Khodorkovsky transferohet në Zvicër

05/01/2014 21:40

Ish-manjati rus i naftës, Mikhail Khodorkovsky, i cili u la i lirë nga një prej burgjeve ruse gjatë muajit të kaluar, ka mbërritur në Zvicër, ku i është ofruar një vizë 3-mujorshe.

Zëdhënësi i tij tha se Khodorkovsky dhe gruaja e tij udhëtuan me tren nga Gjermania drejt Bazelit, për të shoqëruar 2 fëmijët e tyre që do të rikthehen në shkollat e tyre zviceriane.

Khodorkovsky shkoi në Gjermani më 20 Dhjetor, menjëherë pasi fitoi amnistinë nga presidenti rus Vladimir Putin. Ai kaloi 10 vjet në burg, për shkak të mashtrimit dhe evazionit fiskal, por këmbëngul se dënimi i tij ishte i motivuar politikisht.

Gjatë udhëtimit për në Bazel, të dielën, Khodorkovsky tha për televizionin zvicerian se dëshironte të niste një fushatë për të liruar të burgosurit.

“Nuk mund të qëndrosh i qetë, kur e di shumë mirë se të burgosurit politik dergjen burgjeve”, tha ai. “Besoj se nisja e një fushate për lirimin e atyre, që janë burgosur pa asnjë justifikim, është detyrë e çdo qytetari të civilizuar. Për sa kohë që jam i shqetësuar për këtë, asgjë nuk ka të bëjë me politikën”, shtoi ai.

Khodorkovsky nuk ka vendosur ende, nëse dëshiron të qëndrojë përfundimisht në Zvicër, deklaroi zëdhënësi i tij. Biznesmeni rus u pasurua shumë shpejt nga privatizimi kontrovers i aseteve shtetërore sovietike. Në 1995-n, ai kërkoi (dhe i bleu) aksionet e gjigantit të naftës ruse, Yukos.

Pasi erdhi në pushtet presidenti Vladimir Putin, Khodorkovsky e shfaqi hapur mbështetjen e tij për opozitën liberale. Në 2005-n, ai u dënua me 8 vjet për evazion fiskal, mashtrim dhe përvetësim. Dy vjet përpara se të lirohej, ai u dënua sërish me akuza të tjera të përvetësimit dhe larjes së parave.

Ai do të duhej të lirohej nga burgu në muajin Gusht të këtij viti, por kërkoi t’i falej dënimi i mbetur për shkak se e ëma vuan nga kanceri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA