Subvencionet në bujqësi

18/11/2013 00:00

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaron se Qeveria do të shkojë
drejt një skeme të re mbështetje për fermerët, e cila bazohet tek
subvencionet me para në dorë për produktin e gatshëm.

“Fermeri, kultivuesi merr paratë e mundit dhe djersës së tij, në momentin kur dorëzon produktin në pikat e tij të grumbullimit. E mira kësaj skeme është se kjo skemë. në njëfarë mënyrë lidh më mirë prodhimin me argo-përpunimin dhe me tregun, në raport me skemën e parë. Vizioni im është që ne duhet të mbështesim rezultatin dhe jo thjesht përpjekjen, për arsye sepse mekanizmi i mbështetjes së përpjekjes, jo gjithmonë është rezultativ”, tha Panariti.

Vitin e kaluar fermerët shqiptarë përfituan rreth 11 milionë euro si mbështetje direkte nga buxheti, kryesisht për mbjelljen e drurëve frutorëve dhe mbarështimin e kafshëve. Këtë vit, zoti Panariti shpreson që fondi të dyfishohet.

“Ne natyrisht jemi në fazën e përgatitjes së buxhetit të ri, ku unë do të instistoj që fondet për mbështetjen e bujqësisë të kenë një rritje te ndjeshme. Nga ana tjetër unë kam patur takim me të gjithë donatorët, duke nisur që nga BE-ja, por edhe me donatorë të tjerë nga Italia dhe Gjermania, për të rritur mbështetjen financiare në ndihmë të fermerit, në ndihmë të bujqësisë shqiptare. Nëpërmjet këtyre skemave që unë përmenda pak më përpara, duke mbështetur rezultatin, në raport thjesht me përpjekjen”, u shpreh Panariti.

Bujqësia jep rreth 20 për qind të Prodhimit Kombëtar, por merr mbrapsht nga buxheti vetëm 0.5 për qind të PBB-së. Qeveria thotë se pavarësisht krizës së financave do ta rrisë mbështetjen për sektorin që këtë vit dhe paralelisht me këtë do prezantojë një sërë masash për të të rritur sipërfaqen e fermave.

“Jemi të përqendruar që të fillojmë sa më parë shpërndarjen e certifikatave të pronësisë, gjë që do të bëjë të mundur edhe hapjen e tregut të tokës, që do të çojë në zgjerimin e sipërfaqes së kultivuar, e cila për të qenë interesante, të jetë rentabël nga pikëpamja ekonomike, duhet të paktën të kapërcejë 15 hektarë, pra me stimulin e mekanizmit të shitblerjes ne do të aplikojmë edhe taksën mbi tokën, gjë që do të krijojë një fond që do të vihen në dispozion të ish-pronarëve për të vënë në lëvizje kompensimin financiar të tyre”,  tha Panariti.

Sipas shifrave zyrtare sipërfaqja mesatare e fermave në Shqipëri është rreth 1.2 hektarë nga 27 hektarë që është mesatarja e BE-së. Zoti Panariti thotë se veç stimulimit të shitblerjes së tokës, prioriteti i dytë i bujqësisë do të jenë investimet në rrjetin e ujitjes.  

Top Channel