Spanjë, protesta e pazakontë kundër investimeve

17/01/2014 17:25

Banorë të qytetit spanjoll të Burgosit u bënë protagonistë të një prej protestave më të pazakonta ndonjëherë, duke dalë të shumtë në qendër të qytetit të tyre për të kundërshtuar investimet e parashikuara nga autoritetet vendore.

Protesta e qytetarëve u motivua nga planet e bashkisë për të shpenzuar 10,9 milionë euro të taksapaguesve, për të ndryshuar një prej arterieve kryesore rrugore të qytetit, me qëllim për ta bërë atë më tërheqëse dhe funksionale.

Sipas qytetarëve, në një kohë kur vendi po përjeton shkurtime dhe shumë prej tyre kanë humbur vendet e punës, një investim i tillë përbën një luks të tepruar.

Për banorët e Burgosit, këto para duhet të përdoren për të financuar skemat e shërbimeve shoqërore, për të bërë të mundur rritjen reale të nivelit të jetesës së tyre, diçka që një bulevard më i bukur, qartësisht nuk mund ta bëjë.

Si rrjedhojë e kundërshtimeve publike, kryebashkiaku urdhëroi pezullimin e punimeve, por shtoi se rimodelimi i “Calle Vitoria” ka si synim pikërisht përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Në bazë të planit të ri, kësaj rruge do t’i shtohet një korsi për biçikleta dhe më shumë gjelbërim.

Me 26% të popullsisë aktive të papunë, Spanja është vendi i dytë pas Greqisë me papunësinë më të lartë në Eurozonë dhe qyteti i Burgosit, ashtu si të gjithë qytetet e tjera spanjolle po përjeton një rritje drastike të papunësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA