Video/ Emigranti i dënuar për ngacmim seksual lirohet gabimisht nga burgu, arrestohet sërish pas pak ditësh Janet Yellen, një nga forcat kryesore prapa përpjekjeve të paprecedenta dhe kontroverse të Rezervës Federale (Bankës Qendrore Amerikane) për t’i dhënë një shtysë ekonomisë amerikane, u konfirmua nga Senati gjatë ditës së hënë, për të qenë në krye të këtij institucioni.
Kur të pasojë Ben Bernanke-n, mandati i dytë katërvjeçar i të cilit skadon më 31 Janar, Yellen do të bëhet e para grua që vihet në krye të Rezervës Federale në historinë e saj 100-vjeçare, si dhe një nga të paktat femra, që mbajnë këto poste në bankat qendrore të vendeve të ndryshme të botës.
Aktualisht, Yellen është zv/kryetare e Rezervës Federale. Votimi për miratimin e kandidaturës së saj përfundoi me 56 vota pro dhe 26 kundër. E mbështetën demokratët, por shumë republikanë i thanë ‘jo’ kësaj kandidature.
Rezerva uli normën e interesit brenda natës, duke e bërë thuajse zero gjatë fundit të vitit 2008, dhe ka katërfishuar bilancin e saj, pak më shumë se 4 trilionë dollarë, përmes një serie programesh të blerjes masive të obligacioneve, në mënyrë që të ulte sa më shumë kostot e huamarrjes afatgjatë.
Yellen, 67 vjeçe, kaloi vite të tëra në mbrojtje të përpjekjeve të saj, duke argumentuar – qoftë gjatë kohës si zëvendëse e Bernanke-s, ashtu edhe më parë, kur ajo ishte kryetare e Bankës së Rezervës Federale të San Francisco-s, – se nëpërmjet tyre do të reduktohej kostoja e huamarrjeve, do të rritej punësimi dhe do arrihej në një rritje ekonomike.
Tashmë, ato politika duken më se funksionale: norma e papunësisë në SHBA ra gjatë muajit Nëntor në 7%, niveli më i ulët gjatë këtyre 5 viteve, ndërsa ekonomia ka pësuar një rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013, me shpejtësinë më të madhe në këto 2 vitet e fundit.
Top Channel