‘Rusia furnizon Iranin me pjesë dronësh përmes Detit Kaspik’, New York Times: Po shmanget Ngushtica e Hormuzit dhe sanksionet
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qendrën e Milanos në orët e para të mëngjesit të 8 prillit, ku një vajzë e re denoncoi se ishte viktimë e një sulmi seksual pranë zonës Largo La Foppa, pas një nate të kaluar në një klub nate në qytet.
Sipas hetimeve të policisë, dy vëllezër me origjinë ukrainase, njëri prej tyre i mitur dhe tjetri 21 vjeç nga Cinisello Balsamo, dyshohet se kanë sulmuar të renë dhe shoqëruesit e saj. Gjykatësi Angelo Carboni ka vendosur masën e paraburgimit për 21-vjeçarin, ndërsa i mituri akuzohet si autori kryesor i dhunës seksuale.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur viktima dhe dy miqtë e saj po largoheshin nga një klub në zonën Corso Como. Sipas dëshmisë së vajzës, dy të rinjtë iu afruan fillimisht duke u kërkuar cigare dhe më pas i ofruan drogë, ofertë që u refuzua.
“Papritur njëri prej tyre më kapi me forcë për krahu dhe më tërhoqi zvarrë drejt Viale Francesco Crispi, derisa humba kontaktin me miqtë e mi”, deklaroi ajo para hetuesve.
Sipas prokurorisë, i mituri tentoi ta detyronte vajzën të kryente akte seksuale dhe e preku në pjesët intime kundër vullnetit të saj. Sulmi u ndërpre falë ndërhyrjes së shoqes së viktimës, e cila dëgjoi britmat e saj: “Ai do të më përdhunojë”.
Shoqja e vajzës u përpoq ta ndihmonte, por sipas dëshmisë së saj, u pengua nga vëllai tjetër, i cili mbante larg edhe një të ri tjetër që ndodhej me grupin. Më pas ajo u godit fizikisht dhe iu grabit çanta, ndërsa dy autorët u larguan me vrap nga vendi i ngjarjes. Policia arriti t’i identifikojë falë kamerave të sigurisë që filmuan pothuajse të gjithë episodin. Hetimet zbuluan se të dy vëllezërit kanë precedentë të shumtë penalë.
I mituri rezulton i përfshirë më herët në raste dhune, kërcënimesh, ndjekjeje dhe vjedhjeje, ndërsa 21-vjeçari ka precedentë për grabitje, posedim armësh, dëmtim prone, sulm seksual dhe përndjekje. Mes rasteve të përmendura në dosje është edhe një incident në një dyqan Sephora, ku ai dyshohet se kishte puthur me forcë një shitëse kundër vullnetit të saj. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Top Channel