Turqi, sërish protesta

12/03/2014 00:00

Mijëra turq zbarkuan në sheshet dhe rrugët e Stambollit për t’i dhënë lamtumirën e fundit 15-vjeçarit, Berkin Elvan i cili ndërroi jetë në spital nëntë muaj pas dhunës së pësuar në protestat anti-qeveritare.

I riu u qëllua aksidentalisht nga një predhë gazi lot-sjellës teksa ishte duke shkruar për të blerë bukë.

Korespondentët e huaj në Turqi thonë se adoleshenti u shndërrua në simbol të protestave dhe provë konkrete e akuzave të protestuesve ndaj policisë për dhunë të tepruar gjatë tubimeve në Parkun Gezi.

Tubuesit e parë u grumbulluan që në orët e mëngjesit me parrulla dhe thirrje kundër qeverisë së Erdogan. Presidenti i vendit, Abdullah Gyl bëri thirrje për qetësi, ndërsa guvernatori i Stambollit Huseyin Avni Mutlu u bëri thirrje forcave të sigurisë që të zbatojnë me kujdes ligjin.

Vec Stambollit protesta u mbajtën edhe në kryeqytetin Ankara dhe qytetet të tjera të vendit. Në kryeqytet policia përdori plumba gome dhe gaz-lotsjellës për të shpërndarë 2 mijë protestues që thërrisnin “qeveria Erdogan, qeveria e korrupsioni! Dorëhiqu! Dorëhiqu!”.

Forcat e sigurisë ndërhynë për shpërndarjen e protestave edhe në dy pjesët e Stambollit, në Adana dhe në Mersin.

Turqia u përfshi nga protesta të dhunshme qershorin e vitit të kaluar, kur një projekt i autoriteteve prekte Parkun Gezi në qytet. Protesta mjedisore shpejt u shndërrua në një manifestim mbarëkombëtar kundër Erdogan dhe shumë analistë dhe opozitarë e akuzojnë qeverinë si autoritare dhe të korruptuar.

Si të mos mjaftonte kjo në fund të vitit të kaluar vendi përfshihet nga një megaskandal korrupsioni ku përfliteshin edhe ministra të kabinetit qeveritar. Tre djem të tyre u prangosën nga autoritetet, ndërsa Erdogan u kundërpërgjigj me shkarkime masive në polici dhe përpjekje për të reformuar sistemin e drejtësisë, që sipas opozitës synon vendosjen nën kontroll të tij.

Pak ditë më parë vendi u trondit nga publikimi i një regjistrim audio që pretendohet se është e kryeministrit Erdogan, që i kërkon djalit të tij të fshehë 30 mln euro. Por Kryeministri ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ato janë pjesë e një komploti për të rrëzuar atë nga kleriku islamik, Fethyllah Gulen.

Miqësia mes Gulen dhe Erdogan, dikur aleatë të pandashëm, është krisur në mënyrë të pariparueshme.

Top Channel