Piloti i Formulës 1, Fernando Alonso pranoi se e ka të vështirë të përcaktojë se cili është niveli i vërtetë i Ferrarit nga testimet e deritanishme.
Sipas spanjollit, ndryshimet në rregullore dhe risitë e këtij sezoni bëjnë që prova e parë e vërtetë të jetë ajo e debutimit të Botërorit, në 16 Mars në Australi.
“Nuk ka asgjë për të veçuar nga makina në këtë moment. Po përpiqemi të mësojmë më shumë rreth saj. Çdo xhiro që realizojmë është një përvojë e re dhe është e vështirë të dimë ekzaktësisht se ku ndodhemi, pasi jemi ende në hapat e parë të tentativave tona për të kuptuar sjelljen e kësaj makine”, tha spanjolli.
Përsa i përket rregullave të reja me motorët V6, Alonso pranoi se “është e vështirë për t’iu shpjeguar spektatorit”. “Është një disavantazh i vogël për ne ky ndryshim, por kështu e kanë vendosur dhe shpresojmë që me kalimin e viteve, kjo Formulë 1 të ketë më pak ndryshime të tilla nga njëri vit në tjetrin”, tha dy herë kampioni i botës.
Top Channel