Ata që vranë më 21 janar akuzojnë policinë për vrasje?!

07/01/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Mllefi i lidershipit të Partisë Demokratike (PD) për
humbjen e pushtetit është aq i madh sa po e shtyn drejt reagimeve me
tipare groteske kundër qeverisë. Reagimi i një partie opozitare kundër
një qeverie është pjesë e lojës demokratike.

Por ky duhet të jetë një reagim kritik, që me fakte dhe logjikë, provon gabimet e qeverisë. Ndërkaq, nuk i vlejnë aspak demokracisë dhe mirëqeverisjes, reagime opozitare që tentojnë të baltosin edhe ato aksione që janë qartazi në përputhje me ligjin, të drejtën dhe për rrjedhojë, edhe interesin publik. Dhe një reagimi i tillë destruktiv ishte deklarata e PD-së mbi vrasjen nga Policia e Shtetit e një shtetasi në kërkim që jo vetëm kish hapur zjarr kundër policisë, por edhe kish plagosur një polic. Një deklaratë që jo vetëm injoron faktet e ditës, por shënon një standard krejt ndryshe krahasuar me qëndrimet që ka mbajtur PD-ja në rastin e vrasjes nga gardistët të 4 protestuesve paqësorë në atë që do mbetet në histori si masakra e 21 janarit. Ndryshe në qeveri dhe ndryshe në opozitë?! A është ky morali që duhet të promovojë një parti?

***

Duke marrë shkas nga një “bravo” e panevojshme publike e ministrit të Brendshëm për forcat e policisë, PD-ja e akuzoi Tahirin se po e konsideron Policinë e Shtetit si një organizatë që merr hak duke harruar ligjet dhe rregullat e shtetit. Por faktet provojnë se alarmi i PD-së është fals dhe shqetësimi i saj i shtirur. Sepse policia i është përgjigjur me zjarr-zjarrit të një personi në ndjekje dhe që kish qëlluar mbi policinë. Nuk është fjala se e vranë, sikundër aludohet në deklaratën e PD-së, për hakmarrje ngaqë në një përpjekje të mëparshme po me policinë, kish plagosur një polic. Është fjala se hapi përsëri zjarr mbi policinë. Dhe në asnjë vend të botës nuk ndodh që dikush të qëllojë me armë mbi policinë dhe policia të mos përgjigjet me armë. Është si të qëllosh mbi shtetin dhe shteti të mos qëllojë mbi ty! Në SHBA ka pasur raste kur edhe një fëmijë apo adoleshent që ka drejtuar një armë lodër mbi policët dhe këta të fundit, në pamundësi të bëjnë dallimin mes lodrës dhe armës reale, e kanë vrarë sepse janë ndier të kërcënuar.

***

Me gjithë përpjekjen për të demonizuar ministrin, policinë, qeverinë dhe natyrisht edhe Kryeministrin Rama, faktet i kanë detyruar hartuesit e deklaratës të pohojnë se “Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe qytetarëve”. Cili është kuptimi i kësaj fraze? Që PD-ja mbështet aksionet e policisë edhe kur sjellin pasoja ekstreme, që në këtë rast, është vrasja e dikujt që qëllon policinë me armë. Sepse e vetmja “masë e nevojshme për sigurinë e policisë” kur dikush e qëllon me armë, është që t’i përgjigjet me armë. Me frazën e mësipërme, edhe PD-ja i ka thënë, në thelb, “bravo” policëve njësoj si vetë ministri Tahiri që ajo kritikon. Ndaj nëse ministri Tahiri do të përfaqësonte “rrezik publik” për një “bravo” të tillë, rrezik do të përfaqësonte edhe vetë PD-në. Është mirë që një parti opozitare serioze t’i japë më shumë vlerë thelbit të gjërave, veprave dhe jo fjalëve e lojërave me to. Bravo-ja e Tahirit është e debatueshme, në pikëpamjen time e tepërt, por veprimi i policisë, në raport me faktet që janë raportuar në media, është i pakritikueshëm. Dhe pikërisht këtë, dhe jo rastësisht, deklarata e PD-së nuk e thotë.

***

“Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj” – shkruhej në deklaratën e PD-së. Ç’do të thotë reagim proporcional? Do të thotë që nëse dikush e qëllon policinë me armë zjarri, kjo nuk mund të mos i kundërpërgjigjet me armë zjarri. Dhe në incidentin në fjalë, ku humbi jetën personi në kërkim, kështu raportohet se ka ndodhur. Përgënjeshtrim nuk ka pasur. Prandaj do qe më e ndershme që krahas kritikës për një “bravo”, PD të pohonte se e mbështeste reagimin proporcional të policisë. Por nuk e bën këtë. Ndërkaq, më 21 janar 2011, qeveria e PD-së dhe kryeministri në atë kohë Berisha, kanë mbështetur gardistët, edhe pse reaguan jo proporcionalisht duke qëlluar dhe duke vrarë me armë 4 protestues që jo vetëm nuk qëlluan policinë por, nuk kishin fare armë zjarri me vete. Fillimisht kryeministri Berisha u përpoq t’ia faturonte masakrën protestuesve duke i akuzuar se ishin armatosur me thika me helm, me pistoleta çadër me të cilat, paskëshin vrarë nga afër protestuesit. Berisha e ka zakon që skenarët fashistoidë që bluan në mendjen e çoroditur, t’ia faturojë jo rrallë kundërshtarëve. Por një kronikë profesionale e gazetarit kurajoz Artan Hoxha, e shpëtoi opozitën e majtë nga një kurth kriminalizimi që po i ngrinte Berisha. Kronika provoi botërisht me figurë se protestuesit ishin vrarë nga gardistët. Dhe vetëm pas kësaj Berisha, i palodhur në gënjeshtra dhe mashtrimin e publikut, u përpoq ta paraqiste reagimin e gardistëve si “proporcional”, pra sikur kishin qëlluar ndaj demonstruesve që kishin dashur të kryenin një puç. Po bëhen tre vjet dhe asgjë nga këto akuza të Berishës nuk u vërtetua. Edhe pse ai vetë ngriti një komision hetimor parlamentar. Ndërkaq të vrarët e qeverisë “Berisha” janë një fakt tragjik, një provë që akuzon. Dhe pikërisht se drejtësia nuk e ka ndëshkuar ende këtë krim, janë po ata që vranë më 21 janar që sot kanë kurajë të aludojnë për policinë se vrau. Si përherë dhe kudo ku mungon drejtësia, vendin e saj do ta zërë padrejtësia. Boshllëk nuk ka.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA