
Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e vona të së mërkurës dy persona
të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçarit në oborrin e shkollës “Emin
Duraku”, në Prishtinë një ditë më parë.
Burime policore, të cituara nga “RTK”, bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar dy të rinj, të moshave 17 dhe 24 vjeç, të identifikuar vetëm me inicialet L.S dhe A.S.
Sipas burimeve, i pari dyshohet si ekzekutor material i vrasjes, ndërsa i dyti për bashkëpunim në kryerjen e krimit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ata janë dërguar në qendrën rajonale të burgimit në Prishtinë, deri në përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
Burime jozyrtare deklaruan të mërkurën se vrasja mund të jetë kryer në shenjë hakmarrjeje pasi babai i viktimës dyshohet se ka vrarë një person vitin e kaluar në Mazgirt të Turqisë.
Nga hetimet paraprake rezultoi se 14-vjeçari i vrarë kishte vetëm 3 ditë në Kosovë, pasi prej vitesh jetonte bashkë me familjen në Suedi.
Top Channel