Debati final pas procesit të konkurimit të hapur për kreun e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Gjirokastrës ka përfunduar me përzgjedhjen në këtë post të Lindita Rovës, njëra prej 5 konkurentëve të ftuar për të prezantuar platformat e tyre para një komisioni 7 anëtarësh.
Të 5 kandidatët kanë vecuar si sfida që duhet të marrin zgjedhje emergjente funksionimin e meritokracisë në sistemin e arsimit, rryshfetet, korrupsionin, kurset private dhe sistemin e keqmenaxhuar të maturës shtetërore.
Rova është pedagoge pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, por ajo tha se qasja e saj me arsimin parauniversitar është e konsoliduar dhe se pjesë e planeve të saj të menaxhimit është strategjia për një arsim të hapur dhe të cliruar nga ndikimi i politikës.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duke komentuar klimën e përgjithshme që po shoqëron zgjedhjen e krerëve të Arsimit në disa qarqe pranoi se kjo klimë mund të jetë e ngarkuar me paragjykime që janë të natyrshme për një proces demokratik, por ajo nënvizoi se përzgjedhja ishte pjesë e një procesi të gjerë konsultimi publik dhe u realizua me transparencë të plotë. Ministrja tha se procesi do të vijojë me të njëjtin format të ri dhe të paaplikuar më parë edhe në qarqe të tjera me synimin madhor për transparencë me publikun për të reformuar sistemin drejt një shkolle të hapur me qasje për pasionet e vecanta të nxënësve dhe rritjen e nivelit shkencor.
Top Channel