“Shqip” me Patrick Poivre d’Arvor

14/10/2013 00:00

Patrick Poivre d’Arvor, është një gazetar i televizionit francez dhe shkrimtar. Ai është spikeri që mban numrin më të lartë të prezantimit të lajmeve, në botë, me rreth 40 vite punë në televizion dhe me prezantimin e më shumë se 4500 edicione lajmesh në televizion.

Rudina Xhunga: Është kënaqësi që jemi bashkë në këtë intervistë. Keni vizituar 165 vende. Pse keni ardhur kaq vonë në Shqipëri?

Patrick Poivre d’Arvor: Faleminderit, së pari. Është një proverb franceze që thotë “më mirë vonë, se kurrë”. Dhe unë e ndreqa këtë gabim. Unë kam shkuar shpesh në vende që kanë pasur shumë probleme, konflikte dhe luftëra. Rrotull jush ka pasur shumë luftëra. Për fat, ju s’keni pasur luftë. Prandaj s’kam ardhur t’ju vizitoj. Përfitova nga një çast i qetë në jetën time për të ardhur e për ta ndrequr këtë gabim.

Rudina Xhunga: Është kënaqësi që jeni në Shqipëri dhe që jemi bashkë në këtë intervistë ekskluzive. Është gjithashtu kënaqësi që keni intervistuar shumë shqiptarë të famshëm. Mund të kujtoni diçka rreth tyre?

Patrick Poivre d’Arvor: Shqiptarja e parë e famshme që kam takuar ka qenë jo në Shqipëri, por në Kalkutë. Nënë Tereza. Këtë e tregoj në një libër ku përshkruaj portretet e personave që kam takuar në jetë, në itinerarin tim personal. Nënë Tereza më ka lënë shumë mbresa, edhe pse ishte kaq e gjatë, sa unë i ulur. Ishte shumë e kërrusur, dhe më foli shumë pak për Shqipërinë dhe emrin e saj të vërtetë. Më pas foli vetëm për motrat e bamirësisë, sepse kjo gjë i interesonte,  misioni i saj.

Rudina Xhunga: Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga nënë Tereza, përveç portretit? Për mua do të kishte qenë mrekulli ta takoja, por në atë kohë s’kam qenë ende gazetare.

Patrick Poivre d’Arvor: Ju s’kishit lindur ende, kur e kam intervistuar. E kam intervistuar në fillim të viteve ’70, shumë herët. Më la shumë mbresa forca e saj. Në mënyrë të përgjithshme kam qenë gjithnjë i befasuar nga forca e grave që kam takuar, por sidomos atyre në kontinentin aziatik. Aung San Su Ki-në e kam takuar dy herë , kur ishte e burgosur në Birmani, në një rezidencë të mbikëqyrur. Kam takuar Indira Gandin, Benazir Buton. Çdo herë kanë qenë portrete shumë femërore, por me një forcë të pabesueshme.

Rudina Xhunga: Po shqiptarë të tjerë  keni intervistuar?

Patrick Poivre d’Arvor: Shqiptarë të tjerë që kam takuar, kanë qenë për shembull Preljocaj, pasi më pëlqen shumë vallëzimi e shkoj shpesh në opera. S’e kam intervistuar kurrë Inva Mulën, por e kam takuar para disa ditësh dhe e kam parë shpesh në Paris dhe Monte Karlo. Është një grua që e admiroj shumë. Ka dhe të tjerë si shkrimtari Kadare, Besnik Mustafaj, të cilin e kam pasur në emisionet e mia letrare. Dhe një shqiptare që ka kohë që nuk vjen në Shqipëri, Ornela Vorpsi, të cilën e kam takuar gjithashtu në emisionet e mia letrare.

Rudina Xhunga: Ju keni në pamje besoj të bukur për Shqipërinë. Është e bukur Shqipëria e shkruar nga Kadareja, e kënduar nga Inva Mula, e lexuar nga Ornela Vorpsi apo e kërcyer nga Preljocaj.

Patrick Poivre d’Arvor: Sigurisht! Ajo që kam gjetur këtu është një Shqipëri e ëndërruar, mjaft poetike. Mendoj se këtu, sigurisht që për shkak të historisë suaj, si pesë shekujt e pushtimit otoman dhe 45 vjetët e diktaturës, mendoj se e keni ëndërruar jetën më shumë se vendet e tjera. Të tjerë kanë përfituar nga jeta, në vendet ku gjithçka shkonte mirë, dhe juve ju është dashur të shpikni një tjetër jetë, qoftë nëpërmjet shkrimit, vallëzimit e këngës.

Rudina Xhunga: Ju mbroni pikëpamjen se Shqipëria ka një imazh neutral në Francë dhe Evropën veriore, as të mirë as të keq. Si mund të ndërtohet një imazh pozitiv për Shqipërinë, duke shfrytëzuar edhe këta njerëz që janë në Francë.

Patrick Poivre d’Arvor: Mendoj se keni një cilësi të jashtëzakonshme, që është mikpritja, ngrohtësia e njerëzve që jetojnë në Shqipëri. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtë mund ta përdorni si përparësi për të zhvilluar turizmin, sepse turizmi është një vektor njohjeje. Ndonjëherë edhe turizmi ka të këqijat e veta, si për shembull turizmi në masë, por ndonjëherë tërheqja e të huajve nga gjithandej, sidomos nga Evropa, të cilët kthehen në vendet e tyre për të treguar. Ata janë ambasadorët më të mirë. Meqë shërbimi dhe mikpritja është shumë e ngrohtë, mendoj se mund të keni përfitime falë turizmit. Dhe gjithashtu s’duhet të ngurroni ta bëni vendin tuaj të njihet, pasi ka qenë i mbyllur me shumë dryna. Është mahnitëse të shohësh që pas 20 vjetësh njerëzit të vijnë ngadalë dhe të priten krahëhapur.

Rudina Xhunga: Turizmi që ne bëjmë në një farë mënyre nuk i përket linjës së Kroacisë, Greqisë apo Malit të Zi. Ne jemi disi ndryshe, disi ende të pashtruar. Çfarë mund të mësojmë ne nga Franca për mënyrën e të bërit turizëm.

Patrick Poivre d’Arvor: Mendoj se duhet praktikuar një turizëm që të mos jetë në masë, por që të jetë më i përmbledhur.  Njerëzit që jetojnë në qytete duhet të kenë dëshirë të shkojnë atje. Jo për të gjetur  masë njerëzish që vijnë nga Gjermania, apo nga vendet e tjera të veriut, por për t’u gjetur një vend miqësor. Njerëzit e pëlqejnë këtë. Njerëzit në Francë pëlqejnë të shkojnë në Korsikë. Shqipëria i ngjan Korsikës nga karakteri i banorëve dhe nga peizazhet që janë sublime. Nëse arrini të ndërtoni vendpushime të vogla, hotele modeste, jo komplekse të mëdha me nga 400 dhoma, kjo do të ishte fantastike. Hotelet e vogla me 20-30 dhoma janë gjë e mirë. Ajo që do të ishte mirë për Shqipërinë, meqë përmendët Kroacinë dhe Greqinë, do të ishte bashkimi i Kroacisë dhe Greqisë nëpërmjet një rruge të madhe e që kalohet lehtë, që shkon përmes Shqipërisë dhe që lejon njerëzit të lëvizin dhe pushojnë nëpër këtë trekëndësh.

Rudina Xhunga: Ju jeni në Shqipëri për një projekt për turizmin, për letërsinë, për politikën?

Patrick Poivre d’Arvor: Kam ardhur për të zbuluar. Për të parë e për të nuhatur. Ashtu si ju, edhe mua më pëlqen të thith ajër e të nuhas mjedisin. Kam mendime të parat që janë fillestare, por s’më pëlqen t’i them që në fillim. Dua gjithnjë t’i verifikoj ose të ndryshoj mendim, pasi të kem parë njerëzit. Kjo më intereson shumë. Është bukur gjithashtu të lëvizësh sepse zbulon temperamente. Ju këto i keni provuar vetë me aq shumë figura të rëndësishme që keni takuar e intervistuar. Besoj se pasi shkon diku, qoftë për disa ditë, pasurohesh më shumë. Ke një gjykim më të pjekur. Por, duhet të dish gjithçka, para se të flasësh.

Rudina Xhunga: Është mrekulli që vjen të kërkojë frymëmarrje këtu një gazetar me 37 vjet karrierë. Si jeni ndjerë këtu?

Patrick Poivre d’Arvor: Së pari, është rastësi, pasi takova ambasadorin shqiptar në Francë, Ylljet Aliçka. Diskutuam dhe më ftoi me ngulm që të vizitoj Shqipërinë. E kuptova që aty që ky popull s’ka fjalë të kota, që jep premtime që s’i mban. Kjo është shumë e rëndësishme. Ka shumë vende mesdhetare që flasin shumë e tregojnë shumë gjëra, por nuk i shkojnë deri në fund. Pashë një dinamizëm të pabesueshëm kur shkova në Universitetin Evropian të Tiranës. Pashë 4000 studentë që janë të mbushur me kulturë e njohuri të botës, sidomos për Evropën. Pashë një dëshirë për t’u hapur me Evropën. Është mahnitëse të shohësh përqindjet në rezultatet e sondazheve për njerëzit që duan të zbulojnë fqinjët e tyre. Ajo që pashë unë ishte një oreks për të jetuar, i nxitur pa dyshim nga shumë vite privimesh e ndalimesh, një klaustrofobi.

Rudina Xhunga: Vini nga një karrierë 37 vjeçare në TV. Keni drejtuar rreth 4500 edicione lajmesh. Jeni praktikisht zëri dhe fytyra e dashur që ka informuar francezët për gati 40 vjet. Ç’do të thotë kjo për një gazetar?

Patrick Poivre d’Arvor: Është shumë e vështirë të shpjegosh se pse ka një lidhje midis njerëzve dhe prezantuesve, ose gazetarëve. Një gjë precize është se kur njerëzit janë çdo mbrëmje në shtëpi, në orën tetë, dhe papritur darkon me ata, je i ftuar mes tyre, bëhesh pjesë e familjes. Kjo është e rëndësishme. Së dyti, njerëzit janë shumë të arsyeshëm, dhe janë të aftë të gjykojnë sinqeritetin dhe autenticitetin e njerëzve që u flasin. Ka njerëz që janë shumë të lirshëm e rrezatues, por që nuk janë empatike Mua më intereson shumë të di rreth njerëzve të cilëve u flas. Përpiqem t’u bëj pyetje  njerëzve që më flasin, dhe jo vetëm gazetarëve. Sepse është zakon të pyesim njëri-tjetrin, mes nesh, se ç’duhet të bëjmë më shumë që të kënaqet kamera. Jo, duhet të vihesh në vendin e shikuesve, të bësh pyetje, dhe të kuptosh edhe hollësitë më të vogla e më pikante.

Rudina Xhunga: Lexova letrën që i drejtuat publikut, mënyrën se si u ndatë nga publiku. Lexova atë fjalimin e shkurtër me të cilin u ndatë nga TF1. Kishte shumë dinjitet në  mënyrën sesi i dhatë lamtumirën shikuesve tuaj.

Patrick Poivre d’Arvor: Rrethanat janë shumë të çuditshme, sepse s’janë gazetareske. Edicioni informativ që drejtoja ecte shumë mirë, dhe kishte shumë shikues. Kishte një marrëdhënie shumë të mirë mes meje e redaksisë. Por pati një ndryshim të drejtuesve. Njerëzit që e kishin drejtuar për 20 vjet atë kanal dhe që kishin shumë ambicie për të, u larguan. Në të njëjtën kohë erdhi një president i ri republike, të cilin e njihja mirë që më parë, por që pati dëshirë të ndryshojë gjithçka në mënyrën e tij. Pati shumë njerëz që u nervozuan, u rebeluan. S’është shumë e rëndë, por më e keqja është nëse pronari i televizionit përpiqet t’i bëjë qejfin, me mënyrën e tij, e fatkeqësisht kjo është ajo që ndodhi.

Rudina Xhunga: Çfarë e mërziti saktësisht Sarkozinë, sepse kam gjetur variante të ndryshme për atë që e mërziti.

Patrick Poivre d’Arvor: S’ishte një fjali e rëndë ajo që e mërziti, por ai ishte zgjedhur prej katër javësh, dhe kishte marrë pjesë në një samit në Shën Petërburg. Ai ishte ndryshe, vraponte gjithandej. Ishte ndryshe për ne. Ishim mësuar me Miteranin, Shirakun. Ndërsa ai ishte dinamik. Ai i jepte celularin Putinit për të folur, i rrihte shpatullat Merkelit, e gjëra të tilla. I thashë, me saktësi: “Ju pashë shumë të çliruar në Samit, pothuajse të emocionuar, si një djalë të vogël që futet në oborrin e të mëdhenjve.” E bëra lidhjen me veten, sepse shpesh dhe unë ndihem si një djalë i vogël që mrekullohet nga bota. Ai në fillim e mori me shumë humor. Më tha: “Mos ju dukem djalë i vogël, sepse jeni disa muaj më i madh se unë?” Ai më njihte mirë,  mbase kjo frazë e ndryshoi pak marrëdhënien tonë, dhe përforcoi idenë që do të isha një gazetar rebel.

Rudina Xhunga: Si rezultoi presidenca franceze e Sarkozisë?

Patrick Poivre d’Arvor: Them se ai është një njeri shumë energjik, shumë autoritar, dhe fatkeqësisht njerëzit s’i besonin shumë premtimeve të tij, sepse jepte nga një premtim në ditë. Dhe për mendimin tim, është mposhtur për shkak të problemeve që vinin nga sjellja personale, përveç problemeve ideologjike. Sepse ishte një njeri që u përpoq t’i ndryshojë gjërat. Por e bëri pa u marrë shumë mirë me njerëzit. Ishte shumë i zoti në zgjidhjen e krizave, por s’ishte aspak i zoti në menaxhimin njerëzor, menaxhimin e marrëdhënieve me çdo individ.

Rudina Xhunga: Ju u larguat nga TF1 edhe për shkak të Sarkozisë, apo sidomos për shkak të Sarkozisë?

Patrick Poivre d’Arvor: Mendoj se janë të dyja bashkë. Mendoj se pronari i televizionit tim donte t’i bënte qejfin Sarkozisë, por dhe Sarkozia mbase kishte ndryshuar mendim gjatë kësaj kohe. Pas një viti më priti në një takim dhe më bëri propozime politike. Pra, njerëzit ndryshojnë, dhe nuk shërben t’u paraprish dëshirave të tyre.

Rudina Xhunga: Pra, të bën të mendosh që sado demokraci të ketë, lidhjet mes gazetarisë, politikës e biznesit vazhdojnë të ekzistojnë, lidhje mbi të cilat s’mund të dalësh.

Patrick Poivre d’Arvor: Jo, duhet të vazhdosh të jesh optimist, sepse ajo që më ndodhi s’është gjë e rëndë. Franca ka 3 milionë të papunë, në situata më të vështira. Së dyti, ju këtu keni njohur situata shumë më të rënda. Kur dikush kishte mendime të këqija, ose mendohej se kishte mendime të këqija, do të ishte dikush që do ta spiunonte dhe ndonjëherë këto raste përfundonin me burg,  ose edhe më keq. Në Francë kemi një traditë monarkike dhe ende s’e kemi ndryshuar plotësisht. Kokën e mbretit e premë para 220 vjetësh, por mbetemi me një traditë mjaft monarkike. Të gjithë sytë kthehen nga maja. Nuk është më e rëndë se kaq. Është më pak e rëndë se koha e diktatorëve. Por është diçka e pamundur ta ndryshosh. Do të ketë gjithnjë oborrtarë e njerëz që do të përpiqen t’u bëjnë qejfin oborrtarëve.

Rudina Xhunga: Në jetën e një njeriu ka ndarje, ka drama, ka vdekje, dhe një gazetar është një njeri. Si bëhet që të ruash të njëjtin portret, duke pasur momente të ndryshme, lëkundje humori e gjëra të ndryshme të jetës. Si mundet një gazetar të ketë të njëjtin portret çdo ditë?

Patrick Poivre d’Arvor: Nuk di nëse kam arritur të ruaj të njëjtën pamje. Por edhe kur kam pasur të njëjtën fytyrë, përbrenda meje ka pasur raste, që gjërat zienin. Ka pasur çaste shumë të lumtura në jetë, sigurisht, dhe çaste shumë të trishtuara. I kam prezantuar lajmet edhe mbrëmjen kur vajza ime u vetëvra, sepse për mua ishte e vetmja mënyrë për të qëndruar në këmbë. Shumë teleshikues më dërguan letra të mrekullueshme, duke më thënë që edhe ata kanë pësuar drama. Dikush ishte bukëpjekës, dikush artizan, dikush punëtor. Të nesërmen shkova në punë, përndryshe do të kisha vdekur dhe unë. Duhet ta bësh këtë, dhe kur të rastis të kesh të ftuar politikanë që mund t’i pëlqesh ose jo, prapë duhet të kesh të njëjtën pamje në fytyrë. Edhe kur të ftojnë të flasësh për ngjarje dramatike, ose për vdekjen e personazheve që kam admiruar thellësisht, apo që kam pasur miq, prapë nuk duhet të shfaqësh emocione. Por në të njëjtën kohë, njerëzit arrijnë të kuptojnë, ose shpresoj të të kuptojnë. Por jemi të detyruar të vazhdojmë punën. “Shfaqja duhet të vazhdojë!”.

Rudina Xhunga: Ju e zbutët disi, dhimbjen e madhe të vetëvrasjes së vajzës edhe duke e rrëfyer atë, duke bërë gazetarin.

Patrick Poivre d’Arvor: Them se është e dobishme të dëshmosh. Kur duhet të jesh dëshmitar i të gjitha tmerreve që sheh rrotull vetes, gjë që më ka ndodhur shpesh, pasi duhet të dëshmosh edhe sëmundje e gjëra të tilla.  Për shembull, vajza ime vuante nga anoreksia. Në atë kohë e quanim anoreksinë disi mendore. Jepej një shpjegim i keq, si të ishte një sëmundje çrregullimi mendor. Duke folur për time bijë, duke shtyrë gruan e presidentit të republikës, Znj.Shirak, të flasë edhe ajo për të njëjtin problem, pasi e kishte hasur me një prej vajzave të saj, rezultoi diçka shumë e dobishme. Kjo, për shembull, na mundësoi drejtimin e një spitali që mban emrin e vajzës sime e quhet “Shtëpia e Solenës”. Është një spital në Paris që ndihmon  adoleshentët me probleme.

Rudina Xhunga: Një gazetar, është një baba i mirë? Ka kohë të jetë një baba i mirë? Pyes sepse kam një vajzë të vogël, e s’di në do të kem mundësi të jem nënë e mirë?

Patrick Poivre d’Arvor: Jam i sigurt që do të jeni nënë e mirë. Në fakt, do t’i merrni vajzës kohë të cilën do t’ia jepni spektatorëve, profesionit dhe televizionit. Por në të njëjtën kohë, për sado e zënë të jeni, do të jeni e lumtur. Do të ktheheni e lodhur në shtëpi, dhe do të jeni e lumtur. Vajza juaj, deri kur të jetë adoleshente, do të kuptojë që jeni e lumtur. Njerëzit që bëjnë zanate më të mërzitshme se i yni dhe që u merr kohë, ata kthehen ndonjëherë në shtëpi me fytyrë të mërzitur nga puna. Nuk janë të lumtur dhe besoj se kjo përcillet dhe tek fëmijët e tyre. Është e vërtetë që do t’i marr kohë fëmijëve, por në të njëjtën kohë mund t’ua kthej me lumturi. Për shembull, djalin tim të vogël që mbushi 18 vjeç, unë e mora me vete në Shqipëri që ta zbulonte këtë vend, dhe është shumë i gëzuar dhe i kënaqur. Mendoj se do të jetë i vetmi në klasë që ka njohur Shqipërinë.

Rudina Xhunga: Më mirë të bëhesh baba 15 vjeç, siç u bëtë ju herën e parë, apo më mirë 40 vjeç?

Patrick Poivre d’Arvor: Të gjitha vlejnë. Jeta është një ndjekje e lumturisë, e sigurisht që ka dhe drama. Por ka gjithnjë diçka të bukur. Tani në Francë, është një dimër i trishtueshëm, i ftohtë, me shi. Shikoni këtu! Gjithçka gjelbëron e ka diell. Edhe me jetën është e njëjta gjë. Duhet të përfitosh nga gjithë kjo lumturi, qoftë duke qenë baba që 15 vjeç, apo duke qenë 40 vjeç. Unë u bëra baba edhe në moshën 48 vjeçare. Ishte hera e gjashtë dhe isha i lumtur. Të gjithë fëmijët më kanë dhënë lumturi. Përjetimi nga fëmijët, është si përjetimi nga librat, diçka që mbetet,  ndryshe nga emisionet televizive apo gjërat që shihen në TV, të cilat, për sado të bukura qofshin, zhduken.

Rudina Xhunga: Është më bukur të shkruash libra, apo të jesh gazetar televiziv? Çfarë ju jep më shumë adrenalinë. Ku e keni shprehur më mirë veten tuaj?

Patrick Poivre d’Arvor: Historikisht, për mua kanë qenë librat. Librin e parë e kam shkruar kur isha 17 vjeç. Nisa të shkruaj menjëherë më pas. Ishte dëshira ime. Adrenalina vjen nga zanati si gazetar. Ai është shumë emocionues. Të shkruash libra është diçka e gjatë, plot dyshime, është e vështirë. Më pas ngurron para se t’ia ofrosh të gjithë botës. Ju duket e tepërt që bëhet publike, por doni ta bëni gjithsesi. Bëheni skizofrenik. Është e ndërlikuar. Por libri mbetet. Kështu që për sa i përket kënaqësisë më të gjatë, libri është më mirë. Por për emocionet e përditshme, puna si gazetar e profesioni në televizion është më mirë.

Rudina Xhunga: Ju keni pasur fatin të intervistoni njerëzit më të rëndësishëm të botës. Të gjithë i keni intervistuar. Keni qenë portreti zyrtar i intervistave më të rëndësishme në Francë. Veçoni dot më të mirën?

Patrick Poivre d’Arvor: Është gjithnjë e vështirë të zgjedhësh. Mendon gjithnjë për intervistën më të fundit, siç mendon gjithnjë për librin e fundit që ke shkruar. Por që të zgjedh kështu, para 20 vjetësh është një kujtim, i një interviste me Sadam Hyseinin, në kushte shumë të veçanta. Këto kushte dhe vazhdimësia e intervistës është ajo që më mbeti në kujtesë. Sepse vendi i tij ishte i bllokuar nga embargot, dhe isha i vetmi gazetar i jashtëm që kisha hyrë aty. Intervista ndodhi përpara pengjeve perëndimorë që ishin aty, të përdorur nga ai si mburoja njerëzore. Gjithçka ishte e ndërlikuar. Isha dy hapa larg burgimit. Sapo kisha nxjerrë një bebe franceze nga Iraku, në kushte të paligjshme, e mund të më bënin të paguaja për këtë. Kishin ekzekutuar një gazetar britanik, i cili u pushkatua për spiunazh. Por ju e dini si bëhet. Duhet të hidhesh në strofullën e ujkut. Në atë moment shkoi mirë. Në fillim nisi keq, por pastaj situata ime mori një ndryshim tjetër dhe intervista zgjati tri orë.

Rudina Xhunga: Çfarë ndodhi me beben që shpëtuat?

Patrick Poivre d’Arvor: Është një histori e bukur që e pasoi një tjetër, e trishtuar. E bukura është që kur munda të kthehem me beben, ia ktheva të ëmës. Babanë e mbajtën peng edhe për disa muaj. Kur u kthye në Francë, më kërkuan të isha kumbar i fëmijës. Isha shumë i lumtur. Ishte një fëmijë i vogël ortodoks. Shkuam në katedralen ortodokse të Parisit. Pastaj takova një herë prindërit e tij që jetonin në Moskë. Fatkeqësisht, pak kohë pas takimit tonë të fundit, kur ai ishte 10 vjeç, pësoi një aksident me makinë dhe humbi jetën.

Rudina Xhunga: Krijohet ideja që kur je gazetar, nuk je dhe njëkohësisht njerëzor. Si ia bën njeriu që t’i ndajë këto të dyja nocione?

Patrick Poivre d’Arvor: Unë jam i bindur që mund të jesh të dyja. Përkundrazi. Mendoj se kur je gazetar i mirë, interesohesh për të tjerët. Ata që interesohen shumë për interesin e tyre personal, kjo duket, ndihet tek teleshikuesit. E kuptojnë që s’është me ata. Por nëse interesohesh, nëse ke empati, kjo është diçka që përcillet gjithashtu. Do të thotë që duhet të kesh empati dhe t’i duash të tjerët. T’i duash të tjerët do të thotë, në mos të jesh i mirë, të paktën të mos jesh shumë i keq.

Rudina Xhunga: Është përfolur shumë intervista juaj me Fidel Kastron, dhe akuzat për mashtrim, që në fakt nuk ishte intervistë por një konferencë shtypi. Ka pasur të tjera akuza për një libër për Heminguejin. Ajo që më intereson të di është mënyra se si i zgjidhni ju situata kur ju vënë para akuzave.

Patrick Poivre d’Arvor: Janë dy akuza që i kam përjetuar keq, dhe që atëherë s’ka pasur asnjë gjurmë përndjekjeje gjyqësore. Ishin thjesht akuza nga gazetarët. Një gazetar nga shtypi i shkruar dhe një nga televizioni, për rastin e Kastros, dhe vetëm një gazetar nga shtypi i shkruar për rastin e Heminguejit. Kjo ishte tronditëse, sepse e di që kam qenë objekt xhelozish, e besoj se dhe ju e keni ndierë këtë dhe më kuptoni mirë. Është normale, kjo s’më bezdis. Por përpiqesh të kapesh në dy pika që janë më të mëdha. Cilat janë pikat e mëdha për një gazetar: Të jetë i besueshëm dhe i ndershëm. Aty u përpoqën të më bëjnë të them, që një konferencë shtypi e bëra të dukej si intervistë. Një budallallëk i madh, kur salla ka shumë njerëz që mund të dëshmojnë. Asnjë s’mund të thotë që arrita të marr një intervistë ekskluzive. E kisha thënë shumë qartë në njoftimin e lajmit që bëhej fjalë për një konferencë shtypi. Videoja që nuk kishte dalë nga unë, ishte e tmerrshme. Ishte përgatitur shumë keq. Ishin prerë pyetje e mia, etj. Nuk ishte bërë mirë. Unë e thashë atë që mendoja për njeriun përgjegjës, i cili s’është se ishte i pandershëm, por kishte dashur ta mbaronte atë shumë shpejt. Pas një viti u ktheva në Havanë dhe bëra një intervistë me Fidel Kastron. Çuditërisht, pati ngatërresa e njerëz që thoshin se ishte një intervistë e rremë. Ajo ishte intervistë e vërtetë dhe unë botova edhe fotot. Kjo ishte intervista e fundit që ka dhënë Fidel Kastro. Kjo më ka tronditur shumë, sepse s’ishte e vërtetë, sepse s’pati asnjë ndjekje ligjore. Në Francë kemi një institucion që kontrollon gjithçka, sidomos vërtetësinë e informacionit. E njëjta gjë ishte dhe me Heminguejin. Asnjeri s’më sulmoi për atë libër, pasi është i pasulmueshëm.

Rudina Xhunga: Si reagoni në këto situata? Si e përballoni?

Patrick Poivre d’Arvor: Kur bëhet fjalë për akuza të rreme, reagojmë gjithnjë keq. Sepse indinjohemi, dhe përpiqemi t’i japim shumë peshë e të japim shumë prova. E kur nis të japësh shumë prova, nis të ngresh dyshime. Këto histori nuk kanë fund. Por vetëm ata që janë mashtrues, dalin pa u lënduar nga këto situata, sepse nga ana morale ata s’duan t’ia dinë fare. Dhe dalin shumë më mirë se njerëzit e ndershëm, kur akuzohen padrejtësisht.

Rudina Xhunga: Ju keni intervistuar e keni pasur kontakte të forta miqësie me të gjithë presidentët francezë. Mund të jetë një gazetar edhe profesionist, edhe mik me politikanët.

Patrick Poivre d’Arvor: Sigurisht që ka një rrezik. S’mund të kesh miq të vërtetë në botën politike, por mund të kesh marrëdhënie. Mund t’i takosh, të drekosh, të darkosh. Sigurisht që jo të shkosh me pushime bashkë. Por duhet të përpiqesh të kuptosh se si funksionon, e të kuptosh që në fund të fundit ata njerëz, janë kafshë politike. Ndonjëherë zogj që fluturojnë lart. Nuk është rastësi që kanë mbërritur aty. Janë aty sepse janë mbretërit e Savanës, të cilës i përkasin. Duhet të përpiqesh t’i njohësh në anën e brendshme, por është shumë e vështirë të bëhesh mik me një politikan. Mund të bëhesh mik, kur s’është më politikan.

Rudina Xhunga: Si ia bëtë që mbijetuat për kaq vite? Jeni busti më i njohur i Francës. Cili është kompromisi juaj me suksesin.

Patrick Poivre d’Arvor: Mendoj se më ndihmoi shumë mbështetja e teleshikuesve. Njerëzit s’mund të dallonin nëse i përkisja të majtës apo të djathtës. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Kam pasur alternime midis të dyjave. E shikonin qartë që isha i pavarur, e shikonin qartë që presidentë të ndryshëm më trajtonin po njësoj, dhe kjo u pëlqente. Kështu hyra në këtë peizazh. Është e vështirë të ngresh një tablo të veçantë aty. Kam përfituar nga kjo. Mendoj se kam pasur edhe guxim, sepse jam përpjekur gjithnjë t’u shkoj bindjeve deri në fund. Jam përpjekur ta mbaj drejt shtyllën kurrizore.

Rudina Xhunga: Cilin nga presidentët francezë mund të veçoni?

Patrick Poivre d’Arvor: Kemi pasur presidentë shumë madhështorë, duke nisur që me të parin nga republika e pestë. Gjeneralin De Gol, që ishte shumë lart. Megjithatë, mbase prej partive apo prej nocionit “të majtë e të djathtë”, francezët thanë në një çast të caktuar që ishte koha t’i jepnin lamtumirën. Francezët e pëlqejnë ndryshimin dhe kjo ndodh në çdo vend të botës. Në një çast të caktuar thonë “mjaft, iu bë shumë kohë në krye”. Por mbetet figurë emblematike, si me amerikanët, ashtu dhe me rusët. Është një personazh shumë i rëndësishëm. Është njeriu që ka ditur të thotë “jo” në shumë raste, sidomos në Luftën e Dytë Botërore. Pastaj kemi pasur presidentë shumë cilësorë, si Pompidu, Zhistarg Esten, Miteran, si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Kanë qenë njerëz shumë të kultivuar e të moshuar. Pastaj patëm presidentë të ndërmjetshëm, si Shiraku, që ishte mjaft afër popullit. Por s’është zgjedhur kurrë me votat e duhura. Në fillim me 20%, ose 22%. S’u zgjodh me shumë entuziazëm, por kurrë s’ka pasur qortime për të. Pastaj hymë në një epokë tjetër, në atë të presidentëve të rinj, si Sarkozia dhe Holond, që është sot. Njerëz që kanë dashur të jenë më pranë zgjedhësve e qytetarëve. Them se mbase janë shumë afër tyre. Mendoj se ndonjëherë duhet një farë largësie midis popullit dhe presidentëve. Edhe politikanët që duan të marrin pushtetin, tani bëjnë gjithçka për të treguar që janë si të populli. “Jam si ju, s’kam shumë para, etj”. E pastaj mbeten të tillë, por njerëzit s’duan atë.

Rudina Xhunga: Çfarë po ndodh me francezët që votojnë presidentë gjithnjë e më të shkurtër.

Patrick Poivre d’Arvor: S’e di! S’ka pasur shumë kandidatë trupmëdhenj që pas Shirakut. Vilpeni kishte një figurë të mirë, por u harrua shpejt. Zhospeni ishte gjithashtu trupmadh. Mendoj se jemi në një epokë ku mendojmë se të gjithë janë të vlefshëm. Një epokë barazie në të gjitha kuptimet e fjalës. Mendoj se janë cikle. Do të ndryshojnë më pas.

Rudina Xhunga: Përveçse në Francë, po në botë, çfarë lloji politikani po fiton gjithnjë e më shumë?

Patrick Poivre d’Arvor: S’mund të themi që ka tipologji. Para disa vitesh do të thosha “karizma”. Duhej që njerëzve t’u mbeteshin mbresa nga qëndrimi i personit. Ky është rasti i Obamës. Obama është një formë distance dhe elegance të madhe personale. Por kemi edhe shembuj të tjerë, si Merkeli. Ajo s’ka karizëm. Njerëzit nuk shohin cilësi mbresëlënëse tek karakteri i saj, por megjithatë ia del shumë mirë e mbase do të zgjidhet sërish në krye të vendit, në vjeshtën e ardhshme. Keni shembullin e Berluskonit, me karakterin flakërues, etj. Shumë njerëz mund të thonë që është shpëtimtar, sepse jep siguri. Pastaj i thonë “mirupafshim”, sepse është e tepërt, e duan dikë që është më normal, një profesor serioz si Monti. Por pasi mbetet Monti në politikë, nuk e duan më. Njerëzit janë shumë të ndërlikuar. Në përgjithësi, ajo që duan njerëzit, është të kenë politikanë që u lejojnë të vazhdojnë ekzistencën e qetë në qoshen e tyre. Që nuk krijojnë kundërpushtete, vetëm që qytetari të jetë ende zot i vetes.

Rudina Xhunga: Ka ndonjë politikan të gjallë apo të vdekur që do të kishit dashur ta intervistonit, por nuk mundët?

Patrick Poivre d’Arvor: Do të kisha dashur të intervistoja Obamën.

Rudina Xhunga: Obama është ai që pëlqeni. Ju pëlqeni Kenedin, në fakt?

Patrick Poivre d’Arvor: I kam  intervistuar të gjithë të tjerët, përveç Kenedit dhe Obamës. Por kam intervistuar Reganin, Fordin, Karterin, Bushin e parë dhe të dytin. Vetëm Obamën jo.

Rudina Xhunga: Jeni i djathtë?

Patrick Poivre d’Arvor: Jo, i përkas partisë së gazetarëve. Gazetari, edhe pse ka opinione të vetat, nuk duhet t’i japë. Mendoj se kjo është e rëndësishme. Duhet të votojë. Unë votoj. Por nuk tregoj për kë votoj, dhe vota ime mund të ndryshojë nga një zgjedhje në tjetrën, sipas asaj që shoh.

Rudina Xhunga: Ndiheni më mirë kur intervistoni një politikan apo një shkrimtar? Cila ju jep më shumë kënaqësi, jo më shumë shikues.

Patrick Poivre d’Arvor: Politikanët e sportistët japin më shumë teleshikues, por shkrimtarët japin më shumë kënaqësi, por më pak teleshikues. Sportistët, edhe pse shumicën e kohës thonë të vërtetën, zakonisht nuk kanë gjë për të thënë. Por i pyesin për tema në të cilat s’janë kompetentë, dhe ky është budallallëk. Ose i pyesin deri në pikën kur s’kanë më ç’të thonë, gati t’u thonë “ikni, më lini të qetë”. Politikanët janë problemi, tani. Kanë shumë këshilltarë rrotull vetes që ua përgatisin fjalimet, elemente zgjatimi, siç quhen sot. Krijohet një qëndrim që përsëritet, e pastaj u jepet anëtarëve të tjerë të partisë që përsërisin të njëjtën parullë, dhe kjo është e padurueshme. Komunikimi ka mësuar nga informacioni politik, dhe kjo është gjë e keqe.

Rudina Xhunga: Cili ka qenë i ftuari me më shumë shikues, dhe sa shikues ka pasur atë natë?

Patrick Poivre d’Arvor: Ka pasur raste dramatike, si atentatet e 11 shtatorit. E nisa edicionin në orën tre pasdite dhe e vazhdova deri në darkë. Gjatë luftës së parë të Gjirit pati gjithashtu shumë publik. E nisëm edicionin me dy gazetarë të tjerë, për 36 orë pa ndalesa. Pa reklama, pa programe të tjera. Vetëm ne. Lufta e Kosovës, gjithashtu, u ndoq shumë. Pata një intervistë ekskluzive me presidentin Shirak. Po ashtu dhe çështje franceze, si për shembull ish-kryeministri Alen Zhype, që u dënua. Pritëm të dinim nëse do ta linte politikën. Erdhi tek unë dhe patëm 3 milionë shikues. Ishte gjigante, dhe shumë e çuditshme për një rast të tillë.

Rudina Xhunga: Përveç të tjerave, ju keni dhe një famë Don Zhuani.

Patrick Poivre d’Arvor: Vendosa ta ndreq këtë reputacion duke vënë në skenë operën time të preferuar, Don Zhuani. Pata mundësinë të tregoj versionin tim të Don Zhuanit. Që s’është gjithnjë ai që imagjinohet. Unë s’e di nëse jam Don Zhuan, thjesht më pëlqen të josh. Por kjo ndodh shpesh mes gazetarëve dhe politikanëve gjithashtu. Më pëlqen shumë marrëdhënia mes burrave dhe grave.

Rudina Xhunga: Çfarë duhet të ketë parasysh një gazetar televiziv, jo vetëm për formën, por edhe me portretin, zërin, në lidhje dhe me pasionin.

Patrick Poivre d’Arvor: Them se njeriu duhet të jetë shumë origjinal. Unë i lëviz shumë duart, me ç’kam vënë re, por s’përpiqem asnjëherë të rri i ngrirë. Duhet të jesh shumë origjinal. Dua të vazhdoj të lëviz duart. Por megjithatë, s’duhet që t’i prezantosh lajmet me shumë zhurmë, me tamburë, duke i thirrur njerëzit të vijnë e të dëgjojnë, apo të bërtasin fort. Unë mendoj se në rrëmujën e sotme që ka bota dhe çdo vend, ne duhet të sjellim qetësinë. Duhet të themi gjithçka, por me qetësi. Kjo është e rëndësishme. Dhe kryesorja është, t’i duash njerëzit të cilëve u flet, dhe njerëzit për të cilët flet.

Rudina Xhunga: Faleminderit. Ishte kënaqësi.

Patrick Poivre d’Arvor: Faleminderit juve.

Top Channel