SHBA: Kina të respektojë të drejtat e njeriut

27/02/2014 16:25

Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Kina, Gary Locke, i kërkoi Pekinit që të përmirësojë zbatimin e të drejtave të njeriut në vend, si dhe të punojë për qetësimin e tensioneve me Japoninë, mbi bazën e pretendimeve të tyre territoriale në Detin e Kinës Lindore.

Në fjalën e tij të fundit si ambasador, Locke shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të arrestimeve midis gazetarëve dhe akvistëve të përfshirë në protesta paqësore.

Ai gjithashtu i kërkoi Kinës dhe Japonisë që të gjejnë një mirëkuptim dhe të shmangin veprimet provokuese, në lidhje me ishujt Senkaku (në kinezisht Diaoyu), të pretenduara prej të dy superfuqive aziatike.

63-vjeçari Locke është kinezo-amerikani i parë që shërben në detyrën e ambasadorit në Pekin.

Gjatë shërbimit të tij, Locke kontriboi për ndërmjetësimin e disa situatave delikate diplomatike, midis të cilave edhe përballja e Uashingtonit me Pekinin me aktivistin e verbër Chen Guangcheng.

Gjithashtu, Locke shërbeu gjatë kohës kur Wang Lijun, një ish-shef i policisë që demaskoi skandalin e politikanit Bo Xilai kërkoi strehim politik në Konsullatën e Shanghait.

Në fjalën e tij, Locke nënvizoi se ka pasur një përparim të ndjeshëm në standartin e jetesës në Kinë, por kërkoi që të njëjtat përparime të promovohen edhe në fushën e të drejtave të njeriut.

Top Channel