ILDKP: Hetim deklaratave të pasurisë

10/03/2014 00:00

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të nisë hetimin administrativ për deklaratat e interesave private që nga viti 2003 për krerët më të lartë të shtetit: presidentin e Republikës, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, zv.kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat dhe funksionarë të tjerë të rëndësishëm.

ILDKP thotë se, që prej vitit 2006 nuk është kontrolluar asnjë zyrtar i lartë nëse ka përfituar nga fondet publike apo jo. Po ashtu, gjatë këtyre viteve është konstatuar se janë lënë jashtë skemës së kontrollit të plotë, qëllimisht, zyrtarë të niveleve të ndryshme.

ILDKP thotë se vendimi për hetim administrativ u mor nisur nga gjendja e rëndë e zyrës së administrimit të dosjeve të kontrollit dhe dyshimeve për zhdukjen e dosjeve të zyrtarëve të ndryshëm.

ILDKP ka konstatuar zhdukjen e regjistrit disavjeçar të denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe interesave private të fshehura ose të padeklaruara të zyrtarëve, raste këto të denoncuara nga ana e qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile, si dhe bllokim të qëllimshëm të adresës elektronike apo numrit pa pagesë për referimin e këtyre rasteve.

Funksione të tjera në hetim do të jenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shetit, prokurori i përgjithshëm, avokati i popullit, kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nënkryetari dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Po ashtu, kryetarët e bashkive, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, drejtori i përgjithshëm i Zyrës Qëndrore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, drejtori i përgjithshëm i Doganave, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve.

Rezultatet e kontrollit do të përfundojnë dhe do të bëhen publike rast pas rasti deri më datë 31.12.2014. ILDKP do të fillojë menjëherë punën dhe për hartimin e regjistrit elektronik për konfliktin e interesave, regjistër i cili duhej të ishte hartuar që në vitin 2006.

Top Channel