Obama-Rusisë: Ndërhyrja ka kosto

28/02/2014 00:00

Tensionet janë rritur dramatikisht në territorin ukrainas të Krimesë, gjatë së premtes, teksa ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara ka paralajmëruar Rusinë, të mos përshkallëzojë dhunën në kufijtë territorialë të vendit të tij, një paralajmërim që erdhi pak kohë përpara t’i bashkangjitej edhe ai i Shteteve të Bashkuara, që nxisin Rusinë të tërhiqet nga rajoni, ose të përballet me pasojat.

“Tashmë jemi thellësisht të shqetësuar nga raportimet mbi lëvizjet ushtarake të ndërmarra nga Federata Ruse brenda Ukrainës”, tha presidenti Barack Obama, gjatë një deklarate televizive nga Shtëpia e Bardhë. “Kjo sjellje do të përbëjë një shkelje të pastër të angazhimit të Rusisë për të respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës, si dhe ligjet ndërkombëtare”.

Obama tha se çdo dhunim i sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit territorial të saj do të ishte “thellësisht destabilizues” dhe paralajmëroi se “Shtetet e Bashkuara do të jenë përkrah komunitetit ndërkombëtar në afirmimin se do të ketë kosto tepër të mëdha në rast të ndonjë ndërhyrjeje ushtarake në Ukrainë”.

Komentet ishin të fundit, nga një seri e zhvillimeve tepër të shpeshta, që panë zyrtarët ukrainas të përballen me rritjen e pasioneve separatiste në rajonin me popullsi kryesisht ruse, ku hapësira ajrore është mbyllur dhe komunikimet mes Ukrainës dhe Krimesë janë ndërprerë.

Ukraina akuzon forcat ruse në Detin e Zi se janë përpjekur të pushtojnë dy aeroporte në Krime, por sipas tyre, ishin forcat e sigurisë së Ukrainës që ndalën marrjen e tyre nën kontroll nga rusët.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, e karakterizoi më herët prezencën në aeroport të njerëzve të armatosur e të paidentifikuar, të cilët mbanin veshur uniforma pa shenja identifikuese, ai një “pushtim i armatosur”.

Kriza e Ukrainës ka përfshirë të gjithë botën tashmë, teksa presidenti i Këshilit të Sigurisë në OKB ka zhvilluar takime private mbi zhvillimet e fundit, ndërkohë që liderët botërorë kanë bërë thirrje që grupet e armatosura të mos përpiqen të sfidojnë sovranitetin e Ukrainës.

FMN: Jo alarm për Ukrainën
“Për mbështetjen financiare duhet të mbështetemi në fakte”

Shefja e FMN-së, Christine Lagarde, e cilësoi si të parakohshëm panikun e krijuar mbi gjendjen e ekonomisë së Ukrainës.

Thirrjet e saj për qetësi erdhën në kohën kur Zvicra, Austria dhe Lihtenshtejni, njoftuan ngrirjen e aseteve të rreth 20 shtetasve ukrainas, mes të cilëve edhe ish-presidenti Viktor Yanukovych dhe ndihmësit e tij.

“Mendoj se është e nxituar të vlerësojmë tani, në këtë moment, nevojat financiare, duke marrë ca shifra këtu e ca atje. Ne duhet të mbështetemi në fakte. Duhet të mbështetemi mbi situatën reale dhe, deri tani, nuk shohim ndonjë gjë aq kritike, sa të justifikojë panikun. Ndaj shpresojmqë që autoritetet të frenohen nga deklarimi i shifrave të pakuptimta, për sa kohë nuk janë verifikuar siç duhet”, tha Christine Lagarde, drejtuese e FMN-së.

Pak pasi Yanukovych refuzoi marrëveshjen tregtare me bllokun europian, Moska i dha Kievit një hua prej 15 miliardë dollarësh e, përpos kësaj, i ofroi edhe një ujdi më të favorshme mbi dërgesat e gazit natyror.

Ish-kreu i shtetit ukrainas e justifikoi lëvizjen si hap të domosdoshëm për të shmangur fundosjen e ekonomisë dhe, për këtë, ndihma financiare europiane – sipas tij, – nuk ishte e mjaftueshme.

Lagarde sqaroi se një ekip ekspertësh, të një organizate me seli në Uashington, do të udhëtojnë drejt Kievit nga fillimi i javës së ardhshme, për të vlerësuar nga afër situatën ekonomike të vendit.

Monedha e Ukrainës, Hrivnia, e mori veten pas disa ditësh rënie, që të enjten e çuan në nivelin më të ulët historik të këmbimit kundrejt dollarit amerikan.

I së njëjtës linjë qëndrimi me Lagarde ishte dhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili tha se stabilizimi i Ukrainës do të bëhet realitet, vetëm nëse do të jenë të shumtë në numër vendet e gatshme të ndihmojnë ekonominë e vendit.

Top Channel