Itali, Renzi, shkurtime të taksave

13/03/2014 00:00

Kryeministri italian Matteo Renzi ka propozuar një paketë gjithëpërfshirëse të shkurtimit të taksave, një përpjekje kjo për të ringritur ekonominë e vendit.

Në konferencën e tij të parë, ai theksoi se paketa nuk do të shkelë kufijtë e deficitit buxhetor të Bashkimit Evropian. 39-vjeçari tha se axhenda e tij ishte më ambiciozja, që Italia ka parë ndonjëherë.

“Kjo është një nga reformat më të mëdha fiskale, që mund të imagjinohet”, iu tha ish-kryetari i Bashkisë së Firences gazetarëve, pas një mbledhje të qeverisë për të miratuar masat e reja.

Italia po lufton për të dalë nga recesioni i saj më i gjatë, që nga koha e pasluftës, dhe kryeministri Renzi e ka bërë të qartë se krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike, në vend të politikave të kursimit, do të jenë fokusi i qeverisë së tij.

Kryministri italian tha se detajet e shkurtimeve të taksave do të përcaktohen në dokumentin vjetor të qeverisë dhe do të bëhet publik muajin e ardhshëm. Renzi e bëri të qartë se qëllimi i këtyre masave   është që deficiti buxhetor të mos rritet, duke insistuar se ai do të qëndrojë nën tavanin prej 3% të GDP-së së BE-së. Italia aktualisht është duke synuar për të mbajtur deficitin në 2.5%, nga 3% që ishte në vitin 2013.

“Ne do të respektojmë angazhimet tona evropiane”, tha Renzi, duke shtuar se ai pret që BE të marrë parasysh përpjekjet e Italisë. Ai tha se shkurtimet e taksave do të financohen nga reduktimet në shpenzimet e qeverisë qendrore, huamarrjes shtesë dhe nga rënia e kohëve të fundit në kostot e huamarrjes së Italisë.

Më parë, gjatë këtij muaji, Bashkimi Europian e ka vënë Italinë në listën e vëzhgimit, së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë, si vende me pabarazi të mëdha makroekonomike, për shkak të produktivitetit të ulët dhe borxhit të lartë.

Top Channel