Humbja e peshës mund të dëmtojë gjendjen tuaj shpirtërore

28/09/2013 00:00

Të gjithë dëshirojmë të kemi një trup perfekt dhe padiskutim tentojmë të
kontrollojmë peshën e trupit tonë nëpërmjet ushqyerjes së duhur ose një
stili të shëndetshëm jete dhe mbi të gjitha jo sedentar (ulur, pa
lëvizur). Gjithsesi, problemet më të mëdha duket se nuk lindin para se
të merren efektet pozitive (rënia në peshë), por pasi ato janë marrë.

Dr. Michael Lowe, një profesor i psikologjisë në Universitetin Drexel, ka publikuar një seri të tërë studimesh për çrregullimet e ushqyerjes, të cilat duhet të merren në konsideratë për të shmangur problemet e thjeshta emocionale. “Fokusi i kërkimeve mbi çrregullimet e ushqyerjes është mbështetur sidomos te mendimet, emocionet, besimi dhe personaliteti.

Por, ndërsa këto ndikime mendore janë padyshim pjesë e problemit, historikisht ka pasur pak vëmendje mbi çështjen se si pesha aktuale dhe ajo e kaluar e trupit kontribuon në çrregullimin e ushqyerjes”, shpjegon Lowe. (Doktor Lowe ka publikuar në vitet e kaluara shumë studime mbi çrregullimet e ushqyerjes dhe veçanërisht mbi buliminë nervore). Domethënë nëse një person ka pasur në të kaluarën një peshë të madhe trupore dhe vazhdon të jetë mbipeshë (edhe pse ai është ende më pak se përpara, por i duket kështu) kjo mund të shkaktojë çrregullime të vazhdueshme në ushqyerje. Për të ndihmuar një person të fiksuar pas anoreksisë dhe bulimisë nervore është e nevojshme të merrni në konsideratë të gjitha aspektet, midis të cilave edhe rezultatet e së shkuarës. “Kjo ndryshon rrënjësisht supozimin se problemi është kryesisht psikologjik apo emocional”, vazhdon Lowe. Ndërkohë, rezultatet e një studimi të ri të publikuar në Gazetën e Psikologjisë Jonormale dhe të kryera nga Laura A. Berner, në bazë të disa të dhënave të grumbulluara në Qendrën Renfrew të Filadelfias, sugjerojnë se teoria e Lowe-ut është e saktë. Duket se përmirësimi ose përkeqësimi i një pacienti që vuan nga çrregullimet e ushqyerjes varet kryesisht nga fakti se sa peshë ai ka humbur fillimisht. Kjo diferencë në zhargon quhet “shuarje peshe” dhe duket të jetë e rëndësishme në të njëjtën mënyrë sesa pacienti peshon në atë moment.

Varësia nga çrregullimet e të ushqyerit

Ne i njohim dy çrregullimet kryesore të të ushqyerit, të cilat janë anoreksia dhe bulimia. Anoreksia nervore është një çrregullim i të ushqyerit, në të cilën personi bie shumë në peshë, sepse kufizon ngrënien. Ky problem vihet re më dendur te gratë e reja dhe vajzat adoleshente sesa te meshkujt.

Shkaqet e anoreksisë nuk janë zbuluar tërësisht, megjithatë ka të ngjarë që ato të jenë sociale, psikologjike e fiziologjike. Kurse njerëzit që vuajnë nga bulimia nervore hanë sasi të mëdha ushqimi të pasura në kalori. Studime të shumta kanë bërë të ditur se njerëzit me bulimi kanë përfytyrime jo të sakta për pamjen e tyre trupore, nivele të larta ankthi.

Mbipesha shkaktohet edhe nga faktorët emocionalë, si stresogjeni, faktorët familjarë, gjenetikë, metabolikë etj. Psikologët thonë se konsumi i tepërt i ushqimit ka një njëanshmëri me alkoolin, si dhe me pirjen e duhanit, sepse kjo është një shprehi e fituar gjatë jetës së individit. Por zakonisht, abuzimi i ushqimit është një lloj prehje për njerëzit që gjenden në situatat problemore. Thonë se disa njerëz, duke ikur nga problemi aktual, gjejnë mënyrën më të lehtë të ngushëllimit të vetvetes. Nga hulumtimet e bëra, shihet se në rastet e shumta janë të përfshirë fëmijë dhe adoleshentë, të cilët i bartin konfliktet e pazgjidhura familjare, si dhe ngarkesat emocionale, si fjala vjen, shtypja e ndjenjave që vjen nga hidhërimi nga prindërit e tyre, që do të ngushëllohen në çrregullimet e të ushqyerit. Anoreksia nervore atëherë nuk është asgjë tjetër përveç refuzimi i një situate të pamëshirshme familjare. Kjo tregohet në refuzimin e ushqimit. Kurse bulimia është pamja e një adoleshenti, i cili gjendet në një krizë apo vështirësi, ku gjendjen konfliktuale në familje e pranon, por nuk mund ta “gëlltisë”. Ai do t’i refuzojë prindërit duke i ikur problemit aktual dhe ata e gjejnë mënyrën më të lehtë të ngushëllimit të vetvetes në konsumimin e tepërt të ushqimit.

Top Channel