Panairi i Artizanaleve në Prishtinë

27/09/2013 00:00

Në Prishtinë nisi edicioni i 9-të i Panairit të Artizanaleve dhe Trashëgimisë Kulturore. Rreth 80 organizata e individë, nga trojet shqiptare do të prezantojnë punët e tyre për 3 ditë sa do të zgjasë ky aktivitet.

Sipas pjesëmarrësve, më e madhe është dëshira për trashëgiminë e veprimtarive tradicionale se sa fitimi që kanë nga këto artizanate. Por nga ana tjeter panairet i vlerësojnë si mundësi të mirë për prezantimin e punës.

“Me këto punë dorë nuk mund të themi që gratë kanë arritur të mbajnë shtëpinë sa mund të themi ne që gjashtë muaj punë të zakonshme është e barabartë me një panair”, thotë Lumturi Baja nga Kukësi, pjesëmarrëse në panair.

“Prodhime vendore. Janë trashëgimi e të parëve tanë që na e kanë lënë ne dhe ne po vazhdojmë rrugën e tyre”, shprehet Fatime Limaj, artizanate nga Malisheva.

Hapjen solemne e bëri kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

“Ne e konsiderojmë këtë panair si shumë të rëndësishëm sepse po ekspozojmë vlerat kulturore dhe artistike të Kosovës dhe të vendeve të tjera sepse kemi shumë vende të tjera që marrin pjesë në këtë panair”, tha në fjalën e tij zoti Mustafa.

Dita e parë e panairit u përcoll me valle e performanca të ndryshme nga tradita shqiptare.

Për 3 ditë, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë do të prezantohen punime artizanale të artit aplikativ, kostume popullore, enë e ushqime tradicionale.

Panairi u  organizua nga organizata joqeveritare e grave “Dera e Hapur”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës në kuadër të Ditëve të Trashgimisë së Europës.

Top Channel