Qeveria egjiptiane është duke monitoruar kërcënimin që një grup radikal islamik i quajtur Ansar Beit al-Maqdis i dha të martën turistëve të ndodhur në vend, të cilët iu kërkua të largohen brenda 48 orësh ose të përballen me mundësinë e vdekjes.
Kërcënimi u bë nëpërmjet një llogarie në “Twitter” të lidhur me këtë grupim dhe Kajro zyrtare dha për “Reuters” se është duke zhvilluar hetime intensive për të kuptuar se sa serioz është ky kërcënim.
Ndonëse llogaria nuk është e lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me grupimin, i cili pretendon se nuk ka asnjë profil në rrjetet shoqërore, e njëjta llogari ka dhënë parashikime apo deklarata të konfirmuara në të shkuarën.
Ndërsa Gjykata e Lartë Egjiptiane ka nisur gjykimin e ish-presidentit islamist Mohammed Morsi, qeveria e përkohshme ushtarake që drejton vendin me 84 milionë banorë po përballet me rritjen e ndjeshme të lëvizjeve militante në Sinai.
Më parë gjatë javës, pikërisht në këtë territor, pranë kufirit izraelit, një autobus i mbushur me turistë u sulmua nga militantë të lidhur me Ansar Beitin.
Si rrjedhojë e sulmit mbetën të vrarë tre koreanojugorë dhe një shtetas egjiptian.
Top Channel