Britania hap kufijtë për qindra sirianë

29/01/2014 15:35

Britania do t’i ofrojë një numri të pacaktuar sirianësh mundësinë e strehimit në vend, informoi të mërkurën kryeministri David Cameron.

Megjithatë, kryeministri theksoi se do të ekzistojnë kritere të forta në përzgjedhje, duke i dhënë ndihmë vetëm shtresave më në nevojë të refugjatëve sirianë.

Midis atyre që do të kenë përparësi janë jetimët, gratë shtatzanë, personat me nevoja speficike shëndetësore, ata që kanë vuajtur tortura në Siri dhe ata që jetojnë në kushte të mjeruara në kampet e refugjatëve.

Londra përcaktoi se numri i atyre që do të ndihmohen do të matet me qindra, por një objektiv nuk është përcaktuar ende.

Programi i ndihmës së Britanisë së Madhe do të jetë i ndarë nga programi aktual i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në kuadër të të cilit Gjermania ka pranuar 10 mijë sirianë dhe Franca 500.

Aktualisht, Britania është një prej kontribuesve kryesorë në financimet që shkojnë për llogari të kampeve të refugjatëve në vendet fqinje të Sirisë.

Megjithatë, përballë presionit të brendshëm anti-emigracion, Londra ishte treguar e kujdesshme deri tani për të mos lejuar sirianët që të zhvendoseshin në ishull mbi pretendimin e azilit ekonomik ose politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA