Nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas, edhe pse jetojnë në një shtet, shumë pak e njohin njëri-tjetrin.

Për të eliminuar paragjykimet dhe për të mundësuar afrimin mes tyre, në Maqedoni ka filluar të zbatohet një projekt me emrin “Integrimi ndëretnik në arsim”, ku përfshihen të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

Në kuadër të këtij projekti, nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas realizojnë vizita nëpër qytete dhe shkolla të ndryshme, për t’u njohur me njëri-tjetrin.

“Unë jam bërë pjesë e këtij projekti, sepse dua të njihem me nxënës të etnive të tjera, të ndajmë momente të përbashkëta dhe të eliminojmë barrierat që ekzistojnë mes nesh”, tha Marica Milajkova, nxënëse në shkollën e mesme “Jane Sandanski”, në Strumicë.

“Jam shumë e lumtur që ndodhem në këtë projekt, sepse më ndihmon në përmirësimin e gjuhës maqedonase dhe në bashkimin e shoqërisë me nacionalitetet e tjera”, tha Nazlie Miftari, nxënëse në shkollën “Zef Lush Marku”, në Shkup.

Të enjten, nxënësit shqiptarë nga gjimnazi “Zef Lush Marku” në Shkup kanë pritur bashkëmoshatarët e tyre maqedonas nga shkolla e mesme “Jane Sandanski” në Strumicë. Drejtuesit e dy shkollave thonë se takimet po japin rezultate.

“Projekti synon që të mos shkojmë deri te rrahjet dhe ngacmimet ndëretnike, synon respektin mes njëri-tjetrit dhe të eliminojë stereotipet”, tha Naser Miftari, zv/drejtor në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup.

“Arritëm t’i njohim nxënësit me njëri-tjetrin, ata po mbajnë kontakte nëpër rrjetet sociale. Bashkëpunimi reflektohet sot këtu, ku u pritëm në një atmosferë të ngrohtë. Besoj se kjo miqësi do të vazhdojë në të ardhmen”, tha Vanja Veleva, drejtore e shkollës “Jane Sandanski”, në Strumicë.

Megjithatë, procesi i njohjes nuk është aq i lehtë. Komunikimi përbën një pengesë të madhe. Nxënësit maqedonas nuk njohin gjuhën shqipe, ndërsa edhe të rinjtë shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më pak interes për maqedonishten.

“Kemi kontaktuar në gjuhën maqedonase, sepse ne nuk flasim gjuhën shqipe. Mundohemi të mësojmë disa fjalë në shqip, por ky është vetëm takimi ynë i dytë, mendoj se do të kemi takime të tjera dhe do të mësojmë më tepër fjalë”, tha Hriste Muçev, nxënës në shkollën e mesme “Jane Sandanski” në Strumicë.

“Jam shumë e lumtur, që marr pjesë në këtë projekt, sepse më ndihmon shumë, që të përmirësoj gjuhën dhe të kuptoj se nuk ka rëndësi, që unë jam shqiptar apo dikush tjetër është maqedonas. Me rëndësi është që të shoqërohemi së bashku”, tha Ajnure Beqiri, nxënëse në shkollën “Zef Lush Marku” në Shkup.

Mosnjohjen e gjuhës shqipe nga maqedonasit dhe rënien e interesit te shqiptarët për ta mësuar maqedonishten, e ka evidentuar edhe Raportuesi i Parlamentit Europian për Maqedoninë, Richard Hovit.

Në projekt/rezolutën e tij drejtuar Parlamentit Europian, për vlerësimin e progresit të Maqedonisë në planin e eurointegrimeve, Hovit nënvizon se mosnjohja e gjuhëve çon drejt thellimit të ndarjeve dhe konfliktit potencial në linja etnike mes nxënësve në Maqedoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA