam ardhur të vë në dispozicion eksperiencën time. Unë e shpreha eksperiencën edhe në manifestin e partisë AKR dhe ky program prej dikujt u lexua, ndërsa prej shumëkujt nuk u lexua, as nga ata që debatonin mbi programet politike. Ky program është publikuar në internet, i përkthyer në anglisht dhe në shqip dhe u publikuan broshura tërheqëse, por nuk u lexuan. Duhet të kalonin diku te 7 vite që dikush të rikthehej dhe t’i trajtonte këto teza. Këtu shihet se unë kam pasur një vizion ndryshe për Kosovën, edhe tani kam një vizion tjetër, për këtë do të më vinte shumë keq, nëse nuk do të më jepej mundësia ta vija në dispozicion të zhvillimit të kësaj shoqërie.

Alban Dudushi: Të kthehemi pak në disa qasje që ju keni në lidhje me ekonominë e Kosovës, që i përmendët edhe në fillim. Qasja juaj ndaj privatizimit. Ju jeni miliarder, keni të gjitha burimet financiare, por jeni kundër Agjencisë së Privatizimit atje, madje shkoni edhe më tej dhe mbështesni një lloj partneriteti midis privatit dhe publikut. Ma shpjegoni pak këtë.

Behxhet Pacolli: Është jo e sinqertë të besohet se unë kam ardhur të zaptoj ekonominë e Kosovës. Së pari sepse ka një fuqi blerëse shumë të ulët dhe Kosova nuk është treg atraktiv për mua. Është vështirë të besohet gjithashtu se kompanitë e mia në Kosovë, të cilat janë të njohura për nga kualiteti, do të krijonin në Kosovë një perspektivë të përfitimit. Në Kosovë, te kompanitë e mia unë kam punësuar sot diku te 2500 punëtorë, në sektorin bankar, të sigurimeve dhe në prodhimtari, bujqësi etj. E dini mirë se jashtë janë edhe rreth 9000-10000 të tjerë dhe krenohem me këtë që kam bërë për vendin tim, për familjet e vendit tim dhe të kombit tim, sepse kam të punësuar edhe shumë nga Shqipëria, të cilët i falënderoj për eksperiencën e tyre sidomos në ndërtimtari. Po të isha ai që synoja të privatizoja apo të vija kontrollin mbi ekonominë e Kosovës, unë e kam vendin e duhur të shkoj tek Agjencia e Privatizimit e të blej apo të stërblej aty. Por nuk e bëj këtë sepse ajo është një agjenci famëkeqe, kriminale, që e ka varfëruar Kosovën deri aty sa ka provokuar papunësi dhe varfëri në Kosovë.

Alban Dudushi: Ju nuk blini aty, por jeni zv/kryeministër i vendit dhe këto akuza i bëni si biznesmen më shumë se sa zv/kryeministër, ndërkohë që keni mekanizma për të vepruar.

Behxhet Pacolli: Unë i përgjigjen drejtpërdrejt atyre njerëzve që më akuzojnë. Unë jam aksionari kryesor i kompanive të mia dhe nuk kam hequr dorë prej aksioneve të mia, pavarësisht se kam hequr dorë nga menaxhimi dhe tani përgjigjem thjesht si aksioner kryesor. Kompanitë e mia e refuzojnë mënyrën e privatizimit të ekonomisë së Kosovës. Në disa raste, dikush ka blerë, e ka përvetësuar dhe më pas ma ka shitur mua. Një fabrikë që është privatizuar për 3 milionë euro, unë e kam blerë pas 5 viteve për 12 milionë e 500 mijë euro, për arsye se e di që ajo është vlera e përafërt me atë që është dashur të privatizohej që në fillim. Kështu ka ndodhur edhe me shumë gjëra të tjera të privatizuara nga kompanitë e mia, kuptohet prej dorës së dytë dhe jo prej Agjencisë së Privatizimit. E urrej këtë agjenci, sepse një njeri që me 1 milionë euro ka pasur mundësi të bëjë diçka, atë njeri kjo agjenci e ka bërë edhe kandidat për të qenë i varfër, sepse paratë janë marrë, ato para nuk mbesin në qarkullim në Kosovë dhe kjo dihet nga të gjithë, por kanë shkuar jashtë dhe punojnë për fondet e nuk e di se kujt. Ndërsa Kosova mbetet me pamundësi, pa objektin apo fabrikën që është shitur dhe pa parà. Kështu, pronari i ri duke mos pasur mundësi, gjëja e parë që ka bërë është mbyllja e dyerve të fabrikës, duke e kthyer atë në ndonjë restorant, lokal, a diçka tjetër. Në vitin 2007 kam thënë ndal kësaj agjencie, kam thënë se dora e saj duhet të ndalet. Kam parë edhe keqtrajtime të kompanive publike, që paraqesin ndjenjë shpirtërore kur dihet se baballarët tanë kanë punuar aty. Ne jemi duke shfrytëzuar ndërtimet e njerëzve të asaj kohe, duke mos ndërtuar asgjë të re vet, përfshi këtu edhe burimet elektrike, edhe godinën e Kuvendit.

Alban Dudushi: Më sqaroni diçka, ju jeni brenda qeverisë si opozitar?

Behxhet Pacolli: Jam në qeveri për një arsye, që Kosova të mos ketë vakuum institucional. Besoj se po të mos ishim ne të gatshëm edhe përballë sakrificave tona apo të miat personale, vendi do të shkonte edhe për 8 muaj në një vakuum institucional dhe drejt zgjedhjeve të reja. Ne jemi shumë vonë, duhet të ecim shumë shpejt, pavarësisht se mirë apo keq, me elegancë apo jo, ne duhet të ecim përpara. Ky është shkaku pse jam pjesë e kësaj qeverie dhe kam vendosur që të veproj brenda kësaj kornize me atë që mundem dhe atë që di.

Alban Dudushi: Në rast se prezenca juaj është kaq kushtëzuese për qeverinë…

Behxhet Pacolli: Ishte, sigurisht nuk do të jetë në të ardhmen, por ishte kushtëzuese…

Alban Dudushi: Pikërisht në këtë periudhë ju keni pasur mundësinë që edhe përmes kushtëzimit të arrinit të realizonit më tepër nga idetë tuaja. Kujtoj se së fundi kemi zonat e lira, kemi trajtimin e Trepçes, etj., në një kohë që e dimë se qeveria do të shkrihet shumë shpejt në fund të Majit apo në fillim të Qershorit, kur kemi zgjedhjet.

Behxhet Pacolli: Zonat e lira ekonomike, një ide e vjetër e AKR, u bë pas shumë insistimeve. Ligji për Trepçën, po ashtu i vjetër, është jetësuar tani dhe për këtë jam i lumtur, për arsye se Trepça kishte një shans të jetë një viktimë e madhe. Tashmë do të jetë një kompani publike dhe do të shkojë 100% nën transparencën e Parlamentit të Kosovës. Nuk ka privatizim apo koncensionim të minierave të Kosovës, por do të trajtohen sipas ligjeve të mineraleve gjerësisht të firmave që i përkasin ekonomisë së globalizuar. Ashtu do të trajtohet Trepça, nëse qeveria e re do të ketë respekt dhe guxim për t’i menaxhuar ato.

Alban Dudushi: Dua të flasim edhe për nja dy gjëra që kanë të bëjnë me diplomacinë. Jeni aktivizuar shumë, në periudhën që ju ishit në qeveri si zv/kryeministër i Kosovës, në çështjen e njohjes së Kosovës, një lloj diplomacie personale, ekonomike. Shpesh herë jeni akuzuar se nuk keni bërë gjë tjetër, veçse keni miksuar interesat ekonomike tuaja me vendet ku keni shkuar, kryesisht vende diktatoriale, me atë që është njohja e Kosovës.

Behxhet Pacolli: Jam i lumtur që ka ndodhur diçka, që si rezultat ka ardhur suksesi i fituar me punë, me shumë dashuri dhe shumë interes. E di se pas shpalljes së Pavarësisë është vënë në luhatje qendrueshmëria e shtetit të Kosovës dhe është marrë si shembull Tajvani, që prej disa vitesh nuk ka mundur të sigurojë më shumë se 26 njohje. Madje është shumë e vrazhdë edhe nga Serbia, që gjithmonë thoshte se Kosova është njohur vetëm prej disa shteteve të vogla dhe nuk do të jetë asnjëherë shtet. Nga qeveritë e shkuara është përfolur gjithmonë se ata do t’ia arrinin 100 njohje dhe këto nuk qendronin, as ato që pretendonte dikush nga qeveria serbe. Unë kam përveshur mëngët dhe kam shfrytëzuar gjithë bagazhin tim çfarë kam, pa harxhuar asnjë cent të buxhetit të Kosovës, asnjë kilogram benzinë nga ai buxhet, as pagë për mua dhe as shpenzime udhëtimi. Përkundrazi kam marrë aeroplanin tim dhe jam nisur drejt botës. Madje kam shkuar edhe në Afrikë, ku asnjë vend nuk e kishte njohur përveç Senegalit, nëse s’gaboj. Duke ditur rëndësinë e madhe të kontinentit të Afrikës, mendoj se ai do të jetë kontinenti i së ardhmes për shkak të pozitës gjeo-strategjike, por edhe pasurive të saja, kam punuar shumë dhe kam sjellë mbi 27 njohje vetëm nga ky kontinent.

Alban Dudushi: Si keni arritur t’ua mbushni mendjen?

Behxhet Pacolli: Kam pasur njohje edhe nga Amerika Latine, gjerësisht nga Amerika Qendrore, dhe nga Oqeania. Sinqerisht, të udhëtosh me një pasaportë të një shteti që nuk e njihte askush, do të ishte e paimagjinueshme. Mua më ka ndihmuar edhe fakti që kam udhëtuar së bashku me një pasaportë të një vendi tjetër. Ndoshta ka ndihmuar dhe vullneti i njerëzve që kanë përpiluar Kushtetutën e Kosovës, që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të mbajnë edhe dy pasaporta. Kam pasur fatin të përdor këtë pasaportë të dytë por edhe gjithë bagazhin tim të krijuar gjatë këtyre viteve, ekonomik sidomos, gjë që të mundëson hapjen e dyerve gjithkund nëpër botë. Është shumë me rëndësi që të udhëtosh, por derën pas ta lësh hapur, pasi ajo mund të vlejë për t’u kthyer sërish mbrapsht. Mua ato dyer për Kosovën më janë nevojitur, dyert i kam pasur të hapur dhe kam synuar të takoj direkt krerët e shteteve, presidentë apo kryeministra. Kam vizituar mbi 49 shtete, jam takuar me mbi 39 presidentë, duke i sjellë Kosovës 26 njohje vetëm nga Afrika dhe diku te 11 njohje nga vendet e tjera. Unë kam qenë i dashuruar me punën time.

Alban Dudushi: Keni pasur interesa financiare në këto vende ku keni vajtur? Keni pasur biznese tuajat apo keni folur për biznes përveç se për Kosovën?

Behxhet Pacolli: Unë u jam dashur thuajse të gjithëve në botë, mjafton të hapim uebsajtin e kompanive të mia dhe aty çdo gjë është e qartë. Në të vërtet, nëse dikush kërkon kontakte me presidentin e një vendi, shikohet së pari se çfarë ka bërë, duke i ofruar dokumentacionin për atë se çfarë unë përfaqësoj. U është raportuar edhe dokumentacioni për atë se çfarë përfaqësoj unë tani si qeveritar, si njeriu i dytë i qeverisë së Kosovës, por trampolina ka qenë, le ta kuptojë dikush drejt apo për keq, kompania ime që e kam ndërtuar për 40 vjet me radhë. Kjo gjë më ka lehtësuar mua vajtjet, për shkak se askush nuk ka pasur interes të njohë Kosovën, ata kanë pasur interes të bashkëpunojnë me Behxhet Pacollin. Normalisht gjatë bisedës dhe trajtimit të çështjes, ne kemi ardhur shumë shpejt te problemi i njohjes, të cilën shumë prej tyre nuk kanë mundur ta refuzojnë. Disa edhe kanë premtuar, por nuk e kanë realizuar deri më tani, por shumica kanë ardhur dhe janë evidente, ndaj dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk do ta ketë të vështirë të bashkëpunojë dhe të zhvillojë marrëdhëniet diplomatike.

Alban Dudushi: Më bën përshtypje idea juaj për një lloj unioni ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, një lloj bashkimi i hapësirave shqiptare. Një ide që ka qenë gjithashtu edhe nga i ndjeri Arbën Xhaferri, që për hir të së vërtetës nuk ka pasur ndonjë simpati shumë të madhe për ju dhe me kalimin e kohës, sidomos në fund, jeni afruar me zotin Xhaferri.

Behxhet Pacolli: Sigurisht që e kam respektuar shumë atë njeri dhe i përkulem sidomos ideve të tij. Unë nuk jam njeri “pushtues” që të shkoj e të trokas në derë dhe që të më hapin derën, por e lë çdo gjë të marrë kohën e vet. Edhe pse e dija që Arbën Xhaferri me vëllezërit e mi kanë pasur një miqësi, për shkak se jetonin afër njëri-tjetrit, unë nuk kam dashur kurrë të përfitoj prej tij. Ka ardhur momenti kur ai ka dëgjuar mirë idetë e mia, ka dëgjuar edhe eksponimin tim në Parlamentin shqiptar, në Shqipëri, gjë të cilën nuk e konsideroj si gabim por si diçka që është dashur të ndodhë, edhe pse e dija se ekzistonin pasojat për mua. Është dashur që dikush ta thotë në mënyrë institucionale ta thotë se ky vend nuk mund të mbijetojë duke mbetur i mbyllur, siç kemi qenë prej shumë vitesh. Edhe në javën e parë të mandatit të parë si President kam sfiduar Veriun, herën e parë pas 13 viteve, asnjë njeri nga institucionet e Kosovës nuk ka guxuar të shkojë atje. Unë kam thirrur ministrin e Punëve të Brendshme dhe i kam kërkuar nëse mund të më shoqëronte për atje, nëse jo do të shkoja vet. Kam shkuar sepse atje kam shpirtin tim dhe ku ndodhet shpirti im unë nuk i frikësohem askujt. Unë jam edhe besimtar te Perëndia dhe e di se pa urdhrin e atij, askush nuk mund të bëjë asgjë. Kam besuar se do të shkoja atje për një qëllim të mirë dhe e kam sfiduar, jo vetëm 1 herë, sepse kam shkuar edhe 2 herë të tjera, kam vizituar pikat kufitare dhe jam kthyer. Edhe idea ime për bashkimin ekonomik dhe kombëtar ka qenë e qëlluar dhe insistoj edhe sot se është e vetmja rrugë, e cila do të harmonizojë të gjitha kërkesat e të gjithë shqiptarëve në rajon.

Alban Dudushi: Patriotizmi juaj, që dua ta quaj si një lloj patriotizmi të moderuar, në ndryshim nga të gjithë termat romatike të patriotizmit, përsëri tingëllon i çuditshëm duke ditur se ju keni bashkëpunuar me Moskën, keni rindërtuar Kremlinin, keni bashkëpunuar me shumë vende të tjera të ish-Bashkimit Sovietik gjithashtu. Keni një lloj marrëdhënie të hapur me botën sllave, e cila duket se nuk i pëlqen shumë ambientit shqiptar.

Behxhet Pacolli: Të sfidosh një treg siç është Rusia ka qenë një sfidë e madhe dhe nuk kam qenë i vetmuar. Kam pasur një konkurrencë, nëse flisni për kontratë specifike që ka kapur shumën prej mbi 2 miliardë e gjysmë dollarë, unë nuk kam qenë i vetmuar në atë ofertë, por kam pasur edhe nja 400 firma që synonin të hynin aty dhe që nuk kanë qenë të Shqipërisë, por të vendeve demokratike që e ndihmonin Kosovën, si SHBA-të, Britania dhe vendet e Europës Perëndimore. Do të ishte absurde sot nëse do t’i thoja dikujt se nuk ka qenë akt patriotik, që të shkosh e të hapësh edhe ato dyer që jo kushdo mund t’i hapë. Kam hapur ato dyer që 1 njeri ndoshta në 3 milionë vjet jetesë mund ta bëjë. Unë e kam bërë me dinjitet, me krenari, me njerëzit e Shqipërisë e të Kosovës, kemi punuar dhe puna ime nuk është bërë gratis. Nuk ua kam falur atë punë, por siç e dini edhe nga shtypi, kushdo që ka dashur të punojë me mua është dashur të paguhet edhe çmimi i duhur për të punuar. Nuk e mohoj se një karrige e konferencave është shitur edhe 50 mijë dollarë. Ai është çmimi im, nëse duan ta paguajnë në rregull, përndryshe le ta marrin prej italianëve ose tjetërkujt. Unë e kam bërë dhe nuk jam penduar kurrë për një gjë të tillë, madje nëse përsëritej një kërkesë e tillë sërish do ta ribëja, për arsye se ato parà kanë ardhur në trojet shqiptare dhe u janë shpërndarë familjeve shqiptare, përfaqësuesit e të cilëve punonin atje. Do të ishte një krim për dikënd, nëse do të mendonte t’i linte njerëzit e vet rrugës, atëherë kur Miloshevici i dëbonte nga puna dhe mos kujdesej për ta. Unë jam përkujdesur për ta, edhe nëse secilin prej tyre mund ta kisha zëvendësuar me punëtorë rusë, pagën e të cilëve do ta paguaja 10 herë më pak se atë që kam paguar për kosovarët. Nëse mendoni se ky nuk është akt patriotik, do t’i thoja kujtdo se është i çmendur dhe nuk ka lidhje me jetën dhe humanitetin.

Top Channel