Xhezair Zaganjori, profesor i së drejtës ndërkombëtare, në një intervistë për Top-Channel në lidhje me planet e mundëshme të devijimit të lumit Radika thotë se asnjë shtet nuk mund të veprojë arbitrarisht pa marrë pëlqimin e shtetit tjetër, pasi për të tilla çështje, sipas së drejtës ndërkombëtare, tashmë ka katër parime.
“Parimi i integritetit territorial absolute, parimi i sovranitetit territorial absolute, parimi i bashkësisë së ujërave dhe parimi kufizimit të sovranitetit dhe integritetit territorial absolut. Shkurtimisht, sipas secilit parim të integritetit, lumenjtë nuk duhen të preken fare, duhet të lihen në rrjedhën e tyre natyrore dhe është e drejtë e vetëm riveranit, pra shtetit fundor që zotëron edhe deltën, të shfrytëzojë këto ujëra. Sipas parimit të sovranitetit, shteti brenda territorit të tij mund të bëjë ç’të dojë, por të dyja teoritë që hidhen sot unanimisht në të drejtën ndërkombëtare sugjerojnë se shtetet nuk mund të veprojnë arbitrarisht në çështjen e shfrytëzimit të ujërave”, deklaron Zaganjori.
Por si është vepruar në Europë në situata të ngjashme?
“Po t’i hedhim një sy marrëveshjeve të përfunduara pas Luftës së Dytë Botërore shohim që respektohet parimi i katërt, parimi i kufizimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve që lagen nga ujërat e ëmbëla. Praktika ndërkombëtare ka me dhjetëra shembuj, ndoshta dhe me qindra marrëveshje, por veçanërisht në Europë ka një praktikë të konsoliduar, siç janë marrëveshjet mes Suedisë dhe Norvegjisë, Francës dhe Belgjikës, që tregojnë më së miri faktin që në asnjë rast ujërat nuk mund të shfrytëzohen në mënyrë arbitrare”, nënvizon Zaganjori.
Profersori së drejtës ndërkombëtare shpjegon se marrveshja mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë mbetet ende e vlefshme, paçka se tashmë Jugosllavia është shndërruar në disa shtete.
“Referuar marrëveshjes së vitit 1956, që është një marrëveshje me natyrë teknike, në parim ajo duhet të jetë e vlefshme. Çështjet e ekonomisë ujore, pra të ndarjes dhe shfrytëzimit të ujërave të ëmbla që këto dy shtete ndajnë me njëri-tjetrin, duhet të trajtohet me konsensus të përbashkët referuar atyre standardeve që përmenden në marrëveshjen mbi ekonominë ujore të vitit 1956 për aq sa i takon shtetit të Maqëdonisë”, thekson Zaganjori.
Zaganjori jep edhe disa opsione për zgjidhjen e një ngërçi të mundshëm mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjithnjë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare.
“Nëpërmjet zhvillimit të bisedimeve diplomatike direkte, aq më tëpër që marrëveshja e vitit 1956 parashikon krijimin e një komisioni të përbashkët me ekspertë të dy fushave dhe pastaj si shkallë e dytë çështja mund t’i përcillet qeverive të dy vendeve, që të ndalen e të diskutojnë për përfitimet apo dëmet që shkaktohen nga një projekt konkret i palës tjetër. Dhe në mungesë të tyre, sigurisht ka mjete të tjera në dispozicion për të drejtën ndërkombëtare dhe duke u krijuar një koezion arbitrazhi mund t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, shton Zaganjori.
Top Channel