Cameron në Lindjen e Mesme

13/03/2014 00:00

Përpjekjet për të rigjeneruar procesin e paqes në Lindjen e Mesme pritet të dominojnë ditën e dytë të vizitës së kryeministrit britanik David Cameron në Izrael dhe Bregun Perëndimor.

Zoti Cameron do të takohet me ish-kryeministrin Tony Blair, që përfaqëson OKB-në, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në rajon.

Më pas ai do të udhëtojë në Betlehem për bisedime me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Zoti Cameron pritet të premtojë ndihma të reja financiare, për të ndihmuar kompanitë palestinezë që të depërtojnë në tregjet e huaja.

Kryeministri gjithashtu dëshiron të shohë nga afër trajnimin që u është bërë mbi 1 mijë refugjateve femra në Gaza. Ai tha se synimi i tij është krijimi i vendeve të reja të punës dhe industrive nga të cilat mund të përfitojnë edhe izraelitët.

Takimi me zotin Blair në Jeruzalemin Lindor do të zgjasë rreth 20 minuta. Ata do të diskutojnë edhe për iniciativën e zotit Blair për ekonominë palestineze.

Pavarësisht sulmeve me raketa të së mërkurës, që pasuan me reagimin e sulmeve ajrore izraelite, zoti Cameron pritet të zhvillojë një video-konferencë me të rinjtë palestinezë në Gaza për të diskutuar situatën humanitare.

Pa asnjë rezervë kryeministri dënoi sulmin palestinez, përgjegjësia për të cilin u mor përsipër nga një grup islamik. Ai do t’u sugjerojë palëve të mbështesin planin e SHBA për paqen.

Top Channel