Pas tre orë disktutimesh me dyer të mbylluara, deputetët e opozitës dhe të mazhorancës në komisionin parlamentar të medias nuk kanë rënë dakord për proçedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.

Propozimi i shumicës, e cila ka kërkuar gjetjen e një konsensusi për proçedurën e përzgjedhjes se anëtarëve sa më profesionistë nuk është pranuar nga opozita.

“Ky diskutim ofroi tre alternativa nga mazhoranca si mundësi që brenda hapësirave ligjore të operohej në mënyrë më të thjeshtë, ndërsa propozimi i opozitës ishte të kishte një numër më të ngushtuar kandidaturash për të zgjedhur 10-shen finale. Kjo nuk u pranua pasi është joligjore”, deklaroi nënkryetari i komisionit, Alfred Peza.

Në mbledhjen e ardhshme përzgjedhja e Këshillit Drejtues të bëhet mbi proçedurën e parashkruar në ligj, duke i analizuar kandidatët një për një.

Kjo sepse sipas deputetëve të mazhorancës, opozita ka kërkuar një proçedurë e cila është cilësuar joligjore, pasi ka patur në bazë të saj mbështetjen e kandidatëve mbi kritere jashtë ligjit dhe preferenca politike.

“Proçedura është strikte, kërkon që kandidaturat t’i nënshtrohen eleminimit 1 nga 1, derisa të shkojnë në 5 kandidatura nga pozita dhe 5 nga opozita”, sqaroi Peza.

Në komisionin e medias është diskutuar edhe mbi amendamentin e nënkryetarit të komisionit Alfred Peza, për rishikimin e një neni për ligjin e mediave audiovizive, ku është kërkuar ekspertizë e gjerë ndërkombëtare.

“Në mbledhjen e sotme u shqyrtua propozimi i nënkryetarit të komisionit për të thirrur asistencë ndërkombëtare për amendamentin e paraqitur në lidhje me AMA-n. Kjo, pasi procesi për hartimin e ligjit për AMA-n është asistuar nga ekspertët evropianë të Këshillit të Evropës dhe BE-së”, shtoi Peza.

Prej më shumë se një viti AMA gjendet në ngërç, duke funksionuar e cunguar, pasi anëtarëve të saj u ka përfunduar mandati.

Top Channel