Sjelljet e dhunshme të të rinjve

04/12/2013 00:00

Sjelljet e dhunshme të të rinjve, që jo rrallë përfundojnë në plagosje apo vrasje, nuk janë më raste të izoluara në ambjentet brenda shkollës apo edhe jashtë tyre.

Studimi i fundit i kryer në shkollat e mesme të Tiranës nga Qendra Shqiptare për Popullësinë dhe Zhvillimin tregon se depresioni prek më shumë nxënësit që nuk kanë lindur në Tiranë, që nuk kanë rezultate të mira në mësime dhe që vijnë kryesisht nga familje të varfëra.

Në këtë studim, të kryer nga ekspertë të shëndetit publik dhe psikologë, rezulton se rreth 18% e nxënësve klasifikohen ‘në vështirësi’ dhe rreth 23% të tjerë manifestojnë egoizëm dhe papërgjegjshmëri. Vërehet një proporcion më i lartë meshkujsh me një sjellje të tillë problematike krahasuar me femrat.

Vetëm 50% e nxënësve mendojnë të kërkojnë ndihmë në rastet kur ata kanë probleme dhe kryesisht janë vajzat që kërkojnë ndihmë në familje, apo në shoqëri.

Mësuesi, psikologu, punonjësit socialë, apo edhe mjeku vazhdojnë të luajnë një rol të vogël në jetën e një adoleshenti, pasi në raste depresioni ata nuk shihen si zgjidhje për të rinjtë.

Adoleshentët, të cilët vijnë nga familje me probleme janë në jo pak raste autorë të vjedhjeve, përdorimit të lëndëve narkotike, kërcënimeve, apo kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura.

Studimi i kryer së fundmi nga fondacioni sugjeron se zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve tregon se një pjesë e madhe e të miturve që i përkasin moshës 14 deri në 18 vjeç, e që kanë kryer vepra penale, vijnë nga familje shumë të varfëra dhe nuk janë në shkollë.

Janë rreth 121 të mitur të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale. Vjedhja është vepra më e shpeshtë për këtë grup të miturish. Vetëm nga ata të moshës 17 vjeç janë 38 të dënuar, ku 29 prej tyre kanë kryer vepra penale kundër një personi tjetër.

Specialistët: Ja motivet e dhunës në ambjentet rinore
Gjoka: Vjen kryesisht nga familjet e varfëra dhe rurale

Për të folur mbi këtë situatë shqetësuese, për rritjen e dhunës mes adoleshentëve në shkolla, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar Rasim Gjoka, drejtor i Fondacionit Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarreveshjeve, fondacion që ka realizuar edhe një prej studimeve të mësipërme.

TCH: Në jo pak raste kemi ngjarje të tilla tragjike, brenda dhe jashtë shkollave. Çfarë po ndodh me adoleshentët dhe familjet shqiptare?

Gjoka: Duke e parë në një plan më të gjerë, nga të dhënat tona konstatohet se ka një tendencë në rritje të kriminalitetit dhe konfliktualitetit në ambjentet shkollore dhe rinore. Nga studimet konstatohet se kjo prani është për shkaqe të ndryshme. Kryesisht rritja e varfërisë në familjet e moshave rinore, diferenca e të rinjve për t’u prezantuar dhe çështje që kanë të bëjnë me adoleshencën, që shpesh herë përfundojnë në dhunë dhe keqkuptime. Kjo ndodh kryesisht tek fëmijët e familjeve që vijnë nga zonat malore dhe ato të izoluara.

TCH: Ju jeni marrë për një kohë të gjatë me të rinj të cilët kanë kryer vepra penale. Pse të miturit shkojnë drejt kryerjes së veprave të tilla? Sa ndikon familja, por edhe gjendja e tyre ekonomike dhe a ka një trend që adoleshentët që vijnë nga familjet e varfëra diskriminohen?

Gjoka: Po t’i referohemi studimit të fundit konstatojmë se 70 për qind e të miturve që kryejnë vepra penale janë nga familje të varfëra dhe me nivel të ulët arsimor. Ata kryejnë kryesisht dhunë ndaj personit, vjedhje, shpërndarje narkotikësh, etj. Dhuna në familje reflektohet më pas në mjediset sociale.

TCH: Në studimin tuaj rezulton se të miturit dënohen kryesisht për vjedhje, por edhe për dhunim të një personi tjetër. Pse ndodh kjo sjellje dhe si duhet të reagojë shoqëria, pra trekëndëshi familja, shkolla dhe shoqëria?

Gjoka: Është një komponent me tre elementë të rëndësishëm. Nëse njëri nga elementët nuk kryen atë që i takon, situata rrezikon të përshkallëzohet. Në seksionin e paraburgimit për të mitur ka një program të veçantë, të sponsorizuar nga Save the Childrens. Nga ana tjetër, mosparandalimi i këtyre fenomeneve në mjediset shkollore mund të çojë në situata tragjike. Ekziston vëmendja për të parandaluar dhunën, por nuk ka një mekanizëm. Prandaj po punohet që kjo të zbatohet dhe që të eleminohet dhuna që në fazën embrionale, që të mos shkojë deri në këtë pikë.

Top Channel