Gjoka: Urojmë që Rusia të njohë Kosovën

19/03/2014 00:00

Zhvillimet e fundit sa i përket krizës së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Federata Ruse, kanë shkaktuar reagimin e ashpër të zv/presidentit amerikan Joe Biden, si dhe të përfaqësuesve më të lartë të vendeve të Perëndimit.

Ndërkohë, në një intervistë nëpërmjet “Skype”, ambasadori i Shqipërisë
në Moskë, Sokol Gjoka, ka folur rreth situatës në Moskë dhe ndikimit që
mund të kenë zhvillimet e fundit sa i përket njohjes së Kosovës nga Rusia.

Pandi Gjata: A ka zhvillime të reja në Moskë, gjatë këtyre orëve të mbrëmjes?

Sokol Gjoka: Nuk mund të them se ka zhvillime të reja, por ngjarjet e fundit kanë destabilizuar jo vetëm jetën politikë këtu në Rusi, por edhe atë mediatike dhe diplomatike gjithashtu. Natyrisht ka qenë një ngjarje kryesore, ishte diçka që nuk pritej, por shpejtësia e kryerjes së veprimeve nga ana e Rusisë dhe ndarja e Krimesë nga Ukraina për t’iu ribashkuar Rusisë dëshmojnë se këtu kishte disa gjëra të paracaktuara. Normalisht është cënuar tërësia territoriale e një vendi tjetër, kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe kanë rënë ndesh edhe me parimet kushtetuese të Ukrainës.

Pandi Gjata: Rusët vet, në opinionin e përgjithshëm, a ndihen triumfatorë me këtë gjë që ka ndodhur në Krime? Opinioni rus, përtej politikës…

Sokol Gjoka: Kam përshtypjen që një pjesë e konsiderueshme e Rusisë ndjehet e ekzaltuar për këtë bashkim, pasi këta kanë argumentet e tyre, por në të njëjtën kohë ka edhe një pjesë të popullsisë që e ka kundërshtuar. Dhe jo shumë larg në kohë, para pak ditësh, pati edhe një protestë kundër politikave të Rusisë në drejtim të Ukrainës, në Krime, që përfshiu disa dhjetra-mijëra qytetarë kundërshtues të aneksimit të një pjese të Ukrainës.

Pandi Gjata: Shqipëria është një nga ato vende që kundërshtuan referendumin e Krimesë, madje tha që nuk do ta njohë si shumë vende të rëndësishme të mbarë botës. Pas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, a jeni thirrur ju apo përfaqësues të Ambasadës sonë në Moskë në Ministrinë e Jashtme ruse, për të mësuar më shumë për qëndrimin e Shqipërisë, si aleate e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së?

Sokol Gjoka: Jo, nuk jemi thirrur në Ministrinë e Jashtme apo në institucionet ruse. Natyrisht që vendimet e secilit vend në botë, ashtu si dhe ato të Shqipërisë, janë vendime sovrane të shteteve përkatëse, sipas politikave që ato ndjekin. Janë vendime që reflektojnë në zhvillimet e veçanta që ndodhin në rajone të ndryshme, por ndonjëherë edhe për zhvillime të rëndësishme. Ne, këto zhvillime i ndjekim nga afër, me shumë vëmendje, sepse kanë të bëjnë me rendin botëror dhe që mund të ndikojnë apo të përdoren si precedentë të problematikave të tjera, qoftë për rajonin që po flasim, ashtu dhe për rajone të ndryshme të botës.

Pandi Gjata: Një pyetje të fundit… Nëse do të ketë një qëndrim, por nuk besoj të ndodhë, kur Rusia dhe Moska zyrtare hoqën një paralele mes asaj që ndodhi në Krime me Kosovën, a kemi shenja që Kremlini mund të njohë Pavarësinë e Kosovës?

Sokol Gjoka: Gjej rastin për të thënë se paralelja e hequr mes zhvillimeve në Krime dhe ato në Kosovë nuk qëndron. Për vet faktin se shkëputja e Kosovës nga Serbia erdhi si pasojë e një politike të dhunshme, represioni të hapur dhe një politike spastrimi që u ndërmor ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Nga ana tjetër, platforma historike, ‘background’-i politik, religjioz, kulturor, etj., ishin të ndryshëm sa i përket Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Nga ana tjetër, ishte problematika që u krijua me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, e cila bëri që edhe Kosova, e përfshirë në të në një kohë të caktuar të zhvillimeve historike, të mos qëndronte brenda kuadrit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Pandi Gjata: Një batutë të fundit, a do ta njohë Rusia shtetin e Kosovës?

Sokol Gjoka: Besoj se sa për batutë, në bazë të rregullit të treshit duhet të funksionojë. Urojmë që Rusia ta njohë pavarësinë e Kosovës!

Sfida më e fortë e NATO-s
Krimea, pjesë e Rusisë. A do të ketë precedentë të tjerë?

Zhvillimet e rëndësishme ndërkombëtare dhe përballja e re mes Perëndimit e NATO-s dhe Rusisë, në anën tjetër, pas referendumit në Krime dhe bashkimit të saj me Rusinë, kanë kaluar edhe në lupën e analistit Afrim Krasniqi.

Pandi Gjata: Si e shikoni këtë rend të ri, këtë gjeografi pas asaj që ndodhi këtë të diel, referendumit në Krime. Cfarë ka krijuar të re në aspektin gjeopolitik?

Afrim Krasniqi: Është krijuar një situatë e paparashikuar nga askush, as nga emrat më të njohur si Henry Kissinger, që përpara 10 ditësh nuk e parashikonte se situata do të shkonte deri në këtë pikë, duke pretenduar se Rusia do të kishte një përmbajtje tjetër dhe ajo që quhet si partneritet aktiv mes Perëndimit dhe Lindjes do të respektohej edhe në këtë rast. Fakti që gjërat kanë avancuar kaq shumë, do të thotë se konflikti ka shkuar në atë pikë sa që mund të përbëjë rrezik për sigurinë europiane dhe atë globale. Tashmë janë në debat efektiviteti i SHBA-ve dhe NATO-s, por dhe BE-së, në raport me Rusinë, si dhe rreziku se efekti domino do të shoqërojë edhe kriza të tjera të vogla, shoqëruese të konflikteve të kufijve midis vendeve të NATO-s dhe atyre që bëjnë pjesë në influencën sovietike.

Pandi Gjata: Qëndrojmë te deklarata e zv/presidentit amerikan Biden, shumë e ashpër, teksa e quajti një sulm të pacipë të Rusisë në Ukrainë… Por foli edhe për një krizë, ndër më të thellat, të NATO-s nga ku, sipas Biden, kjo Aleancë do të dalë edhe më e fortë. Edhe Shqipëria është e përfshirë në NATO, ndaj dhe si jemi ne të inkuadruar në gjithë këtë zhvillim global?

Afrim Krasniqi: Është i njëjti skenar i ndjekur nga Stalini, kur mori të gjithë regjimet në të gjithë vendet e Europës lindore, duke dërguar ushtrinë e duke futur më pas grupin e pasuesve të vet që përkrahnin në atë kohë Bashkimin Sovietik, burra që thonin se po mbështesin qytetarët e tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe në Krime, ku ushtria hyri në terren dhe organizoi gjithcka, që nga “pushtimi” e deri te referendumi, e drejtori, menaxhoi votat dhe shpalli rezultatin. Është një skenar i përsëritur dhe në të kaluarën ka dhënë efekte dramatike për Europën. Në këtë kuadër, ky lloj shqetësimi bëhet edhe më i madh, sepse duke u vendosur dy fuqitë më të mëdha përballë njëra-tjetrës, sidomos pas fjalimit të sotëm të Putin në Rusi, u tregua se palët janë shumë të diferencuar nga njëri-tjetri. Mesazhi kryesor amerikan nuk i drejtohet thjesht dhe vetëm Krimesë, por tashmë rrezikohen edhe vendet e tjera kufitare, ish-pjesë e Bashkimit Sovietik, sidomos republikat që do të vizitohen prej tij siç janë Republikat Baltike dhe Polonia. Citimi i drejtpërdrejtë i NATO-s dhe nevoja për një politikë të re, për një plan pune të ri të Aleancës në këtë lloj situate është një detyrim, për shkak se neni 5 i NATO-s detyron vendet të kenë një aleancë të përbashkët, të organizuar, nga çdo lloj sulmi ndaj një vendi anëtar, siç supozohet se mund të ndodhë, dhe nga ana tjetër është forca e sigurisë euro-atlantike që i takon të luajë një rol specifik. Shqipëria në këtë histori është një vend modest i NATO-s, kështu që do i përgjigjet çdo lloj detyrimi që ka, por nuk mban një peshë specifike në raport me vendet kryesore.

Pandi Gjata: Kemi një lajm, një zhvillim të fundit që na vjen në këto orë. Një referendum online nga Venecia, që kërkon shkëputjen nga Italia. A ka një efekt domino ajo që ndodhi në Krime, që mund të shtrihet ngado, por edhe shumë pranë nesh?

Venecianët po votojnë për të vendosur shkëputjen ose jo nga Italia dhe për ta bërë Venecian e rajonin e Venetos, një republikë të Pavarur dhe sovrane. Votimi, që nisi online më 16 Mars dhe do të përfundojë të premten, më 21 Mars, nuk është ligjërisht i detyrueshëm, sepse Italia njeh vetëm referendumet në rang kombëtar. Aktivistët presin rreth 2 milionë persona të marrin pjesë, ndërsa sondazhet tregojnë se 2/3-at e popullsisë janë pro ndarjes nga Roma. Ndërsa referendumi gjen fillesat në nacionalizmin e lashtë venecian, duket se iniciativa shtoi forcë nga lëvizjet në Skoci dhe Katalunjë. Venecia ka qenë shtet i pavarur për një shekull, si pjesë e Republikës së Venedikut, deri sa u mor nga Napoleoni në vitin 1797.

Afrim Krasniqi: Fillimisht duhet të kuptojmë që ngjarjet në Krime nuk janë çështje hobesh personale dhe nisme individuale, siç mund të ndodhë sot në Itali, në Francë, mund të ndodhë nesër në Shqipëri, apo në ndonjë vend tjetër të rajonit. Kemi të bëjmë me gjeopolitikë dhe takim të superfuqive. Krimea ka qenë gjithmonë në atë që quhet zonë e interesave strategjike ruse dhe, vet fakti që ata zgjodhën mënyrën më të dhunshme për ta marrë Krimenë, do të thotë se ata ishin të gatshëm për t’u përballur me Perëndimin. Fjalimi i sotëm i presidentit Putin është një platformë e qartë e Rusisë për një politikë të re globale. Ata thanë që “Perëndimi na ka shtrënguar, deri sa nuk na kanë respektuar, nuk na kanë parë si fuqi, nuk na kanë pyetur. Sot është koha për t’i dhënë përgjigje”. Sot ata e shpallën veten si pjesë e dytë e botës dhe në këtë këndvështrim, konflikti nuk është thjesht për një territor të caktuar, por midis dy botëve të ndryshme dhe dy modeleve të ndryshme. Konflikti mund të përqendrohet te problemet e atyre republikave që mund të shkaktojnë konflikt botëror dhe kur preken interesa gjeostrategjike europiane, siç janë Republikat Baltike, Polonia apo dhe Moldavia, Gjeorgjia dhe vet Ukraina, atëherë konflikti do të ishte i pashmangshëm dhe pasojat do të ishin të jashtëzakonshme. Në këtë lloj situate, zërat e arsyeshëm në Rusi dhe në politikën ndërkombëtare do të duhej të gjenin të gjithë mekanizmat e duhur për të parandaluar agravimin e një situate të tillë. Fakti që BE nuk është e përgatitur për këtë dhe fakti që diskutohen ende masa jo shumë me rëndësi, siç janë regjimi i vizave për një numër zyrtarësh apo bllokimi i parave, përbën një çështje problematike. Kemi rastet e dy vendeve të BE-së, Bullgarisë dhe Qipros, që sipas Gjermanisë janë ende edhe sot skeptike në raport me një politikë të ashpër ndaj Rusisë. Kjo sepse në rastin e Qipros, Rusia ishte një nga financuesit kryesorë për përballimin e krizës. Suksesi kryesor i Perëndimit në këtë rast do të matet nëse do të jenë të bashkuar dhe do të kenë një plan strategjik. Vet ftesa e Barack Obama-s për G7, përfshi edhe vende si Japonia e Kanadaja, dhe ardhja e tij në Europë do të thotë se do të kemi një përgjigje të qartë, të dukshëm, dhe që mund të jetë edhe vendimi final i Perëndimit në raport me Rusinë.

Pandi Gjata: Kur ju pyeta për referendumin online të Venecias për shkëputjen nga Italia, iu referova dhe rrjeteve sociale, ku kanë qenë të shumtë shqiptarët që kanë përshëndetur Vladimir Putin, për faktin se me atë që ndodhi në Krime do të kërkojnë referendume për të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët, nga Mali i Zi, nga Presheva, Maqedonia e kudo ku jetojnë shqiptarë, për t’u bashkuar me Shqipërinë, tashmë që kemi një standard të ri të krijuar nga Moska. Si e shihni këtë zhvillim që na përket neve?

Afrim Krasniqi: Gjeopolitika nuk është kurrë çështje populizmi dhe jo e nivelit të qytetarëve të zakonshëm, por një çështje ekspertësh dhe strategjish të mëdha. Në këtë këndvështim ka një keqkuptim të madh. Nuk është se Rusia përmendi Kosovën sepse dëshiron që ajo të jetë një shtet më vete, një entitet, dhe të bashkohet me Shqipërinë. Përkundrazi, Rusia nuk e ka njohur asnjëherë vendimin ndërkombëtar, përfaqësinë e Kosovës dhe realitetin atje. Madje nuk ka njohur as genocidin serb në Kosovë. Rusia ka qenë ushtria e parë që ndërhyri në Kosovë, për të bllokuar pikat strategjike pas çlirimit të Kosovës. Kështu që këto lloj zërash apo nismash janë më shumë të painformuara, duke ndihmuar këtë lloj rryme, që krijon një valë paniku në të gjitha vendet e tjera. Në Shqipëri lexohet gjithnjë i njëjti problem, por rreziku është edhe më i madh po të lexosh blogje të polakëve apo ukrainasve, sepse ato e kanë rrezikun te dera dhe vijnë nga një histori e tillë. Sa i përket këndvështrimit shqiptar, do të vijë një ditë që BE do të jetë e detyruar të marrë një vendim. Fakti që Shqipëria hyri në NATO falë SHBA-ve, mund të jetë edhe momenti, nga kjo e keqe e madhe, që shqiptarët, si faktor perëndimor pro-amerikan që s’ka lidhje politike me Rusinë, të përshpejtojë hapat dhe t’i hapen dyert shumë më shpejt drejt Bashkimit Europian.

Top Channel