“Personazhi i Vitit” në Top Channel

03/12/2013 00:00

Top Channel ka nisur sondazhin për “Personazhin e Vitit 2013”. Në këtë fazë të parë, publiku mund të votojë duke klikuar në faqen e internetit top-channel.tv, në linkun “Personazh”, emrat e pesë personave apo lëvizjeve publike të preferuara.

Përpos emrave, kërkohet edhe adresa e postës elektronike e votuesit. Pas votimit, në adresën elektronike do të mbërrijë një link, i cili duhet klikuar në mënyrë që vota të bëhet e vlefshme.

Kjo fazë e parë do të zgjasë nga 3 deri më 19 dhjetor.

Në fazën e dytë të sondazhit, 10 emrave më të votuar të publikut, do t’u shtohen 10 propozimet e Top Channel. Kjo fazë do të zgjasë nga data 20-30 dhjetor.

“Personazhi i Vitit”, pra fituesi i sondazhit, i cili do të ketë grumbulluar më shumë vota do të shpallet në edicionin qendror të lajmeve të datës 31 dhjetor.

Ky është viti i nëntë që Top Channel organizon përzgjedhjen e “Personazhit të Vitit”, duke i lënë publikut vlerësimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në fusha të ndryshme përgjatë vitit që po lëmë pas.

Një vit më parë, “Personazhi i Vitit 2012” shkoi për grupin e alpinistëve shqiptarë që ngjitën në majën e Everestit flamurin tonë kombëtar.

Top Channel