Irak, dhjetëra të vrarë në shpërthime

28/02/2014 09:10

Të paktën 30 persona u vranë në shpërthimet që ndodhën në kryeqytetin e Irakut, raportuan burimet zyrtare.

25 persona mbetën viktimë e një shpërthimi të vetëm në një treg të lagjes së Sadr, në lindje të Bagdadit.

Bomba, e cila gjithashtu plagosi 45 persona, duket se ishte vendosur në një motorçikletë pranë tregut.

Gjithashtu në Sadr, të paktën 5 persona të tjerë mbetën të vrarë dhe 14 të tjerë u plagosën, kur një bombë e bashkangjitur me një minibus shpërtheu.

Asnjë grupim nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmet, por fondamentalistët sunitë shpesh kanë zgjedhur këto metoda për të minuar qeverinë me shumicë shiite të vendit.

Në Janar, më shumë se 1 mijë irakenë mbetën të vrarë në sulmet e ndërmarra kryesisht ndaj popullsisë shiite dhe godinave qeveritare.

Për shkak të dhunës ndërfetare në vendin me popullsi të ndarë në 60% shiitë, 35% sunitë dhe 5% të tjerë, të paktën 8 mijë persona mbetën të vrarë gjatë 2013-s, numri më i lartë i viktimave që prej kulmit të rezistencës anti-amerikane të viteve 2006-07.

Megjithatë, nga shifrat e publikuara prej OKB-së përjashtohet numri i panjohur i viktimave në krahinën e Anbarit, ku ushtria po lufton ndaj militantëve që kanë pushtuar qytetin e Faluxhës dhe rrethinat.

Luftimet në Anbar kanë bërë që 300 mijë persona të braktisin shtëpitë, duke iu bashkuar 800 mijë refugjatëve të tjerë të ndodhur brenda vendit.

Top Channel