Ndërhyrjen ruse e kërkoi Yanukovych

03/03/2014 00:00

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, gjatë mbledhjes së Këshillit të
Sigurimit, lexoi letrën që ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych,
i kishte drejtuar presidentit Vladimir Putin, përmes së cilës i kishte
kërkuar “dërgimin e ushtrisë ruse për të kthyer ligjin, paqen, rendin,
stabilitetin dhe sigurinë për popullin e Ukrainës”. Ndërsa ambasadorja
amerikane në OKB, Samantha Power, tha se ushtria ruse është mobilizuar
përballë një kërcënimi imagjinar…

Burime të sigurisë së Ukrainës thanë se kreu i Flotës detare ruse të Detit të Zi, Alexander Vitko, ka caktuar orën 04:00 të mëngjesit të së martës për t’u dorëzuar, ose përndryshe do të vihen në shënjestër.

Megjithatë, agjencia e lajmeve “Interfaks” citoi zëdhënësin e Flotës detare ruse në Detin e Zi, i cili mohoi të ishte lëshuar një ultimatum i tillë.

Ndërkohë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se njerëz të armatosur kanë marrë kontrollin e linjës së trageteve mes Rusisë e Krimesë në Kerch dhe, sipas citimit të “Reuters” të rojes bregdetare ukrainase, këta persona janë ushtarë rusë të cilët po sjellin përforcime të tjera ushtarake.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kërcënuan se do të vendosin sanksione dhe ndalim të udhëtimeve, pas ndërhyrjes në Krime.

Presidenti amerikan Barack Obama akuzoi edhe një herë Rusinë se po shkel ligjin ndërkombëtar dhe tha se Moska “është në anën e gabuar të historisë”. Ai shtoi se SHBA-të po shqyrtojnë marrjen e disa hapave ekonomike dhe diplomatike për të izoluar Rusinë dhe i bëri thirrje Kongresit të punojë me administratën për një paketë ndihme për Ukrainën.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, Rusia ka tani “de facto” në kontrollin e saj, rajonin e Krimesë. Parlamenti rus apo Duma, siç raporton CNN, mund të miratojë një ligj, që do të lejojë aneksimin e Krimesë.

Një zyrtar amerikan tha se SHBA-të vlerësojnë se janë rreth 6000 ushtarë rusë, këmbësorie dhe detare në Krime, dhe nuk ka asnjë diskutim se janë në pozicion për të pushtuar.

Ukraina, në anën tjetër, urdhëroi mobilizimin e plotë të ushtrisë për t’i bërë ballë ndërhyrjes ushtarake. Asnjë e shtënë nuk është dëgjuar në rajonin me shumicë rusisht-folëse, ku qeveria lokale është pro Moskës.

Por, ndërkohë, Shërbimi i Sigurisë së Kufirit, në Ukrainë, raportoi për disa sulme në pikat kufitare në lindje të Krimesë, përgjatë kufirit me Rusinë. Dhjetë baza ushtarake dhe detare të Ukrainës në Krime janë bllokuar nga persona të armatosur, sipas komandantit të sapocaktuar të forcave detare ukrainase, Admiralit Sergey Gaiduk. Paraardhësi i tij, Denis Berezovsky, dezertoi në favor të trupave ruse në Krime.

Më herët, kryeministri Arseniy Yatsenyuk tha se çdo përpjekje për të marrë Krimenë do të dështojë dhe u kërkoi aleatëve të mbështesin ekonomikisht dhe politikisht qeverinë e tij. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm për situatën në Ukrainë.

Disa zhvillime të tjera:

-Departamenti amerikan i Shtetit po përgatitet t’i vendosë sanksione Rusisë
-Zv/presidenti amerikan, Joe Biden i kërkoi Rusisë të mbështesë planin për të zhvendosur vëzhgues ndërkombëtare në Ukrainë
-Monedha ruse, rubla, ka shënuar rënie kundrejt dollarit dhe euros
-G7 tërhiqet nga përgatitjet për G8, i caktuar në muajin Qershor në Sochi të Rusisë, çka ndezi revoltën e Moskës.
-Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, tha se situata në Ukrainë është kriza më e madhe, me të cilën po përballet Europa në shekullin e 21.
-Udhëheqësit europianë do të takohen të enjten për një takim të jashtëzakonshëm për Ukrainën.

Në një intervistë për CNN, ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, i ka bërë thirrje botës të “përdorë të gjitha rrugët e mundshme për të shmangur humbjen e Krimesë nga ana e Ukrainës”.

NATO pritet të zhvillojë diskutime emergjente mbi Ukrainën gjatë së martës, pasi Polonia kërkoi mbajtjen e konsultimeve, sipas një deklarate të publikuar në faqen e tyre në web.

Top Channel