Tregtia e lirë mes BE dhe SHBA

17/11/2013 20:00

Bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes BE-së dhe SHBA-ve nuk kanë prodhuar ende asnjë rezultat.

Në tryezë, çështjet mbeten të hapura edhe pas pesë ditë konsultimesh të delegacioneve nga të dyja anët e Atlantikut.

Në Bruksel, atmosfera ishte pozitive, por raundi i dytë i negociatave, pas çeljes së tyre në Ëashington këtë verë, nuk prodhoi asgjë konkrete.

“Patëm një seri takimesh të suksesshme e produktive këtë javë, të zhvilluara në një frymë pozitiviteti dhe angazhimi konstruktiv. Raundi i dytë i diskutimeve për marrëveshjen e tregtisë së lirë na dha mundësinë të shqyrtojmë, më thellësisht në perspektivën tonë, edhe këndvështrimin e palës tjetër ndaj marrëveshjes në fjalë dhe investimeve”, tha Dan Mullaney, kryenegociator i SHBA-ve.

Zyrtarisht, asgjë nuk bëhet e ditur, sepse negociatat për “Partneritetin Transatlantik në Tregti dhe Investime” zhvillohen në fshehtësi.

Materialet konsiderohen dokumente sekrete; në Europë ato i dorëzohen vetëm deputetëve të përzgjedhur në Parlamentin Europian, ndërsa në Amerikë, përmbajtjen e tyre e dinë rreth 600 persona, kryesisht përfaqësues të grupeve lobiste, shoqatave të ekonomisë dhe kongresmenë, me të cilët të ngarkuarit me çështjet e tregtisë duhet të konsultohen rregullisht.

Kundërshtarët e globalizimit nga grupi “Attac” apo edhe “Greenpeace” vazhdojnë ta kritikojnë fshehtësinë rreth këtyre negociatave dhe kërkojnë më shumë transparencë.

Kritikët e marrëveshjes, ndërkohë, mes të cilëve shoqata konsumatorësh, fermerë ekologjikë e mbrojtës të ambientit, i drejtuan javën e kaluar një letër të hapur presidentit amerikan, Barack Obama, dhe kreut të Komisionit Europian, Barroso, ku kërkonin të mos ndiqen vetëm interesat e koncerneve të mëdha, por të mbrohen edhe të drejtat e konsumatorëve, fermerëve, punëmarrësve dhe grupeve në mbrojtje të ambientit.

Si në SHBA, ashtu edhe në Europë, ekziston frika se marrëveshja e re mund të sjellë ulje të standardeve në sigurinë e ushqimeve, farërave, mbrojtjen e klimës, si dhe mbrojtjen e të dhënave dhe pronës intelektuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA