Sequi, takime me Metën dhe biznesin

18/10/2013 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi u takuan në sallën e seancave parlamentare me të rinjtë e “European Union Albania”, të cilët ndodhen në Tiranë për një konferencë tre-ditore.

Kryeparlamentari Ilir Meta e vlerësoi si mjaft pozitiv raportin e KE-së për Shqipërinë dhe theksoi se roli i të rinjve është shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit.

“Procesi i transformimit për ne do të thotë që do të duhet t’i përshatemi dhe t’i zbatojmë standardet e BE dhe kush më mirë se sa rinia jonë mund ta arrijë këtë?”, u shpreh Meta.

Ndërsa ambasadori Sequi kërkoi nga të rinjtë të promovojnë idetë e tyre pasi kjo është mjaft e rëndësishme për të ecur përpara. “BE ka nevojë për dialog. Modeli i BE-së është i rëndësishëm për të rinjtë”, deklaroi përpara të rinjve Sequi.

Sequi: Biznesi, faktor kyç për integrimin
Sektori të avancojë zhvillimin ekonomik

Më vonë gjatë ditës së premte ambasadori Sequi diskutoi progres-raportin me komunitetin e biznesit, në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, ambasadori Sequi tha se, progres-raporti është një dokument i cili na jep një skanim të situatës së deritanishme dhe gjithashtu ofron edhe mënyra se si duhet të ecet përpara në të ardhmen.

Duke u ndalur tek ekonomia, ambasadori Sequi tha se biznesi është motori i rritjes ekonomike dhe punësimit në vend, ndërsa e cilësoi këtë sektor një aktor kyç sa i përket reformës drejt Bashkimit Europian.

Ndërsa, përfaqësuesi i KE-së, Klaud Rambou tha se Shqipëria duhet të vazhdojë punën dhe të japë rezultate me qëllim që në dhjetor të ketë arritje. Prioritetet kanë të bëjnë me administratën publike, gjyqësorin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe të drejtat e njeriut.

“BE është e angazhuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por për këtë palët duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, ky është edhe mesazhi i Brukselit”, deklaroi përfaqësues i KE. 

Top Channel