SHBA, fushata kombëtare anti-diskriminim

28/02/2014 08:55

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, kërkoi nisjen e një fushate kombëtare, me synim përmirësimin e gjendjes për të rinjtë me prejardhje afrikane apo hispanike.

Fushata e re ka si synim të luftojë diskriminimin, por mbi të gjitha kushtet e vështira socioekonomike, në të cilat shumë të rinj të këtyre shtresave e gjejnë veten.

Shtëpia e Bardhë informoi se bizneset janë bindur të financojnë 150 milionë dollarë për mbështetjen e kësaj skeme.

Në fjalën e tij, Obama e konsideroi si të papranueshëm faktin që të rinjtë hispanikë punësohen me paga shumë më të ulta se personat e bardhë.

”Mendoj se sfida e shumë djemve të rinj, të cilët shpesh dalin nga rruga e duhur, përjashtohen, lihen të papunë e rrjedhimisht favorizohen të merren me aktivitete të paligjshme duke mbushur burgjet, është edhe një sfidë morale e këtij vendi”, tha Obama përpara disa dhjetëra djemve të rinj me origjinë afrikane dhe hispanike.

”Jo vetëm kaq, por integrimi i plotë i çdo komuniteti është edhe një sfidë për ekonominë tonë”, tha presidenti.

Në memorandumin e publikuar, Shtëpia e Bardhë zotohej që të përqendrohet më shumë në punësimin dhe integrimin e të rinjve nën 25 vjeç që i përkasin komuniteteve minoritare të shoqërisë.

Top Channel