Iran, 9 ekzekutime në 48 orë

01/03/2014 00:00

Në 48 orët e fundit në Iran janë ekzekutuar duke u varur 9 persona, 3 prej të cilëve në publik në lokalitetet Karaj, Nazar Abad dhe Hashtgerd.

Lajmin e ka bërë të ditur një grup aktivistësh, sipas të cilit mbi 500 persona, mes të cilëve gra e minorenë, janë ekzekutuar që kur “reformatori” Hassan Rouhani u bë president, në gusht 2013.

“Nëse dënimi kapital vazhdon të aplikohet, atëherë presidenti i ri jo vetëm nuk e ka lënë pas të kaluarën por ka rënduar pozitën e Iranit, në vendin e parë në botë për dënimet me vdekje”, thuhet në një deklaratë.

Edhe më herët gjatë vitit autoritetet iraniane ekzekutuan me varje disa të burgosur, të dënuar për vepra të ndryshme penale, por kryesisht për vrasje.

Gjithësesi, ekzekutimi i 9 vetëve vetëm në dy ditë përbën një rekord edhe për vetë Republikën Islamike, që duket se e ka të pamundur të largohet nga zakonet e vjetra të saj. 

Top Channel