Përkundër tensionit në katër komunat në veri të Kosovës, misioni i Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve vlerëson se zgjedhjet e 3 nëntorit shënuan një hap përpara për demokracinë.

Shefi i këtij misioni, Roberto Gualtieri, gjatë prezantimit të raportit tha se, me gjithë përpjekjet për t’u penguar procesi në veri të Mitrovicës, kjo nuk është arritur, sepse qytetarët arritën ta shprehin vullnetin e tyre.

Ai dënoi sulmin në veri, ndërkaq, sa i përket asaj se çfarë duhet të bëhet me votat e qendrave të votimit ku ka pasur sulme, Gualtieri tha se kjo i takon Komisionint Qendror të Zgjedhjeve të vendosë.

“Ka pasur kërcënime dhe probleme, pra siç është shkruar në raport, në një ambient që nuk ka qenë i përshtatshëm për votime. Të gjitha sulmet, në të tria vendvotimet, kanë penguar votimin e rregullt. Në të njëjtën kohë konsiderojmë se, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta, të cilat nuk kanë qenë të zakonshme, pa marrë parasysh problemet, disa qytetarë kanë votuar dhe ky është një fakt pozitiv. Pra, ky fakt do të thotë se ata, që kanë sabotuar procesin, kanë dështuar. Ato vendvotime do të ekzaminohen dhe do të varet nga KQZ-ja. KQZ-ja duhet të marrë vendimin, nëse duhet të vazhdohet numërimi”, tha Roberto Gualtieri, shef i Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Edhe raporti i misionit ndërkombëtar ENEMO vlerëson se qytetarët nuk u lejuan lirshëm të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në 4 komunat në veri. Në një konferencë për media, kryesuesi i këtij misioni, Zlatko Vujovic, fajësoi institucionet e sigurisë në veri, të cilat – sipas tij – nuk reaguan ndaj atyre që penguan procesin e votimit. Ai tha se ka pasur raste, kur vëzhguesit u janë ankuar oficerëve policorë, por ata nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

“Disa nga vëzhguesit tanë në veriun e Mitrovicës kanë marrë kërcënime dhe ne i kemi raportuar ato në polici. Ne kemi kërkuar nga oficerët policorë që të ndërhyjnë, por nuk ka pasur reagime, pavarësisht se ata kanë qenë afër qendrës së votimit. Kjo nuk është e mirë, sepse mendoj që forcat e sigurisë duhet të reagojnë, në mënyrë që të krijojnë një ambient, në të cilin të gjithë votuesit mund të shprehin lirshëm të drejtën e tyre për të votuar”, tha Zlatko Vujovic, kryesues i misionit ndërkombëtar ENEMO.

Sfidë tjetër, sipas ENEMO-s, mbetet pasaktësia e listës së votuesve. ENEMO kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se nuk ka mundur të sigurojë interpretim të saktë të ligjeve, lidhur me dokumentet për identifikimin e votuesve më të drejtë vote.

Si pasojë e kësaj, në disa komuna është lejuar votimi i votuesve me dokumente të huaja (kryesisht serbe) dhe me afat të skaduar, ndërkohë që në komuna të tjera është lejuar votimi vetëm për votuesit me dokumente të vlefshme të Kosovës.

Zgjedhjet e 3 nëntorit u monitoruan nga 30 mijë vëzhgues, 250 prej tyre kanë qenë të organizatave ndërkombëtare. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të monitorojnë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve.

Top Channel