Shtetet e Bashkuara dhe OKB shprehën “tmerrin”, pas publikimit të raportit se regjimi sirian kishte torturuar sistematikisht dhe kishte ekzekutuar 11 mijë të burgosur, prej nisjes së kryengritjes në Siri, Marsin e 2011, deri në gusht të vitit të kaluar.
Për Uashingtonin, “raporti nënvizon nevojën për të rrëzuar regjimin e presidentit Bashar al-Assad”. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, tha se “SHBA-të dënojnë në termat më të ashpra këto raportime. Fotografitë e fundit janë shqetësuese – tha ajo, – dhe ilustrojnë vepra që mund të përbëjnë krime serioze ndërkombëtare. Prej kohësh e kemi thënë se, ata që janë përgjegjës për të tilla shkelje serioze në Siri, duhet të japin llogari”.
Rupert Colville, zëdhënësi i shefes për të Drejtat e Njeriut në OKB, Navi Pillay, i tha AFP-së se “këto raportime janë tejet alarmuese dhe shkalla e vrasjeve në burg, nëse verifikohet, është e frikshme. Pretendime kaq serioze nuk mund të injorohen dhe do të ishin të nevojshme hetime të mëtejshme”.
Faktet, që u bënë publike një ditë përpara konferencës së paqes në Zvicër, janë shkruar në raportin e autorizuar nga Katari, me autorë tre ish-prokurorëve për krime lufte, të cilët vëzhguan fotografitë e të dënuarve të ekzektuar, që iu dorëzuan nga një dezertor me emrin Ceasar.
Ky i fundit, së bashku me të tjerë, nxorrën jashtë Sirisë 55 mijë foto dixhitale të rreth 11 mijë të burgosurve.
Ceasar tha se puna e tij ishte të bënte fotografitë e trupave, për të bërë më pas çertifikatën e vdekjes dhe për të konfirmuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Sipas tij, në ditë fotografoheshin 50 trupa të pajetë, gjë që kërkonte 15-30 minuta punë për çdo trup. Ai nuk kishte marrë pjesë në vrasje apo tortura, çka sipas hetuesve i jep peshë dëshmisë së tij.
Të gjithë trupat e pajetë, përveç njërit, ishin meshkuj. Përpara bisedimeve, që do të nisin në Motre të mërkurën dhe do të vazhdojnë në Gjenevë, dy ditëve në vazhdim, presidenti amerikan Barack Obama i telefonoi homologut rus Vladimir Putin, për të diskutuar mbi konferencën.
Përmes një raporti të publikuar të martën, HRW – organizata e të drejtave të njeriut – akuzoi qeverinë siriane dhe forcat opozitare për abuzime me të drejtat e njeriut, përfshirë tortura dhe ekzekutime pa gjykim.
Organizata nënvizon se “Gjeneva II nuk duhet të kthehet në justifikimin e fundit, për të shmangur veprimet në mbrojtje të civilëve sirianë”.
Top Channel