Australian Open, Wawrinka në finale

23/01/2014 00:00

Stanislas Wawrinka, numri 8 i renditjes ATP dhe tenisti që eliminoi Novak Djokovic në çerekfinale, ka arritur të kualifikohet për në finalen e Australian Open pasi mundi në gjysmëfinale çekun Tomas Berdych.

Zvicerani do të luajë të dielën ndaj fituesit të çiftit Nadal-Federer finalen e tij të parë të karrierës në një Grand Slam.

Wawrinka mundi në katër sete Berdych: 6-3, 6-7, 7-6 dhe 7-6 në 3 orë e 31 minuta lojë.

Besimi dhe forca mendore vendosi “tiebreak”-un në setin e tretë dhe të katërt, aty ku Berdych bëri tre faulla të dyfishtë në shërbim që i kushtuan finalen e madhe të turneut australian.

“Nuk di çfarë të them. Kisha kohë që po mundohesha të luaja një finale Grand Slam-i dhe jam shumë i lumtur që më në fund ia arrita qëllimit. Sot shërbeva shumë mirë. Do ishte e mrekullueshme që të dielën të luaja ndaj Federerit, një finale e tëra zvicerane”, tha Wawrinka pas takimit.

Që të plotësohet dëshira e tij, duhet që Roger Federer të mundë spanjollin Rafael Nadal në gjysmëfinalen e ditës së premte. Takimi do të nisë në orën 09:30 me orën shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA