
NDUE DEDAJ – “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” është titulli i një filmi me
jo pak jehonë dhe në Shqipëri. Por nuk është fjala për këtë film dhe as
për ndonjë metaforë filmike a letrare. Lumenjtë e kanë humbur qetësinë,
pastërtinë dhe bukurinë në tranzicionin e pamëshirshëm shqiptar, por dhe
ballkanas.
U mbytën nga plehrat dhe inertet, humbën shtretërit nga gërryerjet për prodhimin e rërës e zhavorrit nga “lavatriçet”, që kanë mbirë gjithandej me e pa leje, njëlloj si karburantet luksoze në çdo pesëqind metra autostradë! Në shfytyrimin e lumenjve ka ndikuar dhe rrafshimi grabitqar i pyjeve, ku për pasojë ka ndodhur rrëshqitja e dherave e llumrave, duke mos pasur më as brigje të pastra, as ekologji të shëndetshme, as natyrë të begatë. Disa lumenj qenë ndotur rëndë nga dambat e fabrikave të bakrit dhe mbetjet e tjera teknologjike qysh në kohën e socializmit, por tani është fjala për shkatërrimin e krejt rrjetit lumor. Duket se lumenjtë kanë kërcënimin e fundit, që po i çon drejt zhbimjes, nga lukunia e hidrocentraleve, që vërtet do të na mbushin me dritë, por do të na shterin burimet e ujit si kuçedrat e legjendave, deri aty sa nesër t’ia kemi ndërruar fytyrën tokës e të kemi një tjetër pamje (të shpëlarë) lumore nga kjo e sotmja. Atëherë na rroftë reforma territoriale që do të bëjmë, strategjia e turizmit malor, mbrojtja e pasurive kombëtare, duke u kujdesur mbase më shumë se duhet për marrëdhëniet “vëllazërore” me fqinjët, lëshimet ndaj investitorëve të huaj, sipërmarrësve të mëdhenj të rajonit etj. Veç të tjerash, një diplomaci e tillë e rrudhur nuk të çon në BE, ku ka rregulla loje dhe partneritet mes palëve, qofshin ato shtete, sipërmarrje etj.
Nuk kishim dëgjuar prej kohësh për lumin e Radikës, e kishim harruar disi dhe atë këngën e famshme që e këndonte më aq epicitet Hazis Ndreu dyzet vjet më parë, se si Radika i kishte qëndruar Hajredin Pashës dhe asqerit turk në motet e Pavarësisë. Por a do të mund të qëndrojë Radika, lumi i mahnitshëm, që buron nga malet e Sharrit e derdhet në Drinin e Zi, nga “asqerët” e kohës moderne. A do të mund ta bëjnë këtë vetëm shoqatat, veprimtarët mjedisorë, ku shpesh përzihen dhe ata politikë? (Sikur këta të fundit nuk kanë foltoret e partive, të Kuvendit e të tjera forume për ta çuar zërin?) Ky lumë qenka parashikuar për t’u devijuar, sipas një projekti të qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e një hidrocentrali, ndërkohë që asnjë projekt nuk ka të drejtë t’ua marrë lumin e tyre dibranëve, as si shqiptarë etnikë, as si qytetarë të republikës maqedonase. Projekte zhvillimi do të ketë përherë e më shumë, hidrocentrale do të ndërtohen në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi etj., por sjellja me lumenjtë e qeverive nuk mund të jetë prej “padroni”, të atij që ka vulën e firmën. A ia vlen të përsërisim tash e parë se projektet e mëdha strategjike, para se të miratohen, i nënshtrohen një diskutimi me grupet e interesit, komunitetin, aq më tepër kur këto prekin pasuri të zonave ndërkufitare. Nuk duhet të nisin punimet sot në asnjë objekt madhor, ashtu si fshehurazi, që pastaj objektet të ruhen me polici, nga konfliktet e kompanive ndërtuese me banorët për çështje shpronësimesh, siç ka ndodhur kohë më parë me një vepër hidroenergjetike mbi lumin Fani i Madh. Përvoja e TAP-it është e freskët, kur para disa muajsh në zonat e Jugut, nga do të kalojë gazsjellësi gjigant, u bënë takime të përfaqësuesve të kompanisë me banorët, pa folur për axhendën shtetërore të qeverisë shqiptare me Azerbajxhanin. Nuk është detyra jonë si qytetarë t’ua kujtojmë këto qeverive dhe sipërmarrjeve, të cilat kanë ekspertë, zyrtarë të lartë, infrastrukturë, legjislacion ndërkombëtar etj. Ne, po, nuk do të rreshtim së protestuari, që jo vetëm Radika e Dibrës, po dhe Vjosa, Shkumbini, Devolli, Ishmi, Buna, Valbona, Ibri etj., të mos cenohen në identitetin e tyre, paçka veprave hidrike që mund të ndërtohen mbi to, ujësjellës, hidrocentrale, hotele turistike etj. Ashtu si gjithë visari i rrallë i maleve tona: liqenet, ujëvarat, shpellat, kanionet, burimet termale etj., nuk mund të shfrytëzohen “privatisht”, as maskuar pas asaj që këto punë i dinë ata atje lart. Nëse me nëntokën nuk dimë se ç’bëhet, si shfrytëzohen mineralet e saj e për llogari të kujt shkojnë, të paktën për mineralet e mbitokshme që i shohim të gjithë nuk do të rreshtim së ngrituri zërin për mbrojtjen e tyre. Ka ardhur koha që shteti t’i dalë për zot dhe një peme të vetme, jo më një pylli, një lumi, një lagune. Ka ndërtime turistike që nesër do të kërkohet të shemben dhe në Valbonë, ashtu si sot po shemben në bregdet ndërtime, përfshi dhe nga ato me leje të gabuara. Përse atëherë të mos ketë sot një inspektim shtetëror në zonat turistike malore, që të mos lejohen ndërtime në parqet kombëtare e zonat e mbrojtura? Nuk duhet ecur me mendimin se atje askush nuk po ndërton. Edhe një ndërtim hotelerie pa urbanistikë prish punë. Edhe një bujtinë fshati që zë burimin e lumit. Edhe një restorant që i derdh ujërat e zeza në përroin e kristaltë.
Hidrocentralizimi i çdo përroi malor, këto tre-katër vitet e fundit, pa pyetur për asgjë, veç hajde o burra të ndërtojmë, po e tjetërson gjithë ekosistemin lumor, duke zhdukur peshqit, lejlekët, bimësinë, duke dëmtuar rëndë mikrofaunën dhe mikroflorën e rajoneve të caktuara, ku askush nuk mund të jetë dakord me një çmim të tillë të dritës elektrike, qoftë dhe për të qenë nesër një superfuqi energjetike në rajon, siç është thënë në rrugë qeveritare. Mirë që kësaj here u zgjuam për Radikën, nga Dibra e Madhe e Peshkopia në Tiranë, mbase dhe për njëlloj patriotizmi, meqë është një lumë, si me thënë, mes dy shtetësish, por ndoshta këtu brenda kemi disa lumenj e përrenj që na kanë dalë duarsh e tunelet që marrin ujin e një lumi dhe e hedhin në tjetrin, nuk mund t’i prishim si dy a tri pallate jashtë rregullave urbanistike. Prandaj kambana të bjerë njëherë e mirë për të gjithë lumenjtë!… Për të gjitha veprat që lidhen me to, që të udhëhiqemi nga motoja për të ndërtuar siç duhet, sipas parametrave e standardeve bashkëkohore, për të mos u gjendur nesër para faktit të kryer… keq. Dimë që qeveria pati pezulluar disa leje për ndërtim hidrocentralesh, dhënë nga qeveria e mëparshme, por nuk dimë gjendjen reale në shkallë vendi, se ku dhe si po ndërtohen hidrocentralet. Debatet televizive nuk mungojnë të tjerrin me orë të tëra problematika të natyrave të ndryshme, veçanërisht politike, por nuk kemi parë në ndonjë panel sipërmarrës hidrocentralesh, funksionarë të lartë të energjetikës t’iu flasin shqiptarëve për gjeografinë ndërtuese të HC-eve nga Jugu në Veri, pa pritur shiritat e nxituar të inaugurimeve elektorale. Ashtu siç do të donim të dëgjonim specialistë të gjeologjisë dhe minierave të na thonin se ç’po ndodh aktualisht në nëntokën shqiptare, çfarë duhet të ndodhë dhe çfarë jo në galeritë dhe puset e shfrytëzimit minerar? Minierat sot thuajse i njohim vetëm nga vdekjet e herëpashershme e minatorëve në Bulqizë, Librazhd etj., nga përfolja e vazhdueshme për afera dhe korrupsion në shfrytëzimin e tyre, por jo dhe nga puna e përditshme që bëhet atje, kush përfiton dhe kush humbet nga kromi e bakri që nxirret me mundim, shpesh me kushte mesjetare.
Por me protestat e fundit, nga nëntori e këndej, duket se qytetarët kanë vendosur të jenë ata në pararojë të kumteve politike, ekonomike dhe sociale. Një erë e re po fryn lidhur me atë që mund të quhet si publikja reale. Më në fund, të vjelë nga politika zhurmëmadhe, qytetarët duan të konsumojnë për pak politikë e të jenë më të vetëdijshëm për problematikat e vendit, që ia kishin besuar vetëm politikës. Politika, institucionet janë njëra anë e medaljes në një shoqëri të hapur, ana tjetër është publiku, i cili kërkon transparencë për çdo gjë që bëhet. Publiku është në thelb vendimmarrësi i vërtetë, puna është që pozita e tij të kuptohet drejt nga ata që ai u ka deleguar pushtetin, qeveritarët.
Top Channel