Papa Françesku, 1 vit nga marrja e detyrës

13/03/2014 00:00

Papa Françesku bën një vit që nga marrja e drejtimit të Kishës Katolike. Ati i shenjtë i lindur në Argjentinë aktualisht po kalon një javë reflektimi shpirtërorë me kardinalët dhe priftërinjtë në një lokalitet pranë Romës.

Sondazhet e bëra në Itali e nxjerrin Papa Françeskun si më popullorin në renditjen e papave të fundit. Gjithësesi, i dërguari i BBC në Romë thotë se papati i Françeskut deri tani ka treguar më tepër një ndryshim të stilit sesa të substancës.

Papa Françesku është amerikano-latini i parë, njëkohësisht jezuiti i parë, që drejton Kishën Katolike Romane. Që nga marrja e detyrës, një numër i papreçedent pelegrinësh kanë vizituar Romën për të ndjekur meshat e tij.

Ati i shenjtë është gjithashtu i pranishëm në rrjetet sociale, me 11 milionë simpatizantë në nëntë gjuhë të ndryshme që e ndjekin atë në Twitter.

I dërguari i BBC thotë se numri i njerëzve që aprovojnë aktivitetin e Françeskut vazhdojnë të mbeten të larta, pavarësisht një raporti të fundit të OKB-së që akuzonte Kishën Katolike se ka fshehur dhjetëra mijëra raste të abuzimit të fëmijëve në Vatikan.

Vetë Papa ka denoncuar çdo mitizim të personalitetit. Së fundmi ai tha në një intervistë për “Corriere della Sera” se: “Portretizimi i Papës si një supermen, apo yll spektaklesh duket ofenduese”.

Ati i shenjtë, aktualisht 77 vjeç, ka zgjedhur këshilltarë të rinj për ta ndihmuar në drejtimin e Kishës dhe po planifikon reforma për financat e Vatikanit dhe për pastrimin e imazhit negativ që ka përfshirë bankën e selisë së shenjtë.

Top Channel