Kërkesa për shkarkimin e Ols Dados, Veliaj i kërkon KLP informacion
SPAK ka shpallur mesditën e sotme pretencën për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vite shërbim prove për Islamajn. Gjithashtu, është kërkuar edhe dënimi i biznesmenit Rrok Deda, për të cilin prokuroria pretendon se duhet të dënohet me dy vite shërbim prove.
Akuza në lidhje me këto dy persona lidhet me tenderin e një ure, ku sipas SPAK, Islamaj është përpjekur ta ndërtojë për familjarët e vet. I pandehuri i dytë nga ana e tij ka thënë se do ta bënte urën dhuratë.
SPAK më 30 shtator 2025 njoftonte se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, rezulton se shtetasja Zyra Islamaj, në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, rezulton se është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj.
Ajo ka ndërhyrë tek ndërtuesi, Rrok Gega për të ngritur urën mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj.
Njëkohësisht planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin. Edhe ndërtuesi, nga ana e tij, ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë.
Prokuroria e Posaçme ka administruar materialin kallëzues, bazuar mbi një informacion të ardhur më 8.1.2025, nga Partia Demokratike, i mbështetur mbi denoncimin e bërë nga një emision televiziv investigativ në nëntor të vitit 2024.
Top Channel